Pasi edhe Blloku i Reformatorëve ia ktheu Presidentit Rosen Plevneliv mandatin për krijimin e qeverisë së re, intriga nëse në kuadrin e Parlamentit të tanishëm do të ketë qeveri të rregullt apo jo tashmë nuk ekziston. Mirëpo, tani ka një intrigë tjetër dhe ajo është: Kur dhe si do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare? Këto zgjedhje tashmë janë të pashmangshme, vuri në dukje vetë Presidenti gjatë kthimit të mandatit. Zhvillimet e mundshme në situatën e re u përvijuan gjatë konsultimeve të lodhshme politike muajin e fundit, por tani për tani përgjigje të qarta nuk ka.
Është e qartë se data e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme varet nga Kreu i porsazgjedhur i Shtetit Rumen Radev, sepse gjatë tre muajve të fundit të mandatit të vet Presidenti i tanishëm nuk i ka këto kompetenca. Radevi mund ta ushtrojë këtë të drejtën e tij kushtetuese, vetëm pasi hyn në detyrë më 22 janar të vitit tjetër. Atëherë ai do të mund të emërojë edhe qeveri teknike, e cila të përgatisë zhvillimin e zgjedhjeve. Socialistët, me përkrahjen e të cilëve u zgjodh Kreu i ri i Shtetit duan zgjedhje në fund të marsit, kurse GERB preferon fillimin e prillit. Dallimi mes kohës së preferuar është i vogël, por ndoshta ka rëndësi jo të vogël për dy partitë kryesore në vend. Mirëpo, në fund të fundit më e rëndësishmja është çështja për rregullat, sipas të cilave do të zhvillohen zgjedhjet.
GERB ngulin këmbë për t’u respektuar vullneti i zgjedhësve, i shprehur kategorikisht në referendumin kombëtar, i cili u zhvillua njëkohësisht me zgjedhjet për President dhe pikërisht – në Bullgari të ketë sistem mazhoritar në dy raunde. Respektimi i vullnetit të popullit do t’u sjellë forcave politike, të cilat e respektuan këtë vullnet, përparësi elektorale, duke pasur parasysh faktin se kjo dëshirë u shpreh nga 2.5 mln veta. Sipas të gjithë ekspertëve, sistemi mazhoritar i këtij lloji do të ishte në dobi të partive të mëdha, si GERB dhe Partia Socialiste Bullgare, por Partia Socialiste Bullgare është për një sistem mazhoritar të tipit të përzier, sistem ky i cili është i ndryshëm nga ai i dëshiruar në referendum.
Një dilemë e madhe gjithashtu është nëse ndryshimi në sistemin zgjedhor do të bëhet tani, ose më vonë, nga Parlamenti tjetër. Rregullat zgjedhore u ndryshuan në një mënyrë mjaftë dramatike, një javë para referendumit, dhe ndryshimi radikal i sistemit përsëri në momentin e fundit nuk është i pranueshëm për të gjithë. Madje edhe për partnerin e vogël të GERB-it në koalicionin i cili tashmë nuk do të jetë në pushtet – për Bllokun e Reformatorëve, sipas të cilit një ndryshim i tillë është i rrezikshëm dhe në këtë mënyrë në Parlament mund të hyjnë njerëz me reputacion të dyshimtë. Ai nuk është i pranueshëm edhe për aleatin e deritanishëm të këtij koalicioni – për Frontin Patriotik. Ideja për aplikimin e menjëhershëm të sistemit mazhoritar nuk është e pranueshme edhe për faktin se Parlamenti në dorëheqje nuk ka kohë dhe resurs politik për një ndryshim të tillë kaq serioz. Në këtë gjendje zgjedhjet para afatit sipas një sistemi mazhoritar në dy raunde duken një perspektivë jorealiste, por jo edhe e pamundshme, sepse siç treguan përpjekjet për formimin e qeverisë, kthesat në Bullgari janë një praktikë politike, e cila nuk duhet të nënvlerësohet.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
"Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në kushtetutë qytetarët që janë pjesë e kombeve të tjera, siç janë bullgarët". Kështu thuhet në një raport për zgjerimin e BE-së, të prezantuar nga..
Një parlament edhe më shumëngjyrësh u përvijua nga vota e zgjedhësve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 tetorit. Parashikimet fillestare ishin për një Kuvend Popullor me 9 parti, por rezultatet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)..
Një tjetër zgjedhje e parakohshme është tashmë pas nesh, por përtej pjesëmarrjes paksa të rritur të votuesve, krahasuar me votat e qershorit të këtij viti, është ende e vështirë të parashikohen konfigurimet politike që do t'i japin një shans formimit..
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian...
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën..