“Të jesh apo të mos jesh – kjo është çështja”. Ky është citat i një prej pjesëve më të njohura të Shekspirit “Hamlet”. Pikërisht ky citat do të lexohet në 32 gjuhë në Bazilikën e Vogël në Plovdiv me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, që shënohet më 21 shkurt. Shkaku për zgjedhjen e krijimtarisë së këtij dramaturgu anglez është se gjatë vitit 2019 mbushen 455 vjet nga lindja e tij. Citati do të lexohet si në origjinal, ashtu dhe në bullgarisht, shqip, turqisht, armenisht, hebraisht, në gjuhën rome, në rusisht, në gjuhën ukrainase, në frëngjisht, kinezisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, greqisht, çekisht, polonisht, serbisht, suedisht, arabisht, në gjuhën e kurdëve, në gjuhën moldaviane, persiane, japoneze, mongole, azerbajxhanase. Një pjesë prej programit të festës është edhe prezantimi i shteteve të ndryshme nëpër botë, të cilat kanë përfaqësues të tyre në Plovdivin e lashtë dhe të përjetshëm. Ndër ta janë armenët, hebrenjtë, grekët, turqit dhe romët, si dhe studentët e huaj nga të gjitha kontinentet, të cilët kanë marrë vendim për të bërë studime në universitetet e qytetit. Ata do të prezantojnë shtetet e tyre me këngë, valle, poezi ose zakone të ndryshme karakteristike. Organizatori i aktivitetit është Klubi Letrar Bullgaro-Turk në Qytetin e Kodrave, siç e quajmë Plovdivin. Sipas anëtares së Këshillit Drejtues të Klubit në fjalë, zonja Shenar Bahar, është me rëndësi të sqarohet se pse shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare dhe pse është zgjedhur pikërisht data 21 shkurt:
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare u shpall në Konferencën e Përgjithshme të UNESKO-s më 17 nëntor 1999 dhe shënohet çdo vit që nga viti 2000 e këtej. Qëllimi është që të përkrahet shumëllojshmëria gjuhësore dhe kulturore. Data nuk është e zgjedhur rastësisht, por si shenjë nderimi ndaj ngjarjes së 21 shkurtit të vitit 1952, kur në Dhakë – kryeqyteti i Bangladeshit, plumbat e nëpunësve policorë vranë studentë, të cilët merrnin pjesë në një demonstrim. Ata këmbëngulnin që gjuha e tyre amtare – bengalishtja, të shpallej gjuhë zyrtare në vend.
Protestat e bengalezëve u kurorëzuan me sukses që gjatë vitit 1956, kur qeveria ia dha statusin zyrtar gjuhës bengale.
Çdo vit theksi i festimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare është i ndryshëm. “Gjuha vendase si faktor për zhvillimin, paqen dhe pajtimin” është motoja e edicionit të sivjetshëm, ndërsa qëllimi është që të nënvizohet roli i merituar i të gjitha gjuhëve për krijimin dhe ruajtjen e identitetit kulturor të popujve. Në këtë kuptim shënimi i festës pikërisht në Plovdiv është i natyrshëm, jo vetëm sepse sivjet ai është Kryeqytet Evropian i Kulturës, por edhe për shkak të faktit se atje bashkëjetojnë që nga shekulli i IV para Krishtit pa ndërprerje etni dhe kultura më të ndryshme, të cilat kanë lënë një gjurmë të thellë në kulturën, shpirtin dhe jetën e përditshme në qytet. Në fillim të festës do të lexohet vjersha “Gjuha bullgare” e poetit Ivan Vazov. Ajo nuk është zgjedhur rastësisht, sepse me të Patriku u letërsisë bullgare ka dashur ta përgënjeshtrojë mendimin e përhapur në fund të shekullit XIX se gjuha bullgare është e trashë dhe i mungon melodia. Sot në botë fliten mbi 6000 gjuhë. 24 prej tyre janë shpallur gjuhë zyrtare në kuadrin e Bashkimit Evropian. Një fakt interesant i lidhur me gjuhët në kuadrin e BE-së është se me iniciativë të Këshillit të Evropës 26 shtatori është shpallur Ditë Evropiane e Gjuhëve. Një prej synimeve të kësaj iniciative, e cila zhvillohet që nga viti 2002 e këtej është që t’i bëjë evropianët për të mësuar më shumë gjuhë, pavarësisht nëse kjo është lidhur me profesionin e tyre, ose është për kënaqësi.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në Ambasadën e Bullgarisë në Londër, Prof. Bettany Hughes prezantoi pjesë nga seria e filmave të rinj të BBC – “Thesaret e Bullgarisë”.Hughes është autore e dy episodeve "Thesaret e Bullgarisë" nga seria dokumentare "Thesaret e botës", që..
Fakulteti i Arteve të Bukura në Universitetin e Veliko Tërnovos "Shën Kirill dhe Metodij" feston përvjetorin e gjysmëshekullit me një ekspozitë interesante të bazuar në punët e diplomës të studentëve dhe punimet e profesorëve aktualë të universitetit të..
“Artist lind, nuk bëhesh” – ndihet ende jehona e së vërtetës së këtyre fjalëve të Maria Callas, prima e operës botërore, e lindur më 2 dhjetor në Nju Jork. Në këtë datë, pikërisht 101 vjet pas lindjes së Callas, një grua bullgare, një yll i vërtetë..
Fitues të mëdhenj në edicionin e 28-të të Festivalit të Kinemasë Dokumentare dhe të Animuar Bullgare "Ritoni i Artë" janë filmi i animuar “Një sup i bardhë..