Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Biznesi dhe autoritetet së bashku kundër koronavirusit

Gjendja e jashtëzakonshme në Bullgari që u shpall më 13 mars për shkak të koronavirusit tani për tani është “ i butë” dhe “i zhdërvjelltë”. Lëvizja e njerëzve në transportin urban,shkuarja në punë dhe në dyqane nuk është ndaluar. Tregtia me pakicë u dëmtua për shkak të mbylljes së dyqaneve në qendrat e mëdha tregtare, por jo pak ushqimore dhe dyqane të tjera janë të hapura me kushtin të mos ketë grumbullim njerëzish në një vend. Grumbull të tillë kishte para supermarketeve menjëherë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por tani situata është e qetë, edhe pse disa prej rafteve janë gjysmë të zbrazëta. Pjesa tjetër e biznesit tani për tani është në pritje, lëkunden dhe nuk e dinë se çfarë të bëjnë, por parandjenjat nuk janë të mira.


Në këtë etapë Bullgaria është një nga vendet që janë më pak të prekura nga COVID-19, sipas Kryeinspektorit kombëtar të shëndetësisë Angell Kunçev. Gjithsesi ka rregulla të reja për mënyrën e jetesës dhe ato i përkasin edhe biznesit. Më i dëmtuar është sektori i turizmit, ai i transportit, hotelet, restorantet, biznesi i argëtimit në përgjithësi. Mirëpo, sipas ekspertëve gjithçka është në një fazë fillestare dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të zhvillohet situata. Autoritetet, bashkë me biznesin, janë duke shqyrtuar skenarë të ndryshëm dhe në momentin e tanishëm mendimet e tyre për masat kryesore në situatën e krizës praktikisht janë shumë të afërta. Kjo u duk qartë në takimin e Presidentit Rumen Radev me organizatat e punëdhënësve, ku ai deklaroi se “vetëm me ndalesa dhe gjoba nuk mund të dalim nga kriza si një ekonomi e qëndrueshme”. Sipas tij ka nevojë për një kompleks masash në përkrahje të biznesit, i cili tashmë pëson humbje, sepse “pa biznesin shteti nuk mund të ekzistojë”, është i bindur Kreu i Shtetit.

Nga ana e vet Vasill Velev, shef i Këshillit Drejtues të Asociacionit të Kapitalit Industrial në Bullgari vuri në dukje: “Duhet të merren masa serioze. Duhet të kompensohet biznesi, si dhe njerëzit, të cilët nuk do të marrin paga”, sepse “dëmet do të jenë më të mëdha për shkaqet ekonomike, sesa për shkaqet mjekësore.” Radosvet Radev, anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës Ekonomike Bullgare, nguli këmbë që shteti “të tregojë korrektësinë e vet, duke i paguar të gjitha detyrimet e veta në kuadrin e programeve të ndryshme dhe të prokurimeve publike”.

Në një takim tjetër dje të Ministrit të Financave Vlladisllav Goranov dhe të Ministrit të Ekonomisë Emill Karanikollov me biznesin dhe sindikatat u arrit pajtimi se masat fiskale nuk mund ta zëvendësojnë biznesin dhe duhet të gjendet balancë mes masave për distancimin social dhe veprimtarinë reale ekonomike dhe tregtare. Kapitali i Bankës Shtetërore për Zhvillim do të rritet me 250 mln euro, kështu qe të ketë resurs të mjaftueshëm për t’i ndihmuar shoqëritë ekonomike në rast domosdoshmërie, që të mos vdesë jeta ekonomike dhe të kufizohet shkurtimi i personelit.

Ky dialog mirëdashës mund të përshëndetet me shpresën se do të mbetet i pandryshuar edhe në të ardhmen. Tani për tani të gjithë janë të mendimit se ajo nuk është në bojë rozë dhe se roli i ekonomisë është me rëndësi të madhe, sepse pikërisht ajo është fuqia që e mirëmban dhe lëviz jetën reale të shoqërisë. Në fund të fundit ajo do të duhet ta paguajë çmimin e shpëtimit të kombit dhe të shtetit. Një rol të konsiderueshëm në këtë drejtim mund të luajë edhe ndihma prej 812 mln eurosh e premtuar nga BE-ja. Përveç kësaj Bullgaria ende nuk i ka përvetësuar 546 mln eurot në kuadrin e fondeve strukturore evropiane të investimeve pas shpalljes së Iniciativës së Investimeve në përgjigje të koronavirusit.

Në vend që të regjistrojë rritje ka shumë të ngjarë që vendi ynë të bjerë në recesion, si shumë shtete të tjera në Evropë. Dhe atëherë do të duhet të shtyhen, të pezullohen, ose të braktisen një sërë projektesh publike të investimeve, të cilat duhej ta zhvillonin biznesin privat, duke u siguruar një pagesë të mirë punonjësve të emëruar.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BTA



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Adrian Nikollov

Pagat e industrisë do të arrijnë pagat e sektorit IT

Në vitin 2023, përqindja e të rinjve që nuk punojnë dhe nuk mësojnë nën moshën 29 vjeç ishte 13.8 për qind krahasuar me 15.1 për qind një vit më parë. Në sfondin e BE-së, kjo përqindje në Bullgari mbetet e lartë. 1/7 e të rinjve joaktivë kanë arsim të..

botuar më 24-04-19 10.31.PD
Dimitër Radev

Bullgaria mund të hyjë në eurozonë jo më 1 janar, por më vonë në vitin 2025

Anëtarësimi në eurozonë më vonë në vitin 2025 është një prej skenarëve dhe në këtë fazë më i mundshmi. Kështu ka deklaruar guvernatori i Bankës Kombëtare Bullgare (BNB) Dimitër Radev në një intervistë për BTA në Uashington, gjatë takimeve..

botuar më 24-04-18 11.43.PD

Kabineti teknik vazhdon rrugën e Bullgarisë drejt Eurozonës

“U përpoqa që në qeveri të përfshij ekspertë, të ketë vazhdimësi dhe të jetë politikisht i balancuar” – kështu tha kryeministri në detyrë, Dimitër Gllavçev, kur ia prezantoi presidentit përbërjen e kabinetit zyrtar tashmë aktiv. Detyra kryesore e..

botuar më 24-04-16 10.45.PD