Radioja Kombëtare Bullgare © 2021 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Verka Siderova: “Jeta të mëson gjithçka”

Këngëtarja e njohur bullgare feston jubileun e saj të 95

Foto: arkiv

Është një privilegj ta njohësh Verka Siderovën, është një nder i madh të jesh mysafir në shtëpinë e saj, është një lumturi të shijosh këngët e saj, të cilat i ngrohin zemrat e disa brezave të bullgarëve. Emri i saj është në librat shkollorë të muzikës, është shkruar në analet e Ansamblit Folklorik Kombëtar "Filip Kutev", të Radios Kombëtare Bullgare dhe të Televizionit Kombëtar Bullgar, është ngulitur me shkronja të arta në historinë e vendlindjes së saj Dobruxha. Sot, në ditën e 95-vjetorit të saj, ju ofrojmë intervistën që ajo dha posaçërisht për Radio Bullgarinë.

Kujtimet e këngëtares sonë të njohur të muzikës popullore fillojnë me një moment interesant - përveç se ka qenë soliste e Ansamblit, shumë vite me radhë ajo ka qenë drejtuese koncertesh jashtë vendit, sepse di anglisht, rusisht, turqisht dhe gjuhë të tjera. Për herë të parë Verka Siderova u shfaq si drejtuese gjatë një turneu në Itali.

"Sigurisht që kishim përkthyes në Itali, por Kutev tha se donte që unë të shpallja programin. Ai e dinte që unë e kisha mbaruar departamentin e gjuhëve klasike në shkollën e mesme dhe e flisja italishten. Në fakt, si nxënëse e përvetësova së pari latinishten, dhe prej andej të gjitha gjuhët romane ishin të lehta për mua dhe kisha një afinitet për to. Pas Italisë kam përkthyer në Angli dhe në vende të tjera. Tani ndonjëherë lexoj libra në gjuhë të huaja - kryesisht letërsi artistike. Dikur përgatitesha të studioja mjekësi dhe lexoja shumë, por babai im tha se kjo nuk u përgjigjej mundësive tona financiare. Pothuajse menjëherë pas shkollës së mesme u martova, atëherë fillova të punoj si nëpunëse në Ballçik. Atje fitova çmimin e parë në një garë ku Filip Kutev më dëgjoi dhe që nga ai moment jeta ime kaloi në një udhë krejt tjetër. U bashkova me Ansamblin, filluan provat dhe turnetë - e kështu me radhë tashmë 30 vjet.


Verka Siderova kujton gjithashtu atmosferën e mrekullueshme në Ansambël.

"Kjo i detyrohej krejtësisht Filip Kutevit. Ai ishte një njeri shumë i mirë, por edhe shumë i rreptë. Ndonjëherë ai më qortonte si fëmijë, por nëse kishte ndonjë vështirësi (sepse në jetën time ndodhën shumë ngjarje), më ndihmonte dhe si baba më ngushëllonte se gjithçka do të ishte mirë.

Mund të them me krenari se jam një personalitet shumë muzikor. Mjaftonte të dëgjoja një këngë vetëm një herë dhe e kujtova menjëherë. Kjo është arsyeja se pse Kutev më angazhoi të provoja dhe të mësoja këngët e reja me një pjesë prej korit. Ne ishim si një familje. Po, si në çdo komunitet, ndonjëherë kishte probleme, por gjithmonë i përballonim dhe ishim shumë të afërt njëri me tjetrin. Kemi kënduar jashtë vendit gjithnjë në salla prestigjioze. Mbaj mend turneun tonë të parë në Amerikën e Veriut, i cili zgjati tre muaj. Ishim së pari në Shtetet e Bashkuara. Kishim zëra të fortë, prandaj i rezistuam një ngarkese të tillë. Pothuajse çdo ditë jepnim koncerte në qytete të ndryshme dhe vazhdimisht udhëtonim në distanca të gjata, por nuk kishte lodhje. Pas Shteteve të Bashkuara, u drejtuam për në Kanada. "

Si jeton sot këngëtarja e madhe?

"Tani jam plotësisht e lirë, por po qëndroj në shtëpi. A mund të përfytyroni - Verka Siderova në një vend. Unë, që gjithmonë garoja me kohën dhe gjithmonë nxitoja ... Por jeta të mëson gjithçka. Gjithmonë jam e angazhuar me diçka. Në një shtëpi ka shumë punë. Më parë gjithmonë nuk kisha kohë të mjaftueshme. Por tani gatuaj me kënaqësi të madhe. Jam e lumtur për njerëzit që më vizitojnë. Jam e lumtur që ajo që kam bërë shpërblehet. Kam marrë çmimet më të mëdha. Jeta ime kaloi si një këngë. Por unë po vazhdoj të këndoj edhe sot dhe ndoshta do të vazhdoj deri në frymën time të fundit.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: arkiv


Më shumë nga rubrika

Pllaja Devetashko kthehet në një qendër të xhazit

Që nga viti 2015 e këtej livadhi midis fshatrave Gorsko Slivovo dhe Kërpaçevo në rajonin e qytetit Loveç strehon adhuruesit e xhazit. Festivali “Jazz nën yjet e Pllajës Devetashko” sivjet fillon më 19 qershor në shpellën “Garvanica” pranë fshatit..

botuar më 21-06-18 7.15.PD

Emill Karamanov – kujtim për një dirigjent simpatik dhe joshës

“Emill Karamanov është një dirigjent, i cili gërsheton dhe kombinon temperamentin pasionues me tekste të sinqerta e të përzemërta dhe me një ndjenjë të hollë për masë artistike...Si një artist i vërtetë krijues, ai drejton me një dorë të shkathtë..

botuar më 21-06-16 7.15.PD

Milen Ivanov: Që të kesh të ardhme, duhet të respektosh të kaluarën....por dhe të vazhdosh përpara

“Për ne më e rëndësishmja është që të ruajmë stilin e lashtë vokal bullgar, i cili është tepër unik”-kështu Milen Ivanov, dirigjent i “Zërave të traditës” përcakton konceptin e formacionit të ri, të krijuar bashkë me fondacionin me të njëjtin..

botuar më 21-06-15 7.15.PD