Vitet e fundit gjithnjë e më shpesh e lidhim emrin e Biljana Çokoeva-Angellovës me videot origjinale të xhiruara për këngët e saj të bukura. Interpretuesit që i prezantojnë janë ndër këngëtarët më të njohur dhe më të dashur - Margarita Hranova, Mariana Popova, Miro... si dhe disa nga aktorët më të mirë në vend. - Kojna Ruseva, Stefka Janorova e të tjerë, të cilët tregojnë histori njerëzore, rikrijojnë gjendje dhe emocione.
Biljana punon si producente në Radion Kombëtare Bullgare. Ajo u diplomua në Shkollën e Muzikës në Ruse dhe pas kësaj në Akademinë Kombëtare të Muzikës – në profilin pedagogjik dhe teorik. Ajo gjithashtu ka një diplomë në piano dhe teori muzikore nga Kolegji Mbretëror i Muzikës në Londër. Biljana Angellova shkruan poezi dhe kompozon që nga fëmijëria, por kurrë nuk e ka imagjinuar se ky do të bëhej një profesion kaq magjepsës. Sidomos pasi ajo mbetet e ndarë me muzikën për një kohë të gjatë. Biljana humbet prindërit e saj herët, pastaj zhytet në kujdesin për dy fëmijët e saj dhe të gjitha llojet e problemeve të jetës. Për të kapërcyer krizën, ajo kërkon ndihmën e një psikologu, i cili e këshillon të provojë të kompozojë këngë për fëmijët e saj. Gradualisht, kjo e magjeps atë dhe i hap një botë krejtësisht të re.
“Emocioni im më i madh ishte lidhur me interpretimin e këngës sime të parë. Në atë kohë mendoja se jeta ime varej nga gjetja e këngëtares së duhur e cila ta rikrijojë këngën, ashtu siç e kisha imagjinuar dhe këtë e realizoi me sukses këngëtarja Hristina Zhivkova.”
Në fillim Biljana nuk ka shumë kontakte në këto rrethe, por gradualisht takon njerëz që e mbështesnin. Mes tyre është edhe Emill Bojaxhiev, i cili aranzhon këngët e saj dhe e mbështet në çdo mënyrë. “Margarita Hranova pranoi të interpretojë dy nga këngët e mia, dolën edhe më të mira nga ç’i kisha ëndërruar” – kujton Biljana, e cila vazhdon të krijojë muzikë edhe për fëmijë:
“Këngët për fëmijë më japin një energji jetësore, mundësinë për të qenë ajo pjesë e vetes që ka mbajtur të mirën, besimin, pastërtinë. Më pëlqejnë edhe kontaktet me fëmijët, vetë realizimi i këngëve. Jam shumë e lumtur që ka një format të tillë si “Melodia e Vitit” për fëmijë. Ky është një nga frymëzimet e mia kryesore prej disa vitesh. Aktiviteti tërheq në edicionet e tij vjetore mbi 130 fëmijë, pjesëmarrës në formacione të ndryshme. Është gjithmonë plot pastërti, gëzim, frymëzim.”
Biljana u takua me producentin Igor Markovski në vitin 2018. Ky takim çoi në një bashkëpunim të mrekullueshëm krijues. Projekti i tyre i parë i përbashkët është "Lart" - një këngë e realizuar nga Miro dhe Kojna Ruseva, ndërsa videoklipi i xhiruar nën drejtimin e Vasill Stefanovit dhe Stefi Nikollovës (me të cilët punon edhe sot e kësaj dite) është vërtet mbresëlënës. Biljana shpesh ndan poezitë e saj në rrjetet sociale. Vargjet e saj janë të pazakonta, të buta dhe prekëse. Ajo ndan edhe muzikën e saj, por në përgjithësi Biljana nuk është shumë e mirë në promovimin e punës së saj. “Nuk jam shumë e mirë në organizim, prandaj gjithçka ia kam lënë Igor Markovskit, i cili ka talent edhe në këtë drejtim.”, thotë ajo dhe vijon:
“Potenciali i Igorit për të ringjallur muzikën dhe vizionin e vlefshëm është shumë i madh. Jam mirënjohëse që jemi ndarë nga masa e përgjithshme muzikore e cila shpeshherë është me kritere më të ulëta. Mendoj se kjo është një mënyrë për të ndikuar në këto kohë të errëta - në një nivel më të thellë, më të ndritshëm dhe më të virtytshëm, që të mendojmë për misionin tonë në jetë. Është e rëndësishme të takosh gjëra të bukura që të të provokojnë dhe frymëzojnë për të krijuar diçka të vlefshme në këtë botë. Kjo është arsyeja se pse unë nuk interesohem për atë që marr - shpërblimet, reagimet... Desha t'ia shpreh mirënjohjen time Zotit në një mënyrë të bukur për atë që Ai më ka dhënë - gjëja më domethënëse për mua."
Për sa i përket lidhjes me muzikën klasike - dashuria e parë e Biljanës, do ta dëgjojmë në veprat e ekzekutuara nga duart e Svetlin Rusevit me violinën Stradivarius (nga viti 1710), si dhe nga gishtat e një muzikanti tjetër bullgar me famë botërore – pianisti Ljudmill Angellov.
Biljana është e lumtur që të dy fëmijët e saj gjithashtu merren me muzikë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Ani Petrova, Facebook /Biljana Angellova
Duke i qëndruar besnike stilit të saj të butë dhe elegant, këngëtarja Bellosllava arrin gjithmonë të na befasojë. “Të pëlqej” titullohet kënga e saj më e re, këtë herë me reperin Bobo. Teksti është i saj, ndërsa muzika dhe aranzhimi janë të pianistit Zhivko..
Pasi vite më parë këngëtarja Desi Dobreva prezantoi versionin e saj të këngës së njohur të Maria Nejkovës , tani ajo na ofron një interpretim edhe më të ri dhe më modern të këngës “Të dy” - një remix i krijuar nga Fabrizio Parisi. Në të, DJ i famshëm..
Kori i Fëmijëve i Radios Kombëtare Bullgare (BNR) hap Festivalin Muzikor kushtuar Vitit të Ri në Pallatin Kombëtar të Kulturës. Në koncertin "Nata e Shenjtë", këngëtarët e rinj do të prezantojnë këngë të dashura nga e gjithë bota për të na ngrohur..
Në ditën e fundit të dhjetorit, po e dërgojmë vitin me një buzëqeshje, dhe kjo është buzëqeshja më e pastër - e një fëmije. “Dhuro një buzëqeshje” është..