Në vazhdim të tre dekadave popullsia e Bullgarisë është zvogëluar me 1.5 milion. Jetëgjatësia në vendin tonë është mesatarisht 71.4 vjet krahasuar me 80 vjet në vendet evropiane. Në praktikë, një fshat bullgar zhduket çdo muaj. Nëse trendi demografik nuk ndryshon, së shpejti këtu do të jetojnë një numër i madh pensionistësh dhe një pakicë punëtorësh. Dhe sipas parashikimeve afatgjata, në vitin 2050 në vendin tonë do të banojnë vetëm 5,6 milionë bullgarë, me një popullsi prej 6,5 milionë banorësh për momentin, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave.
Niveli i ulët i lindjeve, plakja, kujdesi i dobët shëndetësor dhe emigracioni janë ndër shkaqet kryesore të thellimit të krizës demografike.
"Fakti që jemi të varfër ka një rëndësi të madhe," tha Nastimir Ananiev, kryetar i komisionit parlamentar për politikën rajonale. – Aktualisht ka mbi 2 milionë bullgarë ekonomikisht aktivë që janë jashtë vendit, ndërsa në vendin tonë ka 2,7 milionë në moshë pune dhe 2 milionë pensionistë. Ajo për të cilën duhet të punojmë është që ta bëjmë vendin tonë tërheqës për bullgarët jashtë vendit dhe që ata të kthehen. Të gjithë duan të jetojnë normalisht, të ndihen evropianë - por 15 vjet pasi u bashkuam me BE-në, nëse i pyesni njerëzit në rrugë, shumica vështirë se do t'ju thonë se janë evropianë."
Edhe pse është në listën e prioriteteve, marrja e masave për zgjidhjen e problemit demografik nuk është ende në agjendën e koalicionit qeverisës, tha deputeti.
“Për t'u fokusuar mbi këtë, nuk duhet të ketë zhurmë të jashtme. Për momentin kemi luftë, inflacion, krizë energjetike - vazhdon Nastimir Ananiev. - Është e rëndësishme të zhvillohet një strategji kombëtare me hapa konkretë për vizionin e Bullgarisë në 20 vitet e ardhshme, e cila do të mbështetet nga të gjitha forcat parlamentare. Mirëpo, nëse dikush fillon t’i ndjekë këta hapa dhe pas disa vitesh qeveria e ardhshme bën diçka tjetër - ne e kemi parë këtë për 30 vjet, strategjia thjesht nuk do të funksionojë.”
Deputeti nga partia “Vëzrazhdane” Angell Georgiev e ka prejardhjen e tij në rajonin më të varfër në Evropë - Bullgaria Veriperëndimore, dhe e kujton qytetin Vidin shumë më të populluar në vitet e fëmijërisë. Ai thotë se partia e tij ka një program për ta përballuar katastrofën demografike.
"Ne duam ta bëjmë të njëjtën gjë, duke ndjekur shembullin e Greqisë, e cila ktheu më shumë se 1 milion njerëz në vitet 1990 përmes një pakete masash ekonomike," sugjeroi Angell Georgiev. - Do të kemi nevojë për ndihmë të gjerë nga BE-ja për të pasur këtë paketë që do të ngrejë ekonominë në këmbë dhe emigrantët bullgarë do të kthehen. Sipas programit tonë, të gjithë bullgarët që kthehen në vend nuk do të paguajnë taksa në 5 vitet e para dhe nëse do të zhvillojnë një biznes, afati do të rritet në 10 vjet. Bullgaria Veriperëndimore është një shembull klasik i asaj që na pret nëse po vazhdojmë për të bërë asgjë. Për të përballuar krizën demografike, përveç burimeve financiare, duhet edhe vullnet dhe kapacitet menaxherial, por deri më tani asnjë qeveri nuk i ka demonstruar.”
Partia më e vogël parlamentare, “Vëzrazhdane”, po propozon gjithashtu një koncept për pranimin e bullgarëve etnikë jashtë vendit përmes një procedure të thjeshtuar për marrjen e shtetësisë bullgare. Një masë tjetër parashikon zhvillimin e zonave ekonomike në rajonet e prapambetura për të krijuar më shumë vende pune në qytetet më të vogla.
Anketa demografike e Akademisë Bullgare të Shkencave - “Disbalancat demografike rajonale në Bullgari”, parashikon shpopullimin e vendit tonë në 20 vitet e ardhshme.
“Problemi lidhur me proceset demografike është se nëse në momentin e tanishëm gjërat po ndodhin me një intensitet, në vitet e ardhshme për shkak të problemeve të tensionuara që lidhen me një popullsi shumë të plakur, këto procese po bëhen gjithnjë e më të forta – thotë një nga autorët e studimit Prof. Nadezhda Ilieva. “Parashikimi ynë lidhet me një shkallë më të shpejtë të përkeqësimit të situatës demografike.”
Megjithatë, shkencëtarja beson se kolapsi është i kthyeshëm, pasi historia botërore ka parë kriza demografike shumë më të rënda sesa në Bullgari.
Përpiloi: Diana Cankova /në bazë të intervistave të Georgi Zhikovit nga BNR-Vidin/
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Ani PetrovaBullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..
Nga raporti i Këshillit të Ministrave për zbatimin е "Strategjisë Kombëtare të Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë në Republikën e Bullgarisë" në vitin 2023 del qartë se për herë të parë në 38 vjet në Bullgari raporti ndërmjet rritjes..
Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..