Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shkupi me 5 kushte para BE-së për të pranuar propozimin francez për negociatat


Maqedonia e Veriut hodhi poshtë propozimin e Presidencës franceze për heqjen e vetos dhe fillimin e negociatave me Shkupin për anëtarësim në BE. Pas Samitit Ballkani Perëndimor – BE në Bruksel Kryeministri Dimitër Kovaçevski tha, se propozimi është i papranueshëm në variantin e propozuar dhe shtroi 5 kushte para BE-së, transmetoi MIA. Ai kërkoi një formulim të qartë të gjuhës maqedonase në kornizën negociuese, një mbrojtje të qartë të identitetit maqedonas, çështjet historike të mos jenë kritere në negociatat, dhe se bisedimet midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së të fillojnë përpara se bullgarët, kroatët dhe malazezët të përfshihen në preambulën e Kushtetutës maqedonase. Kushti i pestë ishte që Sofja të mos shtrojë kërkesa të reja ndaj Shkupit jashtë atyre të përfshira në kornizën negociuese dhe protokollin dypalësh mbi të cilin akoma zhvillohen bisedime.

Greqia propozon që deri në vitin 2033 Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së


Viti 2033 të caktohet si data e fundit për përfundimin e procesit të aderimit të Ballkanit Perëndimor në BE, propozoi Kryeministri Grek Kiriakos Micotakis gjatë takimit të liderëve të BE-së në Bruksel, transmetoi Euronews. Ai theksoi, se Athina  është në anën e Ballkanit Perëndimor dhe e kupton mosbesimin e vendeve sepse avancimi i realizuar është praktikisht minimal. “Ky është një rast i mirë të rifillojmë këtë proces me një intensitet edhe më të madh. Një parakusht i domosdoshëm që kjo të ndodhë , është të zgjidhet përfundimisht  mosmarrëveshja midis Sofjes dhe Shkupit,  në mënyrë që të fillojnë zyrtarisht negociatat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësimin e tyre”, tha Micotakis.

Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e marrëveshjeve të vjetra


Beogradi dhe Prishtina miratuan në Bruksel një dokument për realizimin e marrëveshjeve energjetike të nënshkruara që në vitin 2013. I dërguari special i BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës Miroslav Lajčák shkroi në Twitter, se u bë “një hap i madh përpara”. Sipas negociatorit serb Petër Petkoviç në raundin e fundit të bisedimeve përfaqësuesi kosovar Besnik Bislimi deklaroi, se është gati për të diskutuar funksionimin e Lidhjes së Komunave Serbe në Kosovë. Banorët e katër bashkive në veri të lumit Ibër, shumica prej të cilëve janë serbë, nuk i paguajnë fatura për korrent për më shumë se 20 vjet. Sipas operatorit kosovar të sistemit energjetik, i cili është pronë e një kompanie turke, humbjet vetëm në vitin 2021 nga mospagimi i faturave është 40 milion euro. Kosova importon më se 40 për qind të energjisë së domosdoshme elektrike të vendit, transmeton BTA.

Rumania vendosi një festë të këmishës kombëtare


Parlamenti i Rumanisë miratoi që 24 qershori të kremtohet si Dita e Këmishës Kombëtare (La Blouse Roumaine). Ministri i Kulturës Luçian Romashkanu tha, se pret që në Sesionin e 17-të të UNESCO-s në nëntor, me kërkesë të Rumanisë dhe Moldavisë, këmisha me qëndisje kombëtare të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Botërore, bëri të ditur Agerpres. “Këmisha rumune, një element i identitetit të kulturës sonë, i kaloi kufijtë e vendit, falë bukurisë së saj dhe zgjuarsisë së stilistëve të famshëm. Ajo arriti deri në podiumet e mëdha dhe vlerësohet në të gjithë botën. Ajo mbahej nga paraardhësit tanë, prindërit dhe sot edhe nga të rinjtë, duke siguruar kështu vazhdimësinë e traditave dhe zakoneve rumune”, tha Romashkanu dhe bëri thirrje për promovimin dhe mbrojtjen e markës – “La Blouse Roumaine”.

Për shkak të problemeve në punë, kroatët përdorën 22.1 milionë ditë leje sëmundje


Në vitin 2021, kroatët përdorën më shumë se 20 milionë ditë sëmundje, njoftoi Instituti Kroat për Sigurimet Shëndetësore (HZZO). Mesatarisht, 33 000 njerëz ishin me leje sëmundjeje çdo ditë, sipas portalit kroat Index.hr. Më së shumti u sëmurën banorët e qytetit Rieka, ku vitin e kaluar çdo punonjës ishte në leje për sëmundje mesatarisht 14 ditë. Pësojnë të punësuarit në Zagreb, Gospiç dhe Çakovec. Instituti ka paguar mbi 3 miliardë kuna ose 400 milionë euro për lejet e sëmundjes. Sipas mjekëve kroatë të intervistuar nga Index.hr, një pjesë e konsiderueshme e lejeve për sëmundje u morën për shkak të problemeve në vendet e punës si pakënaqësia, zhgënjimi, mbitensioni, puna e tepërt, lodhja ose konfliktet në punë.

Përpilues: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: ЕPА/BGNES, mia.mk, Twitter/@MiroslavLajcak, romania-insider.com, index.hr


Më shumë nga rubrika

Presidenti Radev

Presidenti Rumen Radev: Së shpejti do të bëhet e qartë nëse Maqedonia e Veriut do të ndjekë rrugën drejt Evropës

Në Ditën e Evropës , le të urojmë për një Bashkim Evropian që vazhdon të ndërtojë unitetin e tij mbi parimet e demokracisë dhe paqes. Kështu tha presidenti Rumen Radev pas vendosjes së luleve para monumentit të Luftëtarit të Panjohur me rastin e..

botuar më 24-05-09 11.31.PD
Alfa Research

Parlamenti i ri duhet të transmetojë një qeveri koalicioni me të paktën 3 parti

Gatishmërinë për të votuar më 9 qershor kanë deklaruar 40% e të anketuarve në një anketë përfaqësuese kombëtare nga agjencia “Alfa Research”. 35 për qind do të votojnë për Parlamentin Evropian, sepse shumë komunitete bullgare në vendet jashtë..

botuar më 24-05-08 10.06.PD

Ambasadori bullgar nuk do të jetë i pranishëm në betimin e Vladimir Putinit

Për arsye shëndetësore, ambasadori bullgar në Rusi Atanas Krëstin nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Vladimir Putin për mandatin e pestë presidencial, bëri të ditur një burim diplomatik për BNR. Më herët, shefi i politikës së jashtme..

botuar më 24-05-07 12.24.MD