Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Qendra e Gjelbër Shablla zbulon sekrete nga e kaluara jonë parahistorike

13
Foto: Darina Grigorova

Aty ku rrezet e para të diellit prekin tokën bullgare është një nga të paktat brigje të bregdetit bullgar të Detit të Zi që ka ruajtur bukurinë e tij natyrore. Një vend tërheqës për kampistët dhe adhuruesit e aventurave jo standarde, qyteti i Shabllës ofron mundësi për zhytje dhe peshkim, si dhe për ngjitje shkëmbi dhe çiklizëm në natyrë. Larg kotësisë së vendpushimeve të zhurmshme buzë detit dhe hoteleve luksoze, ndjenja e përjetësisë i kthen shqisat në një udhëtim unik pas në kohë, kur aty ka lindur qytetërimi evropian. Udhëtimi fillon në një nga ndërtesat më të vjetra në qytetin e Shabllës, e njohur gjithashtu si Shkolla e Vjetër, e cila tani strehon Qendrën e Gjelbër të Vizitorëve. Ndërtesa e saj, një monument arkitekturor me rëndësi kulturore dhe historike vendase, është rinovuar tërësisht dhe është përshtatur si për aktivitete edukative ashtu edhe për ngjarje kulturore të një natyre tjetër.

Daniella Todorova

“Banorët vendas kanë një ndjenjë të veçantë ndaj ndërtesës, jo vetëm për shkak të bukurisë së saj” - vëren Daniella Todorova, drejtuese e Qendrës së Gjelbër. – Deri në fund të viteve 80 godina ka funksionuar si shkollë dhe pothuajse nuk ka nxënës i cili të mos ketë kaluar nëpër këtë godinë. Na vjen mirë që kjo qendër mundi të trashëgojë traditat arsimore për t'i vazhduar ato përmes aktiviteteve që promovojnë kulturën dhe natyrën në breg të Dobruxhës”.

Në sallën e internetit të qendrës vizitorët mund të kontaktojnë me banorët e liqeneve të Shabllës, falë sistemit të monitorimit online.

Qendra ofron informacione për të gjitha vendet turistike në zonë dhe organizohen eko-shkolla për fëmijët. Në një pjesë të sallave ka koleksione të mrekullueshme muzeore të ofruara nga Muzeu Historik Rajonal në qytetin Dobriç. Ata paraqesin gjetje nga Ishulli i Madh i liqenit Durankullak, ku ndodhet kompleksi arkeologjik emblematik i rajonit të Dobruxhës dhe Danubit të Poshtëm - një grumbull vendbanimi nga epoka e gurit dhe e bakrit. “Ky është një objekt me rëndësi globale”, vëren Daniella Todorova dhe shton:

“Këtu ka lindur një kulturë 7000 vjet më parë, mijëvjeçari VI – V para erës sonë. Ne tregojmë artefakte origjinale nga kjo epokë dhe në këtë ishull të madh mund të shihni arkitekturën e parë prej guri për Evropën kontinentale. Diçka që është vërtet e jashtëzakonshme - kjo është një kulturë që u ngrit para Egjiptit të lashtë dhe Mesopotamisë. Kultura quhet Hamanxhia dhe siguron substratin fillestar për kulturën e Varnës. Të dy kulturat janë të lidhura gjenetikisht. Ajo e Varnës e plotëson atë në Hamanxhia”.

Sipas fjalëve të Daniella Todorovës, kjo është kultura e parë që ka filluar të përpunojë arin në shkallë globale. Objektet qeramike të prodhuara nga njerëzit gjatë kësaj epoke dallohen për një estetikë të jashtëzakonshme. “Është e rëndësishme të dihet se Evropa fillon nga këtu dhe ky informacion duhet të përfshihet në tekstet e historisë”, vëren bashkëbiseduesja jonë me shpresën se vendi do të popullarizohet falë projekteve të zhvilluara nga komuna e Shabllës:

“Ne po bëjmë çmos për të treguar këtë verilindje të panjohur. Shablla është gjithashtu e bukur me formacionet e saj shkëmbore pranë Tjulenovos - diçka shumë karakteristike për zonën dhe në të njëjtën kohë atipike për vendet e tjera bregdetare. Fari më i vjetër është gjithashtu në territorin tonë. Shablla derdhet në Kavarna, pastaj në Ballçik, dhe kur dikush vjen këtu nuk mund të mos i vizitojë këto komuna. Në të vërtetë, rajoni është i pasur, i bukur, i panjohur. Si drejtuese e Qendrës së Gjelbër në Shablla, mirëpres gjithmonë grupe turistike që largohen të magjepsur dhe të pasuruar me njohuri të reja.”

Në ditët e nxehta të verës, hapësira e parkut rreth qendrës është si një oazë e vogël ku vizitorët mund të fshihen nga rrezet e diellit përvëlues nën hijet e trasha të pemëve të lashta. Në tre kopshtet shkëmbore prezantohet flora e stepës lokale dhe në dy liqenet dallohet bimësia ujore karakteristike e liqeneve të Shabllës.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Darina Grigorova




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në Bansko, pistat e skive hapen akoma në Ditën e Shën Nikollës

Sezoni i dimrit në Bansko fillon më herët këtë vit . Zona e skive hapet akoma më 6 dhjetor 2024. Të gjitha pistat do të funksionojnë përveç Çalin Vallog dhe rrugës së skive për në Bansko. Pistat jane te rregulluara dhe ne gjendje shume te mire. Deri më 19..

botuar më 24-12-06 9.42.PD

Pistat në pushimoret malore Borovec, Bansko dhe Pamporovo janë të mbuluara me borë para sezonit të ri

Shpatet malore në tre resortet kryesore dimërore të Bullgarisë - Borovec, Bansko dhe Pamporovo, janë të mbuluara mirë me borë para fillimit zyrtar të sezonit, njofton BGNES. Sezoni 2024/2025 do të hapet në Borovec më 15 dhjetor. Në..

botuar më 24-12-03 12.53.MD

Liqenet Çairski janë si një “superhero” për natyrën

Liqenet Çairski janë një zonë e mbrojtur në Rodopet Perëndimore, e njohur për liqenet e formuar në mënyrë natyrale nga rrëshqitja e dheut. Ata janë të mbuluar me një qilim të trashë torfe. Përreth syri kënaqet në livadhe me bimë të llojllojshme..

botuar më 24-12-03 7.20.PD