Pasuria e një njeriu fshihet në gjërat e vogla – fjalët, kujtimet, shija e reçelit të gjyshes. Pasuria e një populli është lidhja midis brezave, kujtesa dhe respekti në rrugën drejt një bote më të mirë, me të cilën të krenohemi. Kështu e përcakton filozofinë e tij jetike doktori i së drejtës evropiane dhe të transportit Dr. Erik Evtimov. Bashkatdhetari ynë më shumë se 20 vjet krijon një urë lidhëse midis Bullgarisë dhe Zvicrës duke kërkuar dhe duke mbrojtur rrënjët bullgare.
“Njeriu i cili jeton në vende të ndryshme ka një pikëpamje të ndarë për gjërat, gjë që në shumë raste është pozitive sepse jep forcën dhe mundësinë për të krahasuar dhe për të kërkuar gjërat reale dhe të rëndësishme në jetë”, është i bindur profesori në Universitetin e Bernit.
I gjithë viti 2022 në Bullgari i kushtohet 140 vjetorit të lindjes së një prej piktorëve më të mëdhenj vendas - Vlladimir Dimitrov-Mjeshtri (1.02.1882 - 29.09.1960). Dr. Evtimov është trashëgimtar i pronarëve të shtëpisë, në të cilën jetonte Mjeshtri në fshatin Razhdavica, rajoni i qytetit Kjustendill dhe është ambasador digjital i krijimtarisë së tij në një projekt ndërkombëtar kushtuar përvjetorit.
Kujtesa dhe historia familjare është baza e të dy librave të tij me titujt bullgarisht “Egrekët” dhe “Shaka Oresi”, kushtuar dialekteve në fshatrat përreth malit Vitosha dhe kuzhinës tradicionale bullgare. Dhe në prag të 1 Nëntorit, Ditës së Iluministëve të Popullit, sikur Erik Evtimov është personifikimi modern i atyre njerëzve të rëndësishëm për shoqërinë tonë që ndizeshin shkëndijën e dijes, krenarisë dhe besimit në mirësi. Ai vetë është i mendimit se secili prej nesh mund të jetë iluminist i kohës së vet.
“Iluminizmi është në secilin prej nesh, sepse secili mund të mbledhë gjërat e vogla dhe t’i transmetojë ato për të mirën e shoqërisë së madhe për të ecur përpara. E imja është gjithçka bullgare.”
Kështu me ndihmën e së ëmës së tij, Dr. Evtimov mblodhi në një fjalor 2000 fjalë dhe shprehje dialektike nga shpati jugor i malit Vitosha. Ai ua kushtoi paraardhësve tanë dhe për nderë të fëmijëve dhe nipërve tanë. Titulli i librit është “Egrekët” (“egrek” bullgarisht do të thotë një vathë verore për bagëtinë). Në të ai na paraqet fjalë e shprehje, që janë pjesë e përditshmërisë së bullgarëve të vjetër nga fshatrat në të dy brigjet e lumit Struma, deri në qytetin e shtrirë në ultësirë Pernik.
“Libri lindi përderisa udhëtova në Evropë, kur kuptova, se përveç gjuhëve zyrtare ka edhe dialekte, të cilët janë të lidhur ngushtë me situata dhe njerëz të caktuar. Dialekti është një mesazh i fortë. Po e them këtë si një njeri i cili zotëron shtatë gjuhë. Kjo është ajo që më bëri të mbledh fjalët që janë nga pulsimi i gjakut”, shpjegon ai. Dhe jep si shembull kantoni Bern, ku çdo ditë flitet në dialekt dhe fjalori i këtij dialekti përfshin 650 fjalë. “Ky është një pasurim i komunikimit dhe vazhdon lidhjen me të kaluarën” – mendon bullgari.
Gjatë kësaj vere doli edhe libri i dytë nga vargu. Titulli i tij “Shaka oresi” – Egrekët 2, në përkthim do të thotë “Një grusht arra”. Libri i kushtohet nënës së tij dhe matriarkatit familjar në traditën kulturore bullgare. Në të specialisti i së drejtës përqendrohet mbi kuzhinën dhe përfshin receta gatimi të cilat i mbajnë shijen e së shkuarës.
“Prapë bëhet fjalë për fisin bullgar”, shpjegon Erik Evrimov. Dhe pranon, se gjëja e parë me të cilën ai lidh kujtimet për gjyshen e tij Ljuba janë aromat e gjellëve të saj, të cilat ajo i përgatiti shumë shpejtë dhe me pak produkte të mbledhura nga kopshti.
“Kuzhina tradicionale bullgare në krahasim me kuzhinat e tjera të botës, dallohet me mënyrën e shpejtë dhe shumë natyrale të gatimit. Me produkte të freskëta për ditën dhe një shije që mbetet shumë e veçantë për shkak të përbërësve. Me rikrijimin e tyre në një libër, fitohet një përfytyrim mitik i gatimit, si një mirënjohje që familja u mblodh së bashku”, thekson Dr. Evtimov. Dhe shton se “nëna, amvisa dhe kujdestarja e shtëpisë, flet nëpër gjellët e saj”.
Dhe krahas recetave për qofte të skuqura “Miane” në stilin fshatar, supë me top, viçi – qebap, jahni me qepë, çorba qumështi, ai përshkroi edhe më të rëndësishmen për të – atë për reçelin e qershive të bardha të quajtura “bellovici”.
“Për mua ky është edhe simboli i krahinës së qytetit Kjustendill që nga fëmijëria. Kur familja mblidhej në shtëpinë e gjyshes Ljuba, shërbehej reçeli i qershive të bardha në pjata të vogla të lyer sipër me ujë të ftohtë. Për mua, kujtimi më i shtrenjtë është pirja e ujit të ftohtë pasi hahet reçeli.”
Kështu kujtimi i një fëmijërie të lumtur në Bullgari rezulton të jetë një pjatë me reçel qershie të bardhë për doktorin Erik Evtimov.
Intervistë Maria Mira Hristova, BNR-Hristo Botev
Tekst: Vesela Krasteva
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BNR, arkiv
"Ti thua se je bullgar, por nuk e di gjuhën bullgare" - më shumë se një ose dy nga bashkatdhetarët tanë nga komunitetet historike bullgare në mbarë botën janë përballur me këtë qortim të zyrtarëve në Bullgari. Mes tyre është edhe Bledar Alterziu nga..
Nuredin Nuredinaj është me origjinë nga rajoni historiko-gjeografik i Gorës në Shqipërinë Verilindore, ku 90% e banorëve vetëidentifikohen si bullgarë (Census 2023). Tirana njoftoi të dhëna zyrtare të përditësuara për bullgarët në Shqipëri..
De Là Trâp - ky emër melodioz tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të kulturës hip-hop në vendin tonë edhe këtë vit. Në vetëm dy muaj projekti i përbashkët “333” me reperin hit 100 Kila mblodhi afro 1 milion shikime në një prej rrjeteve të shpërndarjes së..