Sivjet mbushen 300 vjet nga lindja e njërit prej iluministëve të parë të popullit – letrarit Paisij Hilendarski. Ndërsa vitet që kur nën penën e tij u shfaq një nga veprat më të rëndësishme të Mesjetës Bullgare – “Historia sllavo-bullgare” janë 260.
Në librin e tij të vogël, por jashtëzakonisht domethënës për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare te bullgarët pas shekujve të sundimit të huaj, murgu bën një apel: “E dashurova shumë farefisin dhe atdheun bullgar dhe punova shumë për të mbledhur nga libra dhe tregime të ndryshme, ndërsa mblodha dhe bashkova historinë e farefisit bullgar në këtë libër për përfitimin dhe lavdërimin tuaj. E shkrova për ju, që e doni farefisin tuaj dhe atdheun bullgar dhe dëshironi të dini për fisin dhe gjuhën tuaj. Kopjoni këtë histori dhe paguani, le ta kopjojnë për ju ata që dinë të shkruajnë dhe mbajeni që të mos zhduket!.”
Pak më shumë se dy shekuj më vonë, janë 70 kopjet e Historisë së Paisijit që arritën tek ne dhe njëra prej tyre është vepra e nxënësve bullgarë të Shkollës “Hristo Botev” në Nju Jork.
“Për rreth 3 javë, me ndihmën e çdo familjeje, fëmijët e të cilëve mësojnë në shkollën bullgare, arritëm të kopjojmë të gjithë “Historinë sllavo-bullgare” - tha për Radio Bullgarinë mësuesja e gjuhës dhe letërsisë bullgare dhe drejtuese e shkollës Dima Markova. - Çdo familje, fëmija i së cilës mund të shkruante, kopjonte me dorë, dhe disa prej tyre shtuan ilustrime në kopje. Çdo kapitull i Historisë ka një pikturë ose ilustrim përkatës të vizatuar nga një fëmijë, të cilat janë jashtëzakonisht të bukura.”
Projekti shkollor në lidhje me “Historinë sllavo-bullgare” përbëhet nga tri pjesë – shton mësuesja:
“Pjesa e parë ka të bëjë me kopjimin me dorë nga çdo person i shkollës. Pjesa tjetër është përgatitja e vetë librit dhe faza e tretë është përgatitja e një prezantimi të shkurtër të jetës së Paisijit dhe personit të parë që kopjoi historinë – Sofronij Vraçanski.”
Një nga fëmijët në Amerikë që mori pjesë në kopjimin e Historisë së Paisijit është nxënësi i lindur në Sofje Konstantin Todorov. Ai u nis përtej Oqeanit me prindërit e tij 6 vjet më parë kur ishte 10 vjeç. Ai e di bullgarishten, por pranon se duke ndjekur shkollën e së dielës, arrin ta mbajë atë dhe të njihet me kulturën dhe traditat e vendit tonë:
“Kopjova një pjesë të Historisë, në të cilën Paisiji tregon se sa e fortë ishte Bullgaria dhe sado herë të na sulmonin trupat bizantine, në të shumtën e rasteve arritëm t’i mposhtim. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne, brezi i ardhshëm, të dimë se nga vijmë, të njohim historinë tonë dhe të jemi krenarë për të. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse jetojmë jashtë Bullgarisë dhe duhet të mbajmë gjallë shpirtin bullgar.”
Ai gjithashtu tha për Radio Bullgarinë se shokët e tij të klasës në shkollën amerikane janë të befasuar nga dëshira e tij për të ndjekur shkollën edhe të dielave:
“Është shumë interesante për ta pse do të doja ta përdorja të dielën për diçka të tillë në vend që të pushoja apo të bëja diçka për kënaqësi. Megjithatë, jam shumë i lumtur që jam pjesë e shkollës, sepse aty kam mundësinë të ndihem sikur jam në Bullgari. Së bashku me miqtë e mi atje kërcej edhe valle popullore, por këtë nuk e shoh si detyrë, por si argëtim.”
Edhe pse Konstantini e viziton vendin tonë gjatë pushimeve, të paktën për momentin nuk mendon për rikthimin dhe realizimin e tij në Bullgari. Mirëpo, sipas Dima Markovës, ka edhe nxënës të shkollës të së dielës që u kthyen në vendin tonë, kështu që ka gjithmonë një mundësi të tillë. Në fund, ajo shprehu mirënjohjen e saj për Radio Bullgarinë dhe programet e tjera të BNR-së, përmes të cilave tema e bullgarëve jashtë vendit arrin një gamë të gjerë dëgjuesish:
“Ne gjithmonë jemi mbështetur tek ju si një media që dëgjohet në mënyrë që zëri ynë të arrijë të gjithë njerëzit që dëgjojnë Radion Kombëtare Bullgare.”
Intervistë: Krasimir Martinov
Teksti: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Shkolla “Hristo Botev” në Nju Jork, arkiv personal, arkiv, BGNES
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Në bordin e anijes kërkimore “Shën Kirill dhe Metodij” ndodhen për herë të parë..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..