Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Qendra kulturore bullgare në Odesa nuk i mbyll dyert as në kushtet e luftës

“Lufta është shumë e vështirë, e frikshme. Nuk të shkon nëpër mend që një gjë e tillë mund të ndodhte, por ndodhi. Rusia duhej të mendohej shumë herë përpara se ta fillonte atë. Të gjithë e dënojnë - bullgarë, moldavianë, grekë, hebrenj, rusë ukrainas. Këto janë humbje - njerëzore dhe ekonomike”, tha për Radio Bullgarinë Dmitrij Terzi, kryetar i Qendrës Ukrainase të Kulturës Bullgare në Odesa. Sulmet ruse në infrastrukturën kritike të Ukrainës po shkaktojnë ndërprerje të energjisë, ujit dhe ngrohjes në qytetin bregdetar të Detit të Zi. Pavarësisht kushteve të vështira, jeta e qendrës kulturore vazhdon, pasi bashkatdhetarët tanë këtu kanë nevojë për një vend ku të mblidhen, bisedojnë, mbështesin njëri-tjetrin.


Bullgarët e Odesës, sipas Terzit, janë rreth 50-60 mijë dhe praktikisht është komuniteti i katërt më i madh në qytetin shumëkombësh. Këtu ka disa qendra kulturore bullgare, por Qendra Ukrainase e Kulturës Bullgare është "më e mira", siç thotë kryetari i saj. Qendra mirëmbahet falë mbështetjes së patriotëve vendas bullgarë dhe jo falë shtetit bullgar, i cili fokusohet kryesisht në mbështetjen e shkollave të së dielës jashtë vendit:

“Qendra nuk ka mbështetje financiare as nga Bullgaria dhe as nga Kievi. Kjo është një organizatë publike që mbështetet drejtpërdrejt nga anëtarët e Shoqatës së Bullgarëve në Ukrainë me president Anton Kisse - bullgarë të cilët japin një kontribut të vogël monetar që na mundëson të ruajmë këtë atmosferë, veprimtarinë kulturore të bullgarëve”, - thekson Terzi.


Pavarësisht situatës së luftës, këtu organizohen vazhdimisht ekspozita dhe koncerte. Këtë vit qendra do ta thyejë traditën e festimit të Krishtlindjeve në stilin e vjetër, më 7 janar dhe do ta festojë, si në Bullgari, më 25 dhjetor. Për festën do të ftohen edhe priftërinj për t'i shpjeguar popullit pse dhe si u shfaqën dallimet në datat e festimit. Do të organizohet një ekspozitë tematike me vizatime fëmijësh dhe një koncert i muzikës klasike me elemente bullgare.


Ndërsa për sa i përket traditave të festimit të Krishtlindjes dhe gjërat që vihen në tryezë në Odesa, Dmitrij Terzi pranon sinqerisht:

“Ne nuk e kemi këtë traditë, siç është në Bullgari. Fshati ruan zakonet, traditat dhe gjuhën, pavarësisht se është dialektore. Qyteti është pak më ndryshe. Sepse në të ndodh asimilimi. Le të themi se 100 vitet e fundit, këtu nuk kemi pasur një ndikim të tillë bullgar për t'i stabilizuar këto gjëra, për t'i përforcuar në shpirt dhe në zemër”.


Tani Dmitrij Terzi ka planifikuar të organizojë të rinjtë vendas bullgarë, që të fillojnë mbledhjen e fotografive të bullgarëve që vdiqën gjatë luftës në Ukrainë - nga fëmijët deri te të moshuarit, duke përfshirë njerëz që vdiqën në front. Dhe pastaj të prezantohet një ekspozitë e madhe - në Ukrainë dhe në Bullgari, sepse, siç thekson ai:

Bullgaria duhet ta dijë se populli ynë po merr pjesë aktive në këtë betejë. Dhe me para, dhe me gjak, dhe me vuajtje dhe me dhimbje. Ne vërtet dëshirojmë që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha në fund të bisedës Dmitrij Terzi, kryetar i Qendrës Ukrainase të Kulturës Bullgare në Odesa.

Thonë se nëse lutemi me zemër, për Krishtlindje ndodhin mrekulli. Të gjithë njerëzit e arsyeshëm luten dhe shpresojnë për më shumë arsye dhe për të gjetur një rrugëdalje nga kjo katastrofë me kaq shumë viktima njerëzore.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: Facebook/Всеукраинский центр болгарской культуры




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Patriku Daniill: Me besim të gjallë, le t'i bëjmë zemrat tona grazhde, që në to të lindë Zoti i Mitur

Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse.  “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..

botuar më 24-12-24 6.05.MD

Në prag të Krishtlindjeve, i shohim me shpresë ditët në vijim

Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes, bullgarët ortodoksë, kudo që janë të shpërndarë nëpër botë, mblidhen për të pritur Krishtlindjet...

botuar më 24-12-24 5.55.PD

Dy artistë britanikë krijojnë prej rëre një skenë të Lindjes së Krishtit në Burgas

Skulptura "Lindja e Krishtit prej rëre në Burgas", të cilën artistët britanikë Paul dhe Remy Hogarth po e skulpturojnë në qendër të Burgasit para syve të banorëve të qytetit, do të jetë gati për natën e Krishtlindjeve dhe do të qëndrojë atje deri më 7 janar..

botuar më 24-12-24 4.20.PD