Më 10 shkurt Kisha Ortodokse Bullgare nderon Shën Harallambin, martir i besimit të krishterë, i cili jetoi në shekullin II në Azinë e Vogël. Për shkak të aftësive të tij për të shëruar, Shën Harallambi konsiderohet shenjtori mbrojtës i mjaltit dhe bletarëve, pasi që nga kohërat e lashta njerëzit janë mbështetur shumë te mjalti për trajtimin e të gjitha llojeve të sëmundjeve. Prandaj, edhe sot e kësaj dite, në ritet kishtare, ekziston tradita e sjelljes së mjaltit në kishë në ditën e shenjtorit, ku kremtohet një liturgji e veçantë për shenjtërimin e tij. Mjalti i shenjtëruar sillet në shtëpi dhe të gjithë e përdorin si ilaç gjatë gjithë vitit.
Gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë dobinë e rritjes së bletëve dhe mbrojtjen e tyre për të ruajtur ekuilibrin në natyrë.
Megjithatë, industrializimi i bujqësisë ka shkatërruar një pjesë të madhe të livadheve të harlisura me lule të egra dhe barishte të çelura, kështu që bletët po rriten gjithnjë e më shumë pranë qyteteve të mëdha. “Natyra është plot me nektar, bletët përdorin vetëm 5% të tij, gjithçka tjetër avullohet nga dielli dhe lahet nga shiu. Çështja është nëse ka bletë të shëndetshme të cilat mund ta mbledhin atë!” - thotë bletari Georgi Georgiev, i cili rrit bletë në periferi të kryeqytetit:
“Nektari nga bimët nuk mund të shihet me sy të lirë, është vështirë për t'u matur, dhe bletari duhet të dijë intuitivisht se kur duhet të vendosë kornizat prej druri /të ashtuquajturat “magazina”/ për pjalmin e mbledhur. Prandaj, shkenca e bletarisë është shumë specifike, kërkon njohuri dhe vëzhgime të thella, jo të gjithë mund të merren me bletë. Me bletarinë u njoha si student - mësuesi më çoi në Shoqatën e Bletarisë në vendlindjen time Novi Pazar. Me kosheret merrem në mënyrë aktive që nga viti 1987-88 dhe në këtë aktivitet gjeta shumë të vërteta të rëndësishme për natyrën, për jetën. E pashë që edhe bletët mund të jenë mësueset tona me punën e tyre të palodhur dhe organizimin e përsosur në familjen e bletëve, ku gjithmonë ka se kush të dalë e të mbledhë mjaltë nëse u ndodh diçka bletëve punëtore. Bletët janë një manifestim suprem i natyrës, sipas studiuesve ato u shfaqën 50 deri në 150 milionë vjet para njeriut.
Njerëzit mendojnë se bletët po flenë tani, por aktualisht ato po rritin një gjeneratë të re bletësh, e cila duhet të jetë gati deri më 22 mars, kur bimët tashmë janë në lulëzim. Të shtyrë nga energjia e diellit, bletët shkojnë dhe ndihmojnë në pjalmimin e bimëve, dhe këto bimë më pas hahen nga njerëzit dhe kafshët.”
Sipas bletërritësit, aktiviteti i njeriut është i pamatur kur përdoren preparate për mbrojtjen e bimëve, si rezultat i të cilave çdo vit vdesin rreth 40-50% e bletëve, dhe ato që dalin të dobëta dhe të sëmura nuk mund të mbledhin mjaltë. “Megjithatë, natyra ka gjetur një mënyrë për të rikthyer popullatën e bletëve dhe falë kësaj ne, bletarët, vazhdojmë të nxjerrim mjaltë”, thotë Georgi Georgiev dhe shton:
“Por kur ka kaq shumë vështirësi dhe ne nuk mund të rrisim koloni të bukura dhe të shëndetshme bletësh, nuk mund të shpresojmë te bletaria si një biznes i qëndrueshëm, me të cilin mund ta nxjerrim bukën e gojës.
Pa këtë energji diellore që bletët na japin përmes mjaltit, nuk do të kishim zhvillim. Prandaj, konsumimi i mjaltit duhet të ndodhë me kujdes. Duhet ta trajtojmë si ilaç dhe ta konsumojmë vetëm nëse ndjejmë se kemi uri për mjaltë. Një tjetër gjë e rëndësishme është që kur njeriu e merr mjaltin në gojë, duhet ta mbajë për pak kohë, imagjinoni si kanë lulëzuar pemët, si lahet gjithçka në dritë, si bimët e sekretojnë këtë nektar dhe bletët shkojnë dhe e mbledhin atë. Nëse njeriu e bën këtë lidhje mes diellit, nektarit, bletës dhe mjaltit, do të përmirësojë ndjeshëm edhe shëndetin e tij”, është i bindur bletari Georgi Georgiev.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, arkiv personal
Kushtet për lundrim në lumin Danub do të përmirësohen përmes projektit evropian DISMAR me vlerë 10 milionë euro, njoftoi BTA, duke cituar drejtorin ekzekutiv të agjencisë ekzekutive "Kërkimi dhe mirëmbajtja e lumit Danub" (IAPPD) në Ruse, Ivelin Zanev...
Ashtu si një jetë njerëzore 90-vjeçare, fati i kishës metropolitane “Shën Apostuj Pjetër dhe Pali” është i mbushur me ulje-ngritje, me mundime, por edhe me shpëtim. Kjo është ndoshta një nga kishat më pak të njohura në Sofje dhe në të njëjtën kohë e..
Ornitologët dhe dashamirësit e shpendëve festojnë sot Ditën Kombëtare të Shqiponjës. Me këtë rast përfaqësues të Shoqatës Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve prezantojnë para publikut të gjerë fakte interesante për jetën e llojeve të ndryshme të..
Bullgarët janë minoriteti i tretë më i madh në Shqipëri - sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë në këtë vend ballkanik. Këto janë të..
"Veshjet dhe armatimet bullgare të Mesjetës së Vonë" - kështu titullohet ekspozita e re e përhershme në Kalanë "Baba Vida" në qytetin e Bullgarisë..
Në Bullgari, sipas të dhënave jozyrtare janë 120 mijë persona me probleme në të dëgjuarin. Shumë prej tyre nuk duan të mësojnë gjuhën e shenjave, edhe..