Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shije të mira dhe argëtim me Alja Markovën mes Bullgarisë dhe Spanjës

Foto: arkiv personal

Jeta është e shijshme kur është argëtuese! Do ta shihni vetë kur të hapni librin e ri të gatimit i titulluar “Libri i gatimit për fëmijët e mëdhenj”. Në të do të gjeni 28 receta të ëmbla dhe të kripura… më anë të tregimeve të ilustruara me figura. Libri i pazakontë është vepër e Alja Markovës, e cila bashkoi dy pasionet e saj të mëdha - ilustrimin dhe gatimin. Ky libër është për të gjithë ata që e kanë ruajtur fëmijën brenda vetes, duan të argëtohen, i pëlqejnë tregimet me ilustrime ose të hanë ushqime të shijshme, por vazhdojnë të ngatërrojnë recetat. Në libër, në mënyrë të kuptueshme dhe tërheqëse, hap pas hapi përshkruhet rruga e produkteve nga çanta e blerjeve deri në shndërrimin e tyre në një kryevepër gatimi. “Në përgjithësi recetat janë të lehta. E rëndësishme është që kur njeriu të jetë i uritur, të mos bëhet përtac për të gatuar. Për mua ky ishte qëllimi”, shpjegon Alja – bullgare, me profesion ilustruese, e cila e ndan jetën mes Bullgarisë dhe Spanjës.

Historia e librit të gatimit filloi në vitin 2009, kur Alja vendosi të bënte një blog. Në të, ajo zbulon në mënyrë magjepsëse sekretet e kuzhinës bullgare nëpërmjet ilustrimeve dhe me tekst në spanjisht, me një bonus - mini-mësime në bullgarisht. Ju mund të pyesni veten, pse në spanjisht? Alja Markova ka lindur në Bullgari, por në moshë shumë të vogël largohet me prindërit e saj në Spanjë. Më pas kthehen në vendin tonë dhe këtu kalon vitet e adoleshencës. Dhe pastaj Spanja e tërheq atë përsëri. Ajo qëndroi atje për 18 vjet dhe punoi si ilustruese për shtëpitë botuese spanjolle. Dhe kështu, tani që po kthehet sërish në shtëpi, si rezultat i talentit të saj në ilustrim dhe ëndrrës së saj të për t'u bërë shefe kuzhine, ka lindur "Libri i gatimit për fëmijët e mëdhenj". Por çfarë do të thotë në të vërtetë "shtëpi" për Aljën?

“Epo, është pak e çuditshme, sepse tani që jam këtu pas vendimit për t’u kthyer në shtëpi, kuptova se nuk ka mundësi që një pjesë e imja të mos ndihet si në shtëpinë time në Bullgari, por ka një pjesë tjetër që është më e lidhur me zakonet, me jetën e përditshme, me të folurin, me gjërat më të vogla në jetë që në fakt më bëjnë të ndihem shumë si në shtëpinë time në një vend tjetër. Unë kam ndoshta dy "shtëpi", por "shtëpia" ime e përditshmërisë është Spanja" - pranon Alja.

Babai i saj, gjithashtu është një ilustrues dh ishte pikërisht ai që e njohu Aljën me artin e ilustrimit. Së bashku me të, ajo krijon një "koleksion" të tërë prej 20 librash, pas të cilit ajo fillon rrugëtimin e saj. Artistja shpjegon se ndër recetat e pikturuara në edicionin e ri luksoz, asnjë prej tyre nuk është rastësore:

Çdo recetë është e lidhur me një përvojë, një histori. Për shembull, majoneza për mua lidhet me një incident qesharak. Mësova se si të bëj majonezë falë një shefi të famshëm spanjoll - Karlos Arguiñano. Deri në momentin që ai e tregoi në televizor mënyrën e përgatitjes, mendova se majoneza shitej vetëm në kavanoza nëpër dyqane dhe më bëri aq përshtypje saqë m'u desh ta vizatoja menjëherë. Ekziston edhe një recetë mish-mash e cila, siç shihet në libër, është frymëzuar nga gjyshja ime. Dhe ajo është e lidhur me pjekjen e saj të specave!” – tregon duke qeshur Alja.

Meqenëse në Spanjë jetojnë shumë bullgarë, ka dyqane bullgare, nuk është problem të gjesh produkte tipike bullgare me të cilat të përgatisësh një pjatë të shijshme bullgare. Si një "imazh reklamues" i kuzhinës bullgare për botën spanjishtfolëse, blogerja pohon se spanjollët i pëlqejnë shumë pjatat tona.

“Ata janë përgjithësisht të hapur ndaj gjërave të reja. Ka disa gjëra që janë shumë ekstravagante për ta, siç është sallata me kos e quajtur “Snezhanka”. Por kur e provojnë e pëlqejnë shumë” - tregon Alja dhe qesh.

Ajo sjell buzëqeshjet dhe humorin e saj të mirë në këto ilustrime, kështu që kur dikush i shikon, me siguri do të buzëqeshë edhe ai. “Mënyra se si pikturoj, mendoj, gjithashtu se përshkruan edhe mënyrën se si unë mendoj dhe jetoj. Epo, natyrisht nuk jam gjithmonë duke kërcyer dhe duke qeshur, por në përgjithësi mendoj se kjo është qasja ime ndaj jetës”, siguron ajo dhe ndan recetën e saj për pozitivitet për të gjitha momentet e jetës:

“Çdo situatë, çfarëdo qoftë ajo, nga ne varet mënyra se si do ta shohim. Është shumë e vështirë të shikosh anën e mirë të një situate të vështirë. Por gjithmonë kemi një zgjedhje në mënyrën se si e shikojmë atë, edhe kur kemi një problem, ne mund të zgjedhim, në vend që të thellohemi në të, të mendojmë në mënyrë tjetër, për shembull, "Mirë, nëse ky është problemi, cila është gjëja më e mirë që mund bëj në këtë rast?”.

Me këtë energji pozitive, ne ndahemi me të adhurueshmen Alja Markova, por vetëm për t'u zhytur në recetat e saj të pikturuara.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: arkiv personal




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Silsila Mahbub

Silsila Mahbub: "Qëndrimi ndaj refugjatëve të Lindjes së Mesme duhet të ndryshojë"

Jeta e miliona njerëzve në mbarë botën, të cilët jetojnë në një sërë sfidash jetësore - luftë, uri, varfëri, duket e pakuptueshme për botën perëndimore, pjesë e së cilës janë Evropa dhe Bullgaria. Kjo është arsyeja se pse ne i pranojmë historitë e fateve..

botuar më 24-03-05 5.10.MD

Nënkryetari i një bashkie shqiptare kërkon një jetë më të mirë për bullgarët në Shqipëri

Agron Nuredinaj prej disa muajsh është pjesë e administratës së re bashkiake të qytetit të Kukësit në veri të Shqipërisë. Qendra bashkiake është përgjegjëse edhe për fshatrat në rajonin e Gorës, ku një popullsi me origjinë bullgare dhe me vetëdije..

botuar më 24-02-03 7.30.PD
Çavdar Arnaudov

Çavdar Arnaudov: Në Radio Bullgaria, pata fatin të punoja me përkthyesit më të mirë nga dhe në frëngjisht

Radio Bullgaria në formën e saj origjinale u shfaq një vit e një muaj pas krijimit të Radios Bullgare, në atë kohë Radio Sofja. Radio Bullgaria që në fillimet e saj paraqet një imazh të ndryshëm dhe autentik të vendit tonë dhe në këtë rol të rëndësishëm..

botuar më 24-01-25 7.30.PD