"Krijuesi i pikturës së peizazhit me valëzime të lehta ngjyrash", "Autor i pikturave të gjalla të natyrës", "Krijuesi i pëlhurës piktoreske të modeluar me transparencë dhe ngjyra" - pikturat e tij janë për të gjithë ata që arrijnë të shohin shpirtin e Zotit pas bukurisë së natyrës.
Ekspozita “Atanas Mihov (1879-1975). "Peizazhe dhe Piktura" e galerisë "Loran" prezanton një koleksion të jashtëzakonshëm me vepra të një prej mjeshtrave të parë të zhanrit të peizazhit në vendin tonë. Një pjesë e madhe e punimeve me bojëra vaji nxjerrin në pah copëza të ndryshme të natyrës bullgare, por këtu mund të shihen edhe pikturat të cilat ai i ka krijuar si artist ushtarak në luftëra të ndryshme si Lufta Ballkanike, Lufta e Parë Botërore etj.
Atanas Mihov lindi në vitin 1879 në Stara Zagora. Hapat e parë drejt ëndrrës për të qenë artist i hodhi në vendlindjen e tij, ku mësuesi i tij ishte Georgi Evstatiev.
“Atanas Mihov që në moshë të vogël u njoh me mësimdhënien evropiane të Georgi Evstatiev-it, e cila ia shtoi interesin për pikturën – thotë kritiku i artit Ljudmill Veselinov. - Një moment tjetër interesant është hyrja e tij në Shkollën Shtetërore të Vizatimit në klasën e Prof. Ivan Mrkvichka. Ai bëri specializimin te Prof. Jarosllav Veshin – mësues i shquar në atë kohë, të cilin shpreh se e ka shumë përzemer. Ky autor lë gjurmë të thella në veprat e tij dhe nëpërmjet tij mund të depërtojmë më lehtë në artin e Atanas Mihovit, që spikat me shtresat e theksuara të ngjyrave të peizazheve, me teknikat e shpeshta me thikë dhe shpatull. Dhe meqenëse piktura e relievit është gjithashtu e natyrshme në veprën e Jarosllav Veshin, artisti i ri e përmend atë si babain e tij shpirtëror.
Ljudmill Veselinov i le një vend prestigjioz Atanas Mihovit në artin bullgar të periudhës mbas çlirimit, duke e vendosur atë përkrah piktorëve më të mirë vendas të peizazhit si Georgi Evstatiev, Nikolla Tanev, Mario Zhekov, Benço Obreshkov, Penço Georgiev, Georgi Popov-John, Vasill Stoillov. Pas diplomimit piktori iu përkushtua mësimdhënies, ndërsa pas luftërave ia përkushton kohën e tij jo vetëm punës si mësues, por edhe pasionit për peizazhin.
“Veprimtaria e Atanas Mihovit lidhet kryesisht me Sofjen – shton kritiku i artit. - Viti 1923 ishte një vit kyç për karrierën e tij, sepse u emërua mësues në Knjazhevo (sot një lagje e kryeqytetit ). Lidhja e Knjazhevos me malin e Vitoshës do të përdoret dhe interpretohet vazhdimisht në kompozimet e tij”.
Deri në fund të jetës së tij gati shekullore (u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare), Atanas Mihov i qëndroi besnik pikturës së peizazhit - qoftë për t'u distancuar nga shabllonet propagandistike të qeverisë së re, qoftë thjesht sepse e gjente ngushëllimin në natyrë.
“Ai është pasardhës i impresionistëve dhe postimpresionistëve me eksperimentet e tij të shumta mbi temat natyrore – thotë Ljudmill Veselinov. - Kjo është arsyeja pse atelieja e tij në Knjazhevo u kthye në një lloj qendre kërkimore për natyrën. Në mëngjes e pikturon malin në një mënyrë dhe krejt ndryshe në mesditë, pasditen e vonë dhe në mbrëmje. Të njëjtin mal, të njëjtën pamje, ai e përdor vazhdimisht në veprat e tij - të bukura dhe të ndryshme në vetvete. Në to ai eksploron ngjyrat e ngrohta dhe të ftohta, hijen, rrezet e diellit që bien mbi mal, duke luajtur me këtë kompozim shumë herë në veprën e tij. Dhe ndoshta ai vërtet gjeti paqen në zhanrin e peizazhit.”
Gjatë karrierës së tij të pasur krijuese, Atanas Mihov mori pjesë në ekspozita të shumta. Talenti i tij njihet edhe jashtë vendit - veprat e tij ekspozohen në Romë, Venecia, Vjenë, Berlin, Pilzen, Pragë, Bërno. Ai la pas mijëra piktura, për të cilat kritiku i madh i artit Stefan Mitov shkruan: “Ai befas dhe me shumë guxim, jo vetëm për kohën e tij, hodhi hapin e parë të madh në peizazhin bullgar dhe e ngriti atë në një lartësi të vërtetë artistike, duke e çliruar nga prangat e shabllonit dhe diletantizmit naiv.”
Ekspozita e veprave të Atanas Mihov mund të shihet në galerinë “Kontrast” të kryeqytetit, deri më 18 prill të këtij viti.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Galeria "Loran"
Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë Jugore. Fillimi i ndërtimit u dha në vitin 1985 nga babai i Jusein Jusufit dhe një vit më vonë, kur..
Fitues të mëdhenj në edicionin e 28-të të Festivalit të Kinemasë Dokumentare dhe të Animuar Bullgare "Ritoni i Artë" janë filmi i animuar “Një sup i bardhë për një burrë të zi" i regjisorit Henri Kulev dhe filmi dokumentar "Dëshira e Gerit" nga Tonisllav..
Në librin “Bullgaria është kënga ime” Ilija Llukov na shfaqet si një patriot i madh që ka bërë shumë për Bullgarinë”. Kështu e karakterizon këngëtarin popullor që këndoi meloditë më të dashura nga rajoni i Maqedonisë, Galin Georgiev, etnograf dhe një..
Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë..