Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bandoneonisti më i mirë në botë për vitin 2023 është bullgar

Stojan Karaivanov fiton çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Fizarmonikës në Gjermani

Foto: Ani Petrova

Bandoneoni është instrumenti që i jep shpirt tangos argjentinase. Në atë melodi që mbështjell jetën me pasion dhe histori. Në pamje të parë, duket si një fizarmonikë e vogël. E vërteta është se ka një trup të brendshëm akustik më të madh, është shumë më i lëvizshëm dhe çdo lëvizje e trupit ndikon drejtpërdrejt në tingullin, i cili është më i ngjirur, më prekës dhe më i dallueshëm se ai i fizarmonikës, madje edhe se çdo instrument tjetër. Kështu tregon për BNR bandoneonisti Stojan Karaivanov. Vetëm pak ditë më parë i riu bullgar u kthye nga Gjermania me çmimin e parë në historikun tonë (në kategorinë e katërt) të Konkursit Ndërkombëtar të Fizarmonikës në Klingenthal. Konkursi prestigjioz u zhvillua nga data 7 deri më 13 maj për të 60-tën herë radhazi, me një juri ndërkombëtare prej 17 anëtarësh që udhëhiqej nga Prof. Stefan Hussong. Dhe megjithëse ritmet argjentinase sot i nënshtrohen bandoneonit, vetë instrumenti u krijua pikërisht në Gjermani, ku përdorej gjatë meshës kishtare në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të. “Ky forum është vendi ku është mbledhur gjithmonë elita e artit të fizarmonikës në mbarë botën. Mësuesit e mi kanë qenë fitues të tij në vitet e mëpërparshme”, thotë Stojani:

“Dhe kur ata më tregonin histori për këtë konkurs, për përgatitjen, për përvojën dhe ndjesinë e të qenurit pjesë e tij, u bë një ëndërr fëmijërie për mua të paraqitesha dhe të sillja fshehurazi çmimin e madh në Bullgari. Vitet e fundit, bullgarët kanë marrë pjesë në konkurs, por fatkeqësisht nuk kanë arritur të jenë në treshen e parë. Këtë pjesëmarrje në veçanti e mbajta të fshehtë. Për udhëtimin tim e dinin vetëm njetëzit e mi më të afërt, sepse doja të isha i qetë dhe të tregoja më të mirën time dhe nëse juria e gjykonte si të mjaftueshme, të largohesha me titullin. Pastaj ta ndaja çmimin, sepse nuk është vetëm i imi personal. Ky është një çmim për Bullgarinë. Në këtë forum botëror marrin pjesë pedagogë nga e gjithë bota. Bëhet fjalë për fizarmonicistët më të mirë në botë, më të spikaturit, me karrierat më të arrira dhe ata panë se si një bandoneonist bullgar mund të shkojë në Gjermani, të jetë pjesë e garës më të ashpër dhe ta fitojë atë”.

Fitoret në skenën kombëtare si dhe ndërkombëtare nuk janë një gjë e re për Stojan Karaivanovin.

Pasi e nisi rrugëtimin e tij muzikor me piano, pastaj violinë, tre vjet më parë në Itali, Stojani zbuloi melodinë e bandoneonit dhe ra në dashuri me të. Merita për këtë i shkon Prof. Fabio Furia në Konservatorin Giovanni Pierluigi da Palestrina - Cagliari, Itali. Më vonë ai kreu master-klasën e bandoneonistit me famë botërore Juan José Mosalini dhe u specializua në muzikën e zhanrit në Qendrën Ndërkombëtare dhe Kombëtare për Fizarmonikë dhe Muzikë "Jacques Mornet" te Prof. Jacques Mornet në Francë.

Dhe megjithëse sot Stojan Karaivanov është zyrtarisht bandoneonisti më i mirë në botë, për të ka diçka shumë më të rëndësishme që vjen si pasojë e çmimit të tij.

“Për mua më e rëndësishmja është që Bullgaria është rikthyer dhe tani do të vihet re në skenat e fizarmonikës në mbarë botën. Dhe shpresoj që kolegët e mi bullgarë të mos kenë frikë dhe të marrin pjesë në edicionet e ardhshme të konkursit”.

Ata mund ta bëjnë këtë pa pasur frikë nga konkurrenca e Stojan Karaivanovit, pasi çmimi i madh nga Gjermania shënon edhe fundin e karrierës së tij garuese. Ai do të vazhdojë me projekte të reja muzikore, përmirësim në interpretimet e muzikës së Astor Piazzollës dhe mësimdhënien. Menjëherë pas kthimit të tij në Sofje më 15 maj, qëndroi në krye të orkestrës së parë bullgare të tangos të themeluar nga ai, të quajtur "Libertango", sipas një prej veprave të Piazzollës nga viti 1974, në një koncert nga programi i Festivalit Evropian të Muzikës në sallën "Bullgaria".

Autore: Vesella Krësteva / bazuar në një intervistë e Irena Gzdeleva për programin "Alegro Vivace" të BNR-së/

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: BNR




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pllamena Mangova dhe Rainer Honeck

Një surprizë për publikun bullgar – koncerti i parë i përbashkët i violinistit austriak Rainer Honeck dhe pianistes Pllamena Mangova

Më 6 nëntor në sallën "Bullgaria" në kryeqytetin e Sofjes publiku bullgar do të ketë mundësinë të shijojë vepra pak të njohura të interpretuara nga muzikantë të shquar. Variacione mbi një temë nga Frank Bridge, op. 10 – një vepër e hershme e Benjamin..

botuar më 24-11-04 7.15.PD

"Perëndo, perëndo, o diell i ndritshëm" – një nga këngët e përjetshme të Bullgarisë

Një nga këngët më të bukura të përjetshme të Bullgarisë është "Perëndo, perëndo, o diell i ndritshëm". Besohet se ekziston si një melodi për të paktën pesë shekuj. Në vendin tonë kënga ka popullaritet me një tekst që mund të gjendet në përmbledhjen e..

botuar më 24-11-01 1.30.MD

Fillon edicioni i vjeshtës i Plovdiv Jazz Fest

Plovdiv Jazz Fest feston këtë vit ditëlindjen e tij të dhjetë me një program, verën dhe vjeshtën, ku marrin pjesë disa nga emrat më të mëdhenj të botës së xhazit. Edicioni i vjeshtës do të mbahet në qytetin e dytë më të madh në Bullgari - Plovdiv,..

botuar më 24-11-01 6.10.PD