Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Biznesi, sindikatat dhe pritshmëritë ndaj qeverisë së re të Bullgarisë

Foto: arkiv

Kuvendi Popullor miratoi njëzëri në lexim të parë vendimin për shtyrjen e afatit për mbledhjen e të ardhurave, kryerjen e shpenzimeve dhe sigurimin e transfertave nga buxheti i shtetit deri në miratimin e buxhetit të vitit 2023. Vendimi përfundimtar pritet të merret javën në vijim. Kështu, pagesat sociale janë të garantuara, dhe miratimi i kornizës financiare të këtij viti do të ndodhë deri në fund të korrikut - premtoi ministri i ri i financave Asen Vasilev.

Megjithatë, sesi do të ndodhë kjo në një parlament kaq të polarizuar, ku vendimet do të jenë shumë të vështira, mbetet për t’u parë.

“Shpresoj që nevojat dhe problemet me të cilat përballen financat publike dhe vendimet që duhen marrë në mënyrë që shteti të fillojë të punojë në kushte normale, do të stimulojnë disiplinën dhe marrjen e këtyre vendimeve të rëndësishme, ndër të cilat më kryesorja në fushën financiare është buxheti” - tha doc. Elena Stavrova nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Jugperëndimor dhe shtoi:

“Shteti nuk do të ketë probleme financiare, pasi ekonomia po qetësohet dhe trendi është në rritje. Ajo ka gjithmonë një rezervë dhe aftësi për të emetuar letra shtetërore me vlerë, pasi borxhi ynë publik është larg maksimumit nga 60% sipas kritereve të Maastrihtit. Nuk është e nevojshme dalja në tregjet e jashtme të kapitalit për të marrë kredi të reja. Sistemi ynë financiar fjalë për fjalë është i tejmbushur me burime nëse shikojmë kursimet e qytetarëve dhe bizneseve.”

Për biznesin, megjithatë, votimi i qeverisë së re pas më shumë se 2 vitesh bllokim politik është larg zgjidhjes së krizës politike. Pritshmëritë janë vendime urgjente për të ndalur ndryshimet e vazhdueshme në rregulloret për punën e tij, për të kufizuar presionin administrativ dhe mbi të gjitha deputetët të miratojnë një buxhet të përditësuar.

Mungesa e qeverisjes elektronike është gjithashtu një pengesë e rëndësishme për funksionimin e qetë dhe të parashikueshëm të biznesit. Kjo u heq mundësinë jo vetëm individëve, por edhe bizneseve për të marrë shërbime më shpejt dhe pa kontakt me administratën. Kjo e lë derën gjerësisht të hapur për praktikat korruptive. “Gjatë një krize politike, presioni burokratik është i shfrenuar. Jo vetëm korrupsioni, por edhe një interpretim i ndryshëm subjektiv i kuadrit rregullator. Ndjenja e zyrtarëve në periudha të tilla është se i kanë duart e palidhura ndaj biznesit”, shpjegoi Shterjo Nozharov - këshilltar ekonomik në Dhomën e Tregtisë Bullgare.

Në qëndrimin e saj edhe organizata e punëdhënësve “Sindikata për Nisma Ekonomike” kërkon miratimin urgjent të buxhetit dhe garantimin e sigurisë së bizneseve të vogla dhe të mesme. Këto biznese janë shtylla kurrizore e vendit tonë, pasi sigurojnë 75% të punësimit, 65% të vlerës së shtuar dhe 50% të eksporteve. Sindikata kërkon gjithashtu një lehtësim të konsiderueshëm të procedurës për pranimin e punëtorëve nga vendet e treta në tregun bullgar të punës, si një masë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore.

Një buxhet me një deficit prej 3%, siç premton ministri i financave Asen Vasilev, është mjaft i pamundur - komentoi Vanja Grigorova, këshilltare ekonomike në Konfederatën e Punës “Podkrepa”.

“Le të imagjinojmë një pishinë gjysmë të zbrazët, në të cilën themi që nuk do të derdhim ujë shtesë, pra nuk do të rrisim taksat për të pasurit dhe kompanitë që gjeneruan fitime të tepërta, por do të paguajmë më shumë që të mbulojmëinflacionin e grumbulluar. Është e qartë se kjo është e pamundur.”

Një deficit prej 3% është një qëllim politik dhe jo ekspert - është kategorik financieri Ljubomir Dacov. Ai komentoi para BNR vendimin për të zgjatur kuadrin financiar të vitit të kaluar:

“Ky lloj i zgjatjes së buxhetit nuk garanton se do të paguhen të gjitha shpenzimet. Ministria e Financave, në pagesat që bën, do të duhet të bëjë një lloj rregullimi për nga urgjenca dhe rëndësia e këtyre pagesave”, tha Dacov dhe shprehu shpresën se në 3 javët e ardhshme do të miratohet një buxhet i rregullt.

Përfaqësuesi i popullit nga “Po e vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike” Martin Dimitrov nuk e ndan plotësisht këtë parashikim dhe më tepër u beson ekspertëve, pjesë e Këshillit Fiskal, detyra e të cilit është monitorimi dhe analiza e kornizës buxhetore:

“Siç zhvillohet situata ekonomike, pritet një deficit prej rreth 7 miliardë leva, i cili në raport të PBB, është 3.7% në vit për këtë vit me bazë parash, me 6.5 miliardë shpenzime kapitale të pritshme. Me përpjekje dhe përgatitje është e mundur të ulet deficiti nën 3%. Rreziqet lidhen me Kuvendin Popullor dhe propozimet për shpenzime shtesë që do të bëhen aty. Është e rëndësishme të ketë mjaft njerëz të përgjegjshëm financiarisht në mënyrë që të mos ketë surpriza.”

Përpilues: Joan Kolev

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Llëçezar Bogdanov

Instituti për Ekonominë e Tregut bën thirrje për një deficit buxhetor nën 3%

Ne po shkojmë drejt opsionit që të mos kemi një buxhet të miratuar shpejt për vitin 2025, tha për BNR Llëçezar Bogdanov, kryeekonomist nga Instituti për Ekonominë e Tregut. Gjatë prezantimit të opsionit alternativ të institutit për buxhetin e shtetit,..

botuar më 24-11-04 11.51.PD

Modeli i subvencionimit të BE-së shtrembëron prodhimin bujqësor në vend

Në 15 vjet - nga 2005 deri në 2020, 75% e ekonomive bujqësore në vend janë zhdukur . Zvogëlimi është nga 500 000 në vitin 2005 në 132 000 deri në vitin 2020, njoftoi Prof. Dr. Bozhidar Ivanov - drejtor i Institutit të Ekonomisë Agrare, në kuadër..

botuar më 24-10-31 10.50.PD

Inflacioni çon në qarkullim dhe kërkesë më të lartë të kartëmonedhave të reja 100 dhe 50 leva

Vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2024, Banka Kombëtare Bullgare nxori në qarkullim në vend rreth 11 milionë kartëmonedha të reja nga 100 leva. Nëse në fillim të vitit kishte më shumë se 131 milionë monedha në qarkullim, në fund të shtatorit ato ishin..

botuar më 24-10-30 10.56.PD