Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus"

BE po përgatit ligjin e parë në botë për inteligjencën artificiale

Eksperti i IT-së G. Kostadinov: Rregulloret do të ndihmonin kompanitë të shmangin paragjykimet

Foto: Pixabay

Bashkimi Evropian po përgatit ligjin e parë në botë për të rregulluar inteligjencën artificiale. Hapi i parë i rëndësishëm tashmë është ndërmarrë - Parlamenti Evropian miratoi rregullat për të siguruar që inteligjenca artificiale të mos bëhet kërcënim. Këto masa do të diskutohen me shtetet anëtare përpara miratimit të versionit përfundimtar të ligjit, i cili pritet vitin e ardhshëm.

Inteligjenca artificiale mund të përkufizohet si aftësia e një makine për të demonstruar aftësi të ngjashme me njerëzit - për të arsyetuar, mësuar, planifikuar ose krijuar. Kjo është një teknologji kyçe për të ardhmen, e cila po zhvillohet me ritme shumë të shpejta dhe gjen aplikime gjithnjë e më të dobishme - në fushën e mjekësisë, transportit, prodhimit.

Megjithatë, ka edhe një sërë rreziqesh për konsumatorët. Prandaj, Bashkimi Evropian përcakton fushat në të cilat përdorimi i inteligjencës artificiale mund të përbëjë rreziqe të larta dhe prezanton rregulla dhe ndalime të qarta në rastet, ku ajo nuk mund të përdoret. Kështu është shprehur kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mezzola.

Roberta Mezzola

"Së pari, teknologjia po evoluon, inovacioni po na çon përpara dhe po hap mundësi të reja. Si ligjvënës, ne duhet të përfitojmë nga këto mundësi. Ne nuk mund të qëndrojmë në një vend dhe të kemi frikë nga e ardhmja. Së dyti, duke ecur përpara, ne kemi nevojë për kufizime të qarta në inteligjencën artificiale. Dhe këtu ka një gjë me të cilën nuk mund të bëjmë kompromise. Sa herë që teknologjia përparon, ajo duhet të shkojë paralelisht me të drejtat tona themelore dhe vlerat demokratike."

Prioriteti i Parlamentit Evropian është që sistemet e inteligjencës artificiale të jenë të sigurta, me rregulla të qarta dhe një origjinë të qartë, të mos diskriminojnë grupet e njerëzve dhe të mos dëmtojnë mjedisin. Gjithashtu, teknologjia duhet të kontrollohet nga njerëzit, jo nga sistemet automatike. Bruskeli përcakton nivelet e rrezikut, në bazë të të cilave ai vendos kufizimet përkatëse.

Ndër masat e propozuara është ndalimi i plotë i përdorimit të inteligjencës artificiale për mbikëqyrjen biometrike, njohjen e emocioneve dhe profilizimin nga policia. Diçka shumë e rëndësishme - sistemet me inteligjencë artificiale gjeneruese, të tilla si ChatGPT, duhet të deklarojnë në mënyrë eksplicite se përmbajtja është krijuar nga inteligjenca artificiale.

Parlamenti Evropian i konsideron sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura për të ndikuar tek votuesit në zgjedhje, siç janë aplikacionet e inteligjencës artificiale në rrjetet sociale, si me rrezik të lartë. Deri në votimin evropian në qershor të vitit të ardhshëm, ligji nuk do të ketë hyrë në fuqi, vuri në dukje Roberta Mezzola, por theksoi se po merren masa për të parandaluar ndërhyrjen në zgjedhje:

"Ligji i Inteligjencës Artificiale ka një periudhë transponimi dyvjeçare, që do të thotë se nuk do të hyjë në fuqi deri në datën e zgjedhjeve, por më 1 shtator do të hyjë në fuqi Ligji i Shërbimeve Digjitale. Kjo do të thotë se ky akt mund të ndihmojë në luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes në zgjedhje, kryesisht duke ofruar rregulla për heqjen e përmbajtjeve të paligjshme. Në fakt, Ligji i Inteligjencës Artificiale do të rregullojë sistemet që mund të përdoren për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje të tillë."

Një nga rreziqet në zhvillimin e inteligjencës artificiale është integrimi i llojeve të ndryshme të paragjykimeve. Futja e rregulloreve në nivel evropian do t'i ndihmonte kompanitë ta shmangnin këtë, beson eksperti i IT-së Georgi Kostadinov, i cili përdor mundësitë e inteligjencës artificiale në fushën e mjekësisë:

Georgi Kostadinov

“Nëse vetë njeriu ka paragjykime ndaj një grupi të caktuar njerëzish dhe gjatë krijimit të të dhënave i sjell këto paragjykime, atëherë vetë inteligjenca artificiale do të ketë të njëjtat paragjykime. Shembuj të tillë kemi pasur me Google dhe me sistemin e tyre të njohjes së fytyrës, ku e kishte të vështirë të njihte afrikano-amerikanët dhe primatët. Ky ishte një problem shumë i madh 5 vjet më parë. Për fat të mirë, u zgjidh shpejt. Metoda dhe mënyra kryesore në të cilën mund të zgjidhet është kur ka udhëzime për krijimin e këtyre të dhënave.

Një direktivë e tillë, të cilën BE-ja po aplikon, do t'i ndihmonte kompanitë që zhvillojnë inteligjencën artificiale në krijimin e të dhënave, kështu qe të jetë më e qartë mënyra në të cilën janë krijuar këto të dhëna dhe përkatësisht të jetë e qartë se çfarë paragjykimi mund të ketë në to. Kjo mund t'i shtyjë kompanitë të përdorin mjete që i njohin automatikisht paragjykimet dhe të parandalojnë atë lloj paragjykimi në të dhëna."

Si çdo teknologji, inteligjenca artificiale mund të përdoret si për qëllime të mira, ashtu edhe për të këqija, në varësi të duarve që bie, komentoi eksperti:

"Inteligjenca artificiale në kokën tonë është si një thikë. Mund të jetë një mjet gatimi për të gatuar ushqim për 300 njerëz dhe një mjet vrasës, për fat të keq. Prandaj kjo lloj direktive duhet ta bëjë të mundur njohjen e shpejt të aplikimit të gabuar të inteligjencës artificiale dhe kufizimin e përdorimit të kësaj teknologjie në ato zona, ku ajo mund të njihet shumë vështirë. Një shembull i tillë mund të jetë fusha e sigurisë. Një algoritëm atje mund të përdoret si për të parandaluar sulmet terroriste ashtu edhe për t'i krijuar ato."

ChatGPT revolucionon inteligjencën artificiale:


"Ajo që ChatGPT ka bërë është krijimi i një algoritmi jashtëzakonisht të fuqishëm që mund të përgjithësojë një sasi të madhe të dhënash dhe më pas të jetë në gjendje të krijojë përmbajtje të re bazuar në këto të dhëna. Tani për tani, inteligjenca artificiale e di atë që ne dimë. Kjo është një gjë kyçe që shumë njerëz duket se nuk e kuptojnë. Duke supozuar se ne mund të mbledhim të gjitha të dhënat dhe njohuritë në botë dhe të trajnojmë një algoritëm, ai prapë do të dijë atë që njerëzit në botë e dinë, domethënë nuk ka mënyra që ai të dijë gjëra që ne nuk i dimë në këtë fazë.

Megjithatë, problemi kryesor që krijon ChatGPT, do të thosha, është kjo varësi e njerëzve ndaj tij dhe do të shohim gjithnjë e më shumë njerëz që e përdorin atë. Unë mendoj se përdorimi i kësaj teknologjie duhet të ndodhë në mënyrë të kontrolluar, me kritikën e domosdoshme."

ChatGPT kërcënon sistemin arsimor, nëse ai nuk ndryshon, mendon eksperti:

"Nëse kthehemi pas, me fillimin e përdorimit të Google, sistemi arsimor gjithashtu kishte një lloj të ngjashëm "awakening call ", domethënë "thirrje zgjimi" dhe transformim. Papritur njerëzimi pati akses në të gjitha informacionet që ndahen në internet. Dhe tani përmes ChatGPT jo vetëm që ka akses në të gjithë këtë informacion të njerëzimit, por gjithashtu mund të gjenerojë përmbajtje të reja në krye të tij.

Pra, sistemi arsimor duhet të transformohet në një drejtim ku të mos përdorë metoda për të kuptuar nëse ChatGPT përdoret apo jo, por të përdorë pyetje, provime, teste që nuk vlerësojnë se sa e ka memorizuar lëndën mësimore nxënësi, por për të vlerësuar se sa e ka kuptuar kjo çështje."

Plusi i teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale:


“Tashmë po punojnë për të mirën e njerëzimit, për shembull, një fushë e tillë është shëndetësia, ka teknologji që monitorojnë automatikisht shtretërit e spitaleve, sensorët vitalë dhe të dhënat e njerëzve dhe në rast se ka ndonjë anomali, lajmërojnë specialistin. Ka teknologji që e drejtojnë atë gjatë operacionit. Ka teknologji që njohin automatikisht dhe diagnostikojnë herët sëmundjet onkologjike dhe të rënda.

Në fushën e transportit ka gjithashtu pluse. Pothuajse çdo makinë që prodhohet në ditët e sotme vjen me një lloj inteligjence artificiale për të monitoruar vazhdimisht situatën e rrugës dhe personin. Në rast se ndodh diçka në rrugë apo me personat në veturë, të ngrenë alarmin dhe madje të kryhen veprime automatike në kohën e duhur, si ndalimi plotësisht automatik dhe thirrja e ndihmës mjekësore”, tha eksperti i IT-së, Georgi Kostadinov.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Pixabay, EPA/BGNES, BTA, arkiv

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në prag të Krishtlindjeve, i shohim me shpresë ditët në vijim

Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes, bullgarët ortodoksë, kudo që janë të shpërndarë nëpër botë, mblidhen për të pritur Krishtlindjet...

botuar më 24-12-24 5.55.PD

Dy artistë britanikë krijojnë prej rëre një skenë të Lindjes së Krishtit në Burgas

Skulptura "Lindja e Krishtit prej rëre në Burgas", të cilën artistët britanikë Paul dhe Remy Hogarth po e skulpturojnë në qendër të Burgasit para syve të banorëve të qytetit, do të jetë gati për natën e Krishtlindjeve dhe do të qëndrojë atje deri më 7 janar..

botuar më 24-12-24 4.20.PD
Burra të armatosur në provincën siriane Hama, 3 dhjetor 2024

Optimizëm, por edhe mosbesim - këndvështrimi evropian i ngjarjeve në Siri

Optimizëm i kujdesshëm për Sirinë - ky është pozicioni që ka mbizotëruar deri më tani në BE që nga rënia e regjimit të Bashar Asadit. Shumica e politikanëve në Komunitet janë të kujdesshëm ndaj grupit "Hajat Tahrir al-Sham" dhe udhëheqësit të tij Ahmed..

botuar më 24-12-23 11.30.MD