Greqia deklaroi gatishmërinë për negociata me Turqinë për kufirin detar
Dialogu politik, programi bashkëpunimi pozitiv dhe masat e krijimit të besimit do të jenë tri shtyllat e afrimit midis Turqisë dhe Greqisë. Këtë e bëri të ditur ministri i ri i jashtëm i Greqisë, Jorgus Gerapetritis, për “Kathimerini”. Sipas tij, klima e konfrontimit që mbizotëroi prej vitesh ishte “jashtëzakonisht e dëmshme si për Turqinë ashtu edhe për Greqinë, për stabilitetin rajonal”. Dy vendet anëtare të NATO-së janë prej kohësh në mosmarrëveshje mbi kufijtë detarë dhe të drejtat për të eksploruar burimet e energjisë në pjesët e diskutueshme të Detit Egje dhe Mesdheut Lindor. Gerapetritis e lidhi rifillimin e dialogut turko-grek me ndërveprimin mes tij dhe homologut të tij turk Hakan Fidan, i cili gjithashtu mori detyrën së fundmi. “Mendoj se ka ardhur koha të përballemi me plagët e së shkuarës dhe sfidat e së ardhmes”, theksoi Gerapetritis.
Qeveria maqedonase prezanton ndryshimet kushtetuese në parlament
Qeveria e Maqedonisë së Veriut shqyrtoi dhe pranoi propozimin për ndryshime kushtetuese dhe vendosi ta dorëzojë dokumentin në parlament. Ndryshimet do t’u paraqiten deputetëve më 18 gusht. Ato kanë të bëjnë me përfshirjen në kushtetutë të kombësive si bullgare, kroate, malazeze, sllovene gjë që do të hapë rrugën e vendit drejt BE-së. “Mendoj se këto janë ndryshime kushtetuese që nuk prekin asnjë çështje identiteti. Besoj se deputetët tanë do të kenë edhe vizion, edhe guxim për të marrë një vendim që do të thotë integrim evropian i vendit dhe mbi të gjitha sigurimi i një të ardhmeje më të mirë evropiane si për brezat e tanishëm ashtu edhe për brezat e ardhshëm”, tha kryeministri Dimitër Kovaçevski, cituar nga BGNES. Por, presidenti Stevo Pendarovski nuk është optimist se ndryshimet kushtetuese do të zbatohen, pasi sipas tij, VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk do t’i mbështeste ato.
Vuçiç i kërkoi NATO-së mbrojtje për serbët në Kosovë
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i kërkoi NATO-së që të mbrojë serbët në Kosovë nga sulmet e autoriteteve lokale, sjelljen e të cilëve ai e cilësoi si “të papërgjegjshme”. Në një deklaratë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg në selinë në Bruksel, ai tregoi si “shumë të përgjegjshme” sjelljen e kontingjentit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe theksoi se, sipas një rezolute të OKB-së, NATO është përgjegjëse për sigurinë në ish-krahinën serbe, njoftoi korrespondentja e BNR-së Angelina Piskova nga Brukseli. “Ne ju kërkojmë të garantoni sigurinë e serbëve. Në 6 muajt e fundit, të paktën gjashtë serbë u vranë nga shqiptarët, kryesisht nga forcat e tyre të sigurisë. Fatmirësisht asnjë shqiptar nuk u qëllua apo u plagos rëndë, gjë që tregon se kush çfarë po bën”, tha Vuçiç.
Stoltenberg, nga ana e tij, bëri thirrje për dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe që ato të përmbahen nga përshkallëzimi i veprimeve dhe retorikës.
Turqia vazhdon kontaktet për “korridorin e grurit”
Turqia vazhdon kontaktet me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës për të zgjatur “marrëveshjen e grurit”, e cila skadoi më 17 korrik dhe u ndërpre nga pala ruse, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes, duke shtuar se personeli rus u largua nga Qendra e Përbashkët Koordinuese në Stamboll, transmetoi BTA. “Republika e Turqisë, nën udhëheqjen e presidentit tonë, do të vazhdojë të kontribuojë për sigurimin e paqes në rajon dhe ndihmës humanitare, siç ka bërë deri më tani”, tha koloneli Zeki Aktjurk, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë. Furnizimi i drithit u krye sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në Stamboll më 22 korrik 2022 midis Turqisë, Federatës Ruse, Ukrainës dhe Kombeve të Bashkuara, duke parashikuar një korridor të sigurt për eksportin e drithit dhe produkteve ushqimore nga portet ukrainase.
Moska, e cila disa herë ra dakord për të zgjatur marrëveshjen, u tërhoq nga marrëveshja pas një afati tjetër të 17 korrikut. Ajo u ankua se kërkesat e saj nuk janë të përmbushura dhe se ka pengesa për eksportin e grurit dhe plehrave të saj, edhe pse ato nuk bien drejtpërdrejt nën sanksionet perëndimore.
Përpiluese: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: ЕPА/BGNES, Reuters, nato.int
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës. "Jam i lumtur të njoftoj emërimin e..
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga..