Bullgaria është përpara Evropës për nga rritja e pagave, por pavarësisht kësaj, vendi ynë mbetet në vendin e fundit për nga të ardhurat në bashkim. Një sondazh i një kompanie konsulente ndër 350 firma në vendin tonë zbuloi se në vitin aktual, më shumë se gjysma e punëdhënësve rritën pagat deri në 10 për qind, dhe në vitin 2022 rritja ishte 14-15 për qind në përgjigje të rritjes së inflacionit. Rritja më e madhe e pagave është në qytetet e mëdha, si Sofja, Varna, Plovdiv, etj. Ndërsa në qytetet e rajoneve më të varfra, si Vidin, Kjustendill, Haskovo etj., pagat mbeten deri në dy herë më të ulëta, mësojmë nga Polet Zhivina - eksperte e “Analizimit të shpërblimit” në kompaninë që e bëri analizën.
“Është fakt që kryeqyteti tërheq më shumë investime të huaja dhe kompani shumëkombëshe, të cilat shpesh ofrojnë paga më të larta. Kompani të tilla tashmë synojnë qytete të tjera të mëdha. Vitet e fundit vërehet një rritje graduale e pagave, veçanërisht në sektorë si IT, financa dhe prodhimi, të cilët janë të përqendruar më tepër në qytetet tona të mëdha” - thotë Polet Zhivina në një intervistë për Programin “Horizonti” të BNR-së.
Sipas të dhënave të Fondacionit “Hans Böckler”, Bullgaria është i vetmi vend në BE ku fuqia blerëse e popullsisë u rrit gjatë vitit të fundit. Për krahasim, në Evropë rënia mesatare e fuqisë blerëse është 4 për qind. “Megjithatë, të gjithë jemi dakord që jemi në një nga vendet e fundit për sa i përket vlerës absolute të shpërblimit të punës në Evropë”, shpjegon Polet Zhivina dhe shton:
“Rritja në Bullgari, e cila u regjistrua si rritje, është rreth dy herë më e lartë se ajo në BE, në përgjigje të avancimit që ekonomia bullgare po përpiqet të arrijë në raport me pagat evropiane. Problemi demografik në vendin tonë, rënia e popullsisë, lindshmëria e ulët dhe vdekshmëria e lartë çojnë në uljen e numrit të njerëzve në moshë pune, në një ofertë më të kufizuar në tregun e punës dhe rrjedhimisht në një rritje të çmimit të krahut të punës”.
88 për qind e kompanive në Bullgari japin shpërblime shtesë për punonjësit e tyre, si një stimul për t’i mbajtur ata në vendin e punës, duket qartë nga sondazhi. Ndër to janë ato për rekomandimin e një punonjësi tjetër, si dhe për besnikëri – qëndrim afatgjatë në punë në kompaninë përkatëse.
“Gjithnjë e më shumë kompani filluan të kujdesen për shëndetin mendor të punonjësve të tyre, së bashku me ekzaminimet parandaluese dhe sigurimet shëndetësore shtesë që u ofrojnë punonjësve të tyre në përgjigje të pandemisë që kaloi. Shëndeti mendor, së bashku me shëndetin fizik, si dhe ekuilibri mes jetës personale dhe punës, është një faktor gjithnjë më i rëndësishëm, si për punëdhënësit ashtu edhe për punonjësit” - thotë Polet Zhivina.
Në tregun bullgar hyjnë të ashtuquajturat përfitime fleksibël - një mënyrë tjetër që kompania të tregojë se vlerëson nevojat individuale të punonjësve të saj, theksoi Polet Zhivina dhe dha shembuj - kupona për ushqim ose një kartë për sport, ose një zgjedhje midis sigurimit shëndetësor shtesë dhe një shtesë për transport.
Modeli hibrid i punës - në terren dhe në distancë, si dhe orari fleksibël i punës, po shkaktojnë interes në rritje nga ana e punëkërkuesve, komentoi Zhivina për BNR.
Përpiluese: Veneta Nikollova (bazuar në intervistën e Diana Donçevës, BNR "Horizon")
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: pexels, pixabay
Bullgaria duhet të përqendrohet në miratimin e një buxheti që do të ndihmojë për të hyrë në Eurozonë, tha për "Nova TV" drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Sipas saj, vendi është në prag të zgjidhjes së problemit të..
41 për qind e kompanive anëtare të Dhomës Bullgare të Tregtisë presin rënie të ekonomisë në vitin 2025. Përderisa 21 për qind besojnë se nuk do të ketë ndryshim në krahasim me vitin 2024. 65 për qind e të anketuarve presin një përkeqësim të biznesit..
Në periudhën janar - shtator 2024 eksporti i mallrave nga Bullgaria drejt BE-së u ul me 3.6% krahasuar me një vit më parë dhe arriti në 20 895 miliardë euro. Partnerët kryesorë tregtarë janë Gjermania, Rumania, Italia, Greqia dhe Franca, të cilat..