Për të bërë një thikë të mirë nevojiten njohuri, kujdes dhe shumë punë, thotë Ivan Kjupov nga fshati Krupnik (Bullgaria Jugperëndimore). 35-vjeçari nuk e ka të trashëguar mjeshtërinë e tij brez pas brezi. Interesi për të bërë thika ka ekzistuar brenda tij që nga fëmijëria, por 8 vjet më parë ai filloi të studionte zanatin - nga video në internet, libra, artikuj dhe biseda me mjeshtra më të vjetër. Sot, Ivan Kjupov është një nga prodhuesit e paktë të thikave në Bullgari.
“Bërja e një thike cilësore kërkon aftësi dhe mjeshtëri të madhe. Zanati është i pranishëm dhe i respektuar në një sërë kulturash në mbarë botën. Dhe ky nuk është vetëm zanat, por edhe art, sepse çdo thikë është unike, ka një histori”, i thotë mjeshtri i vetëmësuar Iva Seizovës nga BNR-Blagoevgrad.
Ai prodhon të gjitha llojet e thikave - nga ato të shtëpisë, deri te ato të gjuetisë dhe ato prej metalesh të çmuara. Në varësi të dizajnit dhe kompleksitetit të detajeve, atij i duhen nga 5 deri në 20 ditë për të bërë një thikë.
"Në parim thika nuk jepet si dhuratë, ajo duhet blerë. Por po, njerëzit marrin edhe thika si dhuratë. Ka interes. Dhe jo vetëm gjatë festave, por edhe gjatë kohës tjetër. Unë bëj thika të cilësisë më të lartë, me çelik dhe materiale mbajtësesh të cilësisë më të lartë, madje kam thika prej metalesh të çmuara. Çmimi përcaktohet nga materialet, koha e punës, elementët e ndryshëm, gdhendjet, mbishkrimet, kutitë, d.m.th. çmimi është relativ dhe varet nga konfigurimi që klienti dëshiron. Këllëfi është thjesht diçka dytësore që plotëson thikën, por ai mund të jetë edhe aksesori kryesor, sepse aty tashmë mund të bësh gdhendje, ta veshësh me lëkura të ndryshme ekzotike - gjarpri, krokodili, stingray."
Sipas mjeshtrit, këto ditë padyshim ka interes për thikat - si nga koleksionistët ashtu edhe nga njerëzit që u duhet për punë, për gjueti:
“Çdo thikë është bërë pothuajse individualisht, duke filluar nga një copë çeliku të cilës i jepet formë. Fillimisht skicohet thika, zgjidhet çeliku, materiali për mbajtësen. Formohet tehu, mprehet thika- ky është procesi më i rëndësishëm në prodhimin e një thike. Pastaj bashkohen pjesët, montohet, lëmohet, përfundohet. Pasi të jetë bërë këllëfi, thika mprehet dhe është gati për përdorim."
Çfarë e bën një thikë një vepër arti?
“Fakti që është e punuar në mënyrë individuale, është pothuajse e pamundur të bësh një të dytë si ajo – thotë mjeshtri i vetëmësuar. – Është i rëndësishëm edhe vetë konfigurimi i materialeve, sidomos për sa i përket mbajtëseve. Shumica e tyre janë të punuara prej material druri të stazhionuar, tek i cili vijëzimet dhe ngjyrat janë unike për çdo thikë, dhe nga kjo vjen individualiteti i çdo punimi."
Ivan Kjupov thotë me krenari se nuk ka thika që presin të gatshme në punëtorinë e tij - "çdo gjë që është bërë shkon menjëherë te klienti". Kjo është arsyeja pse nuk është e lehtë të grumbullojë më shumë thika për të marrë pjesë në ekspozita rajonale ose aktivitete në ambient të hapur. Por ai nuk mungon të tregojë mjeshtërinë e tij, përfshirë këtu edhe në Sopot, ku sipas tij zhvillohet evenimenti më i madh në ambient të hapur i prodhimit të thikave në Bullgari.
Intervistë: Iva Seizova - BNR, Bllagoevgrad
Foto: BNR-Blagoevgrad, simitli.info, FB / Ivan Kyupov
Përgtatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por..
Thonë se për të njohur një vend duhet jo vetëm ta shohësh me sy, por edhe ta shijosh. Çdo fshat bullgar, çdo qytet apo rajon ka frymën dhe aromën e vet specifike. Një nga mënyrat për t'i njohur janë rrugët gastronomike, të cilat po fitojnë popullaritet të..
Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me..