Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

Direktiva "E drejta e riparimit": a po vjen fundi i modelit "merr, bën, hedh"

Në mars të vitit 2026, konsumatorët bullgarë mund të presin që direktiva të bëhet pjesë e legjislacionit bullgar

Foto: arkiv

Në të ardhmen, do të jetë shumë më e lehtë dhe më e lirë të riparojmë pajisjet tona shtëpiake, madje edhe telefonat inteligjentë, në vend që të blejmë të reja dhe më të shtrenjta - kjo garantohet nga legjislacioni i ri evropian. Në vend të një garancie dyvjeçare kur blini një pajisje të re, Bashkimi Evropian do t'i kërkojë prodhuesit dhe shitësit me pakicë të japin edhe një vit tjetër garancie pas riparimit të saj. Prodhuesit e pajisjeve elektrike shtëpiake nuk do të lejohen më të prodhojnë produkte që nuk mund të riparohen, ndërsa tregtarët nuk do të lejohen më të refuzojnë riparimin e tyre. René Repasi nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve – kryenegociatori i Parlamentit Evropian është kategorik:

"35 milionë tonë plehra gjenerohen nga fakti që edhe pse një produkt mund të funksionojë, ne nuk e riparojmë, por e hedhim. Kjo është kundër qëndrueshmërisë dhe konsumatorët kanë treguar qartë interesin e tyre për më shumë opsione për riparime në vend që thjesht të blejnë një produkt të ri."

Në dekadat e fundit shpesh preferohet zëvendësimi në vend të riparimit kur pajisjet shtëpiake dështojnë dhe konsumatorët nuk kanë stimuj të mjaftueshëm për të riparuar mallrat pas skadimit të periudhës së garancisë. Është gjithashtu një mendim i përgjithshëm se pajisjet që shiten në treg nuk justifikojnë besimin e klientëve dhe mendimi masiv i konsumatorit bullgar është se pajisjet prishen shumë shpejt:

Pse e humbëm ndjenjën se po blejmë një makinë larëse për tërë jetën dhe cilat janë arsyet e telasheve të konsumatorëve – Ju ofrojmë mendimin e Atanas Stefanov - menaxher i një ofiçine për riparimin e pajisjeve shtëpiake:

Sigurisht që teknika nuk është aq e qëndrueshme sa ishte 20 vjet më parë. Çdo gjë prishet - lavatriçet, pjatalarëset, pajisjet e ngrohjes, aparatet e kafes - absolutisht gjithçka prishet. Ka shumë arsye për këtë: së pari, që konsumatori kërkon mallra më të lira dhe për këtë arsye jo veçanërisht cilësore, të cilat kërkojnë riparime të shpeshta dhe në shumicën e rasteve riparime të shtrenjta. Në një përqindje të madhe të rasteve, riparimi i afrohet, madje e tejkalon çmimin e një pajisjeje të re. Krejt logjikisht, klientët vendosin të blejnë një të re."


Si mund të stimulohet e drejta e riparimit?

Duhet të ulen çmimet e pjesëve, pajisjet duhet të prodhohen në mënyrë që të mund të riparohen, të mos zëvendësohen nyje të tëra të pajisjeve të caktuara, sepse në një përqindje të madhe të rasteve pothuajse gjithçka në pajisje duhet të ndërrohet për të funksionuar. Në të njëjtën kohë, vetë pjesët janë shumë të shtrenjta, si pjesë këmbimi. Tani për tani nuk po shoh një mënyrë për t'i bërë prodhuesit të ulin çmimet e pjesëve dhe t'i bëjnë pajisjet të funksionojnë."

Ankesat lidhur me garancitë dhe pajisjet elektrike shtëpiake të blera janë ndër më të shpeshtat në Komisionin për Mbrojtjen e Konsumatorit, tha për BNR Ignat Arsenov – Drejtor i Drejtorisë kryesore “Kontrolli i tregut”:

Ignat Arsenov

Shumë shpesh, konsumatorët bullgarë preferojnë të kërkojnë ndërrimin e produktit, kur prishet, sepse nuk kanë besim nëse do të riparohet në mënyrë cilësore, nëse mund të kenë besim te ky produkt, pasi, për shembull, garancia e tij skadon. Mendoj se me këtë direktivë, duke dhënë 12 muaj garanci shtesë pas riparimit, sidomos kur është afër përfundimit të garancisë, konsumatorët do të nxiten të kërkojnë riparim në vend që ta hedhin njësinë. Kjo e drejtë do të zbatohet edhe pasi të ketë skaduar periudha e garancisë. Kërkesa e direktivës është që kjo të bëhet me çmime të arsyeshme, por në asnjë mënyrë nuk synohet të rregullojë apo kontrollojë çmimet. Është më shumë për t'u dhënë njerëzve një lloj tjetër zgjedhjeje."

Brenda pak javësh do të miratohet dhe shpallet Direktiva për të Drejtën e Riparimit dhe shtetet anëtare të BE-së do të kenë dy vjet kohë për ta miratuar atë. Kështu, konsumatorët bullgarë mund të presin që direktiva të bëhet pjesë e legjislacionit bullgar në mars të vitit 2026. Të gjitha rregullat e shkruara në të do të vlejnë edhe për pajisjet shtëpiake të blera në internet - shpjegon Sonja Spasova, drejtoreshë e Qendrës Evropiane të Konsumatorit:

Sonja Spasova

Shpresoj që me hyrjen në fuqi të legjislacionit përkatës kombëtar, konsumatorët do të kenë një mundësi më të madhe për të përdorur pajisjet që duan, që dinë se i shërbejnë mirë dhe pasi të riparohen, ky përdorim do të vazhdojë. Kjo e drejtë për të riparuar produktet nuk do të varet nga fakti nëse produktet blihen në dyqan, ose në internet. E rëndësishme është që ato të blihen nga një tregtar që është i regjistruar në Bashkimin Evropian”.

Një vlerësim fillestar nga Komisioni Evropian tregon se zbatimi i Direktivës për të Drejtën e Riparimit do të kursejë rreth 18 milionë ton CO2 gjatë 15 viteve – ndërkohë ajo do t’u kursejë konsumatorëve 176 miliardë euro.

Sipas Evgenia Tashevës, pjesë e ekipit “Mbeturina Zero” në Shoqatën “Për Tokën”, do të duhen shumë vite për një ndryshim në shkallë të gjerë:

Këtu po flasim edhe për kalimin nga modeli aktual i menaxhimit bazuar në fitimin e këtyre prodhuesve të cilët kanë qëllim shitjen e më shumë produkteve, sa më shpejt. Ky model padyshim duhet të ndryshojë dhe këta janë hapat që po bën BE-ja. Shpesh ofrohet modeli "marrje me qira", d.m.th. ne tashmë pushojmë së qeni pronar i atij objekti që përdorim. Ai qëndron me ne, punon për ne, por në fakt prodhuesi na shet shërbimin dhe ka përgjegjësinë për ta mbajtur atë shërbim në rregull. Në këtë mënyrë, nëse diçka prishet, nuk do të jetë shumë e komplikuar - prodhuesi do të jetë i detyruar ta rregullojë atë dhe t'jua kthejë. Dhe në fakt, rezulton se prodhuesit bëhen pronarë të harduerit dhe na ofrojnë shërbimin, për të cilin ne nuk bëhemi më pronarë, por abonentë”.

Direktiva "E Drejta e Riparimit" është një hap në drejtimin e duhur dhe shpresa është që vendi ynë ta zbatojë brenda afateve të përcaktuara”, thekson Evgenia Tasheva:

Evgenia Tasheva

Të gjithë e dimë fenomenin e pakëndshëm të përdorimit të shpejtë të pajisjeve ose të prishjes menjëherë pas skadimit të garancisë. Fatkeqësisht, shumëllojshmëria e madhe e produkteve të konsumit në këto kategori - elektronikë, pajisje elektrike - ato përmbajnë gjithashtu një sasi shumë të madhe elementësh specifikë që janë toksikë, disa prej të cilëve janë të rrallë dhe të shtrenjtë dhe është turp nëse ato hidhen si plehra. Direktiva është një hap në drejtimin e duhur. Shpresoj se do të vihet në fuqi më shpejt, duke mos pritur dy vitet e zakonshme e më shumë, siç ndodh shpesh me rregulloret evropiane. Sigurisht, kontrolli është shumë i rëndësishëm. Siç e dimë, ka shumë gjëra të bukura të shkruara në ligj, por në praktikë ato nuk funksionojnë gjithmonë kur institucionet që duhet të mbikëqyrin procesin dështojnë. Fatkeqësisht ky është një problem i njohur në fushën e mbetjeve në vendin tonë dhe jo vetëm për këtë lloj mbeturinash”.

Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.

Foto: arkiv, Adelina Angellova, arkiv personal, BNR, www.zazemiata.org

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Chat-i bullgar me inteligjencën artificiale BgGPT mund të shfrytëzohet falas nga të gjithë

Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë  Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në dispozicion për përdorim falas Chat aplikacionin BgGPT me inteligjencë artificiale të gjeneratës së..

botuar më 24-11-25 9.45.PD

Pse Sofja është kryeqyteti i përshtatshëm për Tubimin Panortodoks

Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..

botuar më 24-11-22 7.45.PD

Bullgaria është e para në BE që realizoi inteligjencën artificiale të nivelit të lartë në gjuhën e saj

Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..

botuar më 24-11-20 2.59.MD