Kur një person zbulon talentin brenda vetes, asgjë nuk mund ta ndalojë atë të zhvillohet dhe të ndjekë rrugën e ëndrrave të tij. Dhuntinë e të kënduarit dhe të interpretuarit në skenë e ka këngëtarja e re Viktoria Asenova. Ajo filloi të merret me muzikë që në moshën parashkollore dhe tani në moshën 14-vjeçare ka pas vetes majat dhe njohjet në botën e shou bizit.
Madje, Viktoria Asenova, me emrin artistik VikA, tashmë ka këngën e parë të shkruar enkas për të në Itali – “Heart Babe”. Kështu, këngëtarja bullgare përshtatet me sukses në projektin "Forzza de la musica Italiana", të maestros Enzo Campagnoli, i njohur si dirigjenti i orkestrës së konkursit të madh të këngës "Sanremo".
Shfaqjet e para të Viktorias së vogël ishin me grupin vokal për fëmijë "Sladki Pupanki" (Kokoshka të ëmbla) pranë Pallatit Kombëtar të Fëmijëve në Sofje. Një vlerësim i talentit të saj janë pjesëmarrjet në festivale për interpretues të rinj në Rumani, Ukrainë, Çeki, Gjermani, Portugali. Në korrik 2023, Viktoria prezantoi vendin tonë në formatin për fëmijë të konkursit "Pazari sllav" në Vitebsk të Bjellorusisë, ku u rendit e shtata nga gjithsej 18 pjesëmarrës.
Viktoria Asenova është nxënëse në Shkollën e Mesme Ndërkombëtare "Prof. Dr. Vasill Zllatarski" në Sofje. Ajo udhëton shpesh për në Itali, sepse puna dhe dëshira e saj për të njohur më mirë njerëzit e çojnë atje. Ajo thotë se të jetosh mes mësimeve të këndimit, shkrimit të këngëve dhe shkollës nuk është aspak një detyrë e vështirë, sepse e gjithë është çështje organizimi të mirë dhe shumë dëshirë. Për herë të parë, Viktoria vizitoi Italinë për të marrë pjesë në një konkurs ndërkombëtar. Aty mori një ftesë për t'u bashkuar me një kampus muzikor. “Menjëherë më ofruan të bëja një këngë, ishte shumë e papritur dhe jam shumë krenare që më zgjodhën mua” – tha Viktoria Asenova për Radio Bullgarinë.
"Nëse nuk je i guximshëm, nuk ka asnjë mënyrë që të arrish sukses - të duhet shumë guximdhe besim. Sepse pa besim nuk do të ndodhë. Pa ambicie dhe pa vendosur asnjë objektiv, nuk mund të kesh sukses. Nëse ke një qëllim dhe një ëndërr, asgjë nuk mund të të ndalojë ta arrish atë. Ëndrra ime është padyshim e lidhur me muzikën. Nuk e di se ku dua të shkoj ende, por e di që dua të merrem me muzikë. Kjo është mënyra që unë të jem në gjendje të shpreh ndjenjat e mia. Kënga ime "Heart babe"flet për kaosin e jetës së një adoleshenti. Për shembull, unë nuk jam nga ata njerëz që rregullojnë gjithçka mirë. Është një rrëmujë e madhe me mua sepse jam duke menduar për shumë gjëra në të njëjtën kohë, sepse merrem me shumë gjëra, kjo krijon kaos të vazhdueshëm. Ndonjëherë habis veten që gjërat shkojnë kaq mirë.”
Këngëtarja e re është shumë mirënjohëse për mbështetjen dhe orientimin profesional që merr nga mentorët e saj në Itali. Ajo thotë se sa herë del në skenë e di që nuk përfaqëson vetëm veten, por edhe të gjithë ekipin që qëndron pas këngës.
Kënga mbi të cilën ajo po punon tani quhet “Give me love”. “Kjo është një këngë dashurie dhe ka të bëjë me emocionet e dashurisë së një adoleshenti. Ndoshta kjo është një nga temat e mëdha që janë të pranishme në jetën e çdo adoleshenti. Prandaj preferoj që kënga të jetë më dinamike, më e shpejtë. Më pyesin shpesh pse këngët e mia janë gjithmonë të shpejta, përgjigjem se kam një qëndrim të tillë dhe ndoshta nuk do të shkruaj së shpejti një këngë baladë”, thekson bashkëbiesuesja.
Në këngën “Heart Babe” Viktoria Asenova dërgon mesazhin e saj në anglisht, ndërsa videoja u xhirua në fund të shtatorit në kryeqytetin italian Romë.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Facebook/ VikA
Dara Ekimova tregon arritje të jashtëzakonshme profesionale. Këngëtarja e re arriti të realizonte 16 këngë të reja në një vit e gjysmë, të cilat i mblodhi në albumin debutues të titulluar “Kjo dhomë”. Pak para premierës së tij, ajo incizoi edhe këngën..
Konkursi Kombëtar i Muzikës "Si Luanët" 2024 zhvillohet nga data 18 deri më 20 tetor në Sallën e Koncerteve të BNR Varna. Konkursi muzikor gëzon interes të madh. Fëmijët dhe adoleshentët që aplikuan për të vijnë nga mbi 20 qytete të Bullgarisë - thonë..
Papi Hans është alter egoja artistike e Konstantin Trendafillov - për disa një poet këngëtar, sipas të tjerëve - një këngëtar shkrimtar, por pa dyshim një artist kompleks. Si autor dhe interpretues, Papi Hans bëri një rrugë të gjatë nga hiti tërheqës..
Një grup yjor dhe një këngëtar yjor u bashkuan për të ringjallur një këngë të shkruar gati një çerek shekulli më parë. D2 dhe Grafa incizuan këngën e..