Ai thotë se ka kohë që nuk ndihet i huaj në Bullgari. Kjo është shtëpia e tij, ai e di bullgarishten dhe, si shumica e bashkatdhetarëve tanë, është i emocionuar për situatën politike në vend. Por pasioni i tij më i madh, ajo që i mbush ditët me dritë dhe kuptim, janë qilimat e vjetër bullgarë. Holandezi Jaap van Beelen (Jakob van Bejlen) jeton në Bullgari për gati 16 vjet. Ai është koleksionist dhe pronar krenar i mbi 900 qilimave autentikë nga i gjithë vendi. Së fundmi disa prej tyre u prezantuan në një ekspozitë speciale në Paris, organizuar nga Instituti Kulturor Bullgar.
"Isha shumë i lumtur që për herë të parë qilimat e mi morën pjesë në një ekspozitë jashtë Bullgarisë. 60 qilima të mi u ekspozuan në Paris, por organizatorët më kërkuan të flisja për qilima nga zona më pak të njohura në Bullgari. Kështu, në ekspozitën time u përfshi libri im, në të cilin unë prezantoj 87 qilima me përshkrime të hollësishme të modeleve dhe traditave, etj. Është në anglisht dhe frëngjisht. Me sa e di, ky është botimi i parë mbi këtë temë i shkruar në gjuhë të huaj”, thotë koleksionisti.
Por si lindi interesi i tij për qilimat bullgarë? Në atdheun e tij, Jaap ishte botues i literaturës juridike, por shpirti i tij ishte diku tjetër. Ai pohon se ka qenë gjithmonë adhurues i folklorit tonë. Prandaj, ka punuar edhe si koreograf për grupet e valleve popullore bullgare, rumune dhe hungareze. Ai është gjithashtu themelues i korit “Çubrica” në Amsterdam - një nga koret më të vjetra folklorike bullgare jashtë vendit tonë.
Ai pranon se një nga arsyet e shpërnguljes në Bullgari është se në vendin tonë trashëgimia kulturore bashkëjeton me traditat e gjalla. “E kaluara nuk është e përfaqësuar vetëm në muze, por është ende pjesë e jetës së bullgarëve”, thotë Jaap. Në vitin 2007, holandezi u vendos në qytetin e Kotelit, ku bleu një shtëpi të madhe prej druri pranë Muzeut Etnografik, që përmban një koleksion të pasur të qilimave të Kotelit:
“Vendosa të dekoroj 8 dhomat dhe korridoret me qilima shumë të bukur të Kotlenit, siç e dikton tradita. Dhe njerëzit, duke kuptuar se isha i prirur t'i blija qilimat e tyre, filluan të vinin dhe t'i ofronin ata. Me kalimin e kohës, në çdo dhomë kisha grumbulluar 3, 4, madje edhe 5 qilima njëri mbi tjetrin. Dhe kështu fillova të interesohem për traditën bullgare të qilimave, duke lexuar literaturë shkencore dhe duke kërkuar mostra të vjetra jo vetëm nga Koteli, por edhe nga Çiprovci dhe nga pjesë të tjera të Bullgarisë. Gjatë një prej udhëtimeve të mia në Turqi, pranë qytetit të Konias, gjeta një sasi të madhe qilimash antike të Çiprovcit dhe pata fatin të merrja ekzemplarë të çmuar dhe t'i ktheja në vendin e tyre të origjinës. Kështu filloi gjithçka”, kujton koleksionisti.
Lexoni më shumë:
Përveç qilimave dhe folklorit, Jaap është i magjepsur edhe nga natyra bullgare. Ai ka vizituar shumicën e maleve tona. Madje për një kohë ka punuar në sferën e biznesit turistik:
“Në vitet e para kisha madje një kompani timen për turizëm kulturor dhe ekoturizëm, kam udhëhequr grupe, kryesisht të huaj, ndonjëherë edhe bullgarë, në malet përreth Kotelit, të cilat i njoh përmendësh. U kam treguar Kotelin, Zheravnën dhe veçoritë natyrore përreth – thotë Jaap.
Meqenëse dimrat në Kotel janë të ashpër dhe me kalimin e moshës, holandezit i duhej akses më i lehtë në shërbime mjekësore dhe shërbime të tjera, kohë më parë ai u transferua në Veliko Tërnovo, ku merr pjesë aktive në jetën publike. Ai është anëtar i partisë “Lëvizja e Gjelbër”, ndërsa deri vonë ka qenë edhe këshilltar komunal.
Lexoni më shumë:
Foto: arkiv personal, Facebook/ Jaap van Beelen
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
"Ti thua se je bullgar, por nuk e di gjuhën bullgare" - më shumë se një ose dy nga bashkatdhetarët tanë nga komunitetet historike bullgare në mbarë botën janë përballur me këtë qortim të zyrtarëve në Bullgari. Mes tyre është edhe Bledar Alterziu nga..
Nuredin Nuredinaj është me origjinë nga rajoni historiko-gjeografik i Gorës në Shqipërinë Verilindore, ku 90% e banorëve vetëidentifikohen si bullgarë (Census 2023). Tirana njoftoi të dhëna zyrtare të përditësuara për bullgarët në Shqipëri..
De Là Trâp - ky emër melodioz tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të kulturës hip-hop në vendin tonë edhe këtë vit. Në vetëm dy muaj projekti i përbashkët “333” me reperin hit 100 Kila mblodhi afro 1 milion shikime në një prej rrjeteve të shpërndarjes së..