Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

"Për" ose "kundër" celularëve - një çështje e hapur në shkollën bullgare

Foto: Pixabay

Pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor 2024-2025, lindi ideja e ndalimit të plotë të celularëve në shkollë. Arsyet kryesore për një vendim të tillë janë shkalla e ulët e suksesit në shkollë, shpërqendrimi i nxënësve dhe mbi të gjitha pasojat e dëmshme në psikikën e fëmijëve dhe rritja e agresionit. Meqë ra fjala, sipas ligjit aktual të arsimit shkollor, përdorimi i celularëve në klasë nuk lejohet, por kjo dispozitë nuk respektohet gjerësisht nga nxënësit. Prandaj, e vetmja gjë që mund t'i largojë adoleshentët nga "pajisjet e tyre të preferuara", të paktën gjatë kohës që janë në shkollë, është ndalimi i tyre.

Disa shkolla në vendin tonë që tashmë kanë marrë një vendim të ngjashëm në nivel vendor raportojnë rezultate pozitive - agresioni mes fëmijëve është ulur dhe ata kanë filluar të komunikojnë me njëri-tjetrin në vend që të ngulin sytë në pajisjet e tyre. Edukatorët në to vunë re se nxënësit madje filluan të luanin lojëra të harruara nga e kaluara e afërt. Shembuj të mirë në këtë drejtim vijnë edhe nga disa vende evropiane, si Franca dhe Italia, ku ka edhe rezultate pozitive nga ndalimi i celularëve në shkolla.

Antoaneta Vasileva

Megjithatë, nuk janë të paktë kundërshtarët e kësaj ideje që besojnë se ndalimi i telefonave në shkolla do t'i përkeqësojë gjërat. Sipas Antoaneta Vasileva nga Qendra e Internetit të Sigurt dhe nga Shoqata e Prindërve, fëmijët do të gjejnë një mënyrë për të kapërcyer ndalimin, kështu që është më mirë t'i mbledhin pajisjet në fillim të orëve mësimore. Sipas Vasileva, kjo është një mënyrë që fëmijët të mësojnë të kenë masë dhe sa larg shkojnë kufijtë e tyre, përveç kësaj, telefonat ndonjëherë duhet të përdoren në procesin e të mësuarit. Në këtë drejtim, ka edhe shembuj pozitivë nga praktika arsimore. Ka mësues që përdorin smartfonat kur duan të arrijnë tek nxënësit më të rritur dhe t'i bëjnë ata të lexojnë tekste të caktuara. Pyetja është se cila është masa dhe ku duhet të vendosen kufijtë, sepse psikologët dhe mjekët janë kategorik se celularët të çojnë në varësi. Efekti i tyre është i njëjtë me substancat narkotike. Ekspertët paralajmërojnë se video-lojërat shkaktojnë një rritje të dopaminës të krahasueshme me atë të amfetaminave dhe substancave të tjera. Domethënë, stimulimi i dopaminës çon në varësi.

Në lojërat, të cilat janë motivimi kryesor për të vegjlit për të zotëruar një telefon, dëshira për të fituar pikë dhe përparimi përmes niveleve të lojës i mban të ndezur neuronet dopamine të lojtarit. E lëshuar nën ndikimin e një premtimi shpërblimi, dopamina i bën fëmijët më të ndjeshëm ndaj tundimeve të ekranit. Kjo është edhe arsyeja që ata qëndrojnë si të lidhur me zinxhirë, dhe çdo ndërhyrje prindërore çon në shpërthime nervore, madje edhe agresion nga ana e fëmijëve, të cilët duket se humbasin një ide të vërtetë për realitetin. Vetëm atëherë prindërit fillojnë të pyesin veten nëse ky proces është një argëtim i jashtëzakonshëm për fëmijët e tyre, apo një manipulim i qëllimshëm komercial i krijuesve të lojërave kompjuterike. Varet nga këndvështrimi, apo jo? Por është fakt se gjithnjë e më shumë prindër në Bullgari dhe në mbarë botën përballen me këtë problem, zakonisht kur është tepër vonë dhe fëmijët e tyre bien në një krizë nervore të pandalshme, të ngjashme me atë të narkomanëve. Tashmë të varur nga pajisjet dhe lojërat, “fëmijët e ekranit” nuk kontrollojnë emocionet e tyre, izolohen dhe komunikojnë me prindërit dhe bashkëmoshatarët e tyre me vështirësi në rritje.

Dhe në Bullgari ky problem po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, sepse në shoqëri ende ekzistojnë idetë se fëmijët bëhen më të zgjuar duke luajtur me smartfonë që në moshë të vogël. Dhe nëse prindërit janë nën ndikimin e teknologjive moderne, edhe fëmijët e tyre e perceptojnë këtë zakon si krejtësisht normal. Prandaj, rezistenca ndaj heqjes së pajisjeve nga shkollat ​​në Bullgari nuk ka gjasa të zvogëlohet derisa të bëhet një analizë aktuale eksperte e përfitimeve dhe dëmeve të teknologjive digjitale.

Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Pixabay, Pexels, Qendra Kombëtare për Internet më të Sigurt, Tanja Millusheva




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Gjeorgjia: tërheqja nga vlerat evropiane dhe përgjigja e mundshme e BE-së

Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së u mblodh për të diskutuar vendosjen e masave shtesë kundër autoriteteve gjeorgjiane lidhur me përdorimin brutal të forcës nga policia, ndalimin e protestuesve dhe liderëve të opozitës dhe persekutimin e synuar të..

botuar më 24-12-17 8.40.MD
Lojat me maska

Në Sofje hapet ekspozita "Thesaret e gjalla njerëzore - Bullgari"

Instituti i Etnologjisë dhe Folklorit me Muzeun Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave hap ekspozitën "Thesaret e Gjalla Njerëzore - Bullgaria" në qendër të Sofjes, nën kupolën “Largoto”. Ekspozita paraqet 44 elementët e trashëgimisë..

botuar më 24-12-17 5.55.PD

Një projekti ruan traditat dhe zakonet e bullgarëve të Bosilegradit

Shoqata "GLAS" - Bosilegrad mblodhi në një seri prej 25 video-raportesh histori nga e kaluara dhe e tashmja e shumicës së fshatrave të Bosilegradit të banuara nga bullgarë etnikë. Videot mund të ndiqen përmes portalit "Glaspress" dhe Agjencisë..

botuar më 24-12-16 4.04.MD