Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së u mblodh për të diskutuar vendosjen e masave shtesë kundër autoriteteve gjeorgjiane lidhur me përdorimin brutal të forcës nga policia, ndalimin e protestuesve dhe liderëve të opozitës dhe persekutimin e synuar të përfaqësuesve të medias nga autoritetet dhe grupe të dhunshme. Institucionet evropiane këmbëngulin që të hetohen të gjitha raportet e torturës dhe i bëjnë thirrje partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” që të qetësojë tensionet në vend.
Përfaqësuesja e re e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, lëshoi një paralajmërim për autoritetet në Tbilisi, duke shkruar në rrjetin social X: "Ne jemi me popullin gjeorgjian dhe zgjedhjen e tij për një të ardhme evropiane. Ne dënojmë dhunën ndaj protestuesve dhe tërheqjen e vendit nga demokracia. Kjo do të ketë pasoja të drejtpërdrejta nga ana e BE-së”.
Nga ana e saj, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen shkroi në X: “Dera e BE-së mbetet e hapur për Gjeorgjinë”, duke shprehur keqardhjen që qeveria në Tbilisi po devijon nga parimet e Bashkimit Evropian.
Parlamenti Evropian dënoi ashpër ndërhyrjen sistematike të Rusisë në proceset demokratike të Gjeorgjisë përmes dezinformimit, por shteti rus mohon akuza të tilla.
Bashkimi Evropian ka reaguar me vendosmëri ndaj tërheqjes së demokracisë. Zgjedhjet në Gjeorgji nuk i plotësojnë standardet që priten nga një vend me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE - deklaroi kategorikisht në mes të nëntorit në PE, ish-zëvendëspresidenti i KE-së, Margaritis Schinas. Ai informoi se, në koordinim me shtetet anëtare, KE-ja ka ulur vlerësimin e kontakteve politike dhe ka pezulluar ndihmën kritike - 30 milion euro nga ndihma e Mekanizmit Evropian dhe 121 mln. euro ndihmë direkte për qeverinë. Si rezultat, procesi i pranimit të Gjeorgjisë është ndalur efektivisht:
“Këto masa do të mbeten në fuqi derisa autoritetet të ndryshojnë mënyrën e tyre të veprimit. Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë të palëkundur për shoqërinë civile gjeorgjiane dhe mediat e pavarura. Çdo ri-angazhim i ardhshëm me udhëheqjen gjeorgjiane do të mbështetet nga kushte të qarta dhe strikte, të përshkruara gjithashtu në raportet e Komisionit për zgjerimin. Qeveria duhet të riangazhohet për axhendën e reformave, duke përfshirë zbatimin e nëntë hapave të përcaktuar nga Komisioni. Duhet gjithashtu të trajtojë dezinformimin, lajmet e rreme dhe retorikën anti-evropiane. Nuk ka alternativë për rrugën evropiane të Gjeorgjisë. Kushtet janë janë të qarta: demokracia dhe shteti i së drejtës. Sa më shpejt të kuptohet kjo në Tbilisi, aq më mirë.”
PE hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjeorgji dhe i bëri thirrje BE-së të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve dhe liderëve politikë në Gjeorgji që janë përgjegjës për tërheqjen nga demokracia dhe të kufizojë kontaktet zyrtare me qeverinë gjeorgjiane.
Protestat në Gjeorgji nuk janë qetësuar dhe kanë vazhduar për mbi 18 net tashmë – mijëra janë mbledhur para ndërtesës së parlamentit në shenjë proteste. Dhe e gjithë kjo pasi kryeministri Irakli Kobakhidze deklaroi:
“Ne morëm një vendim që deri në fund të vitit 2028 të mos ngremë çështjen e fillimit të negociatave me BE-në dhe ne gjithashtu refuzojmë fondet evropiane deri atëherë.”
Demonstratat masive u shndërruan në përleshje dhe dhunë me forcat e rendit duke përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome kundër demonstruesve.
Mbi 400 u arrestuan dhe mbi 300 u plagosën gjatë përleshjeve. Një valë e re zhgënjimi pritet pasi ish-futbollisti profesionist Mikheil Kavelashvili u zgjodh kryetar i shtetit në një zgjedhje indirekte, ndërsa presidentja properëndimor në largim Salome Zurabishvili e quajti zgjedhjen e tij "një parodi", duke këmbëngulur:
“I vetmi institucion kushtetues, legjitim në vend përfaqësohet nga unë”.
Kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze hodhi poshtë kritikat perëndimore dhe tha se policia ka "mbrojtur me sukses shtetin nga një përpjekje tjetër për të prishur rendin kushtetues" duke mohuar çdo lidhje me Rusinë. Kobakhidze këmbëngul se partia mbetet e përkushtuar ndaj kandidaturës së Gjeorgjisë për anëtarësim në BE dhe vetëm kundërshton "shantazhin dhe manipulimin" nga politikanët nga Brukseli.
Por për protestuesit nuk ka kthim prapa, tha Vano Chhikvadze nga Fondacioni “ Shoqëria Civile” në Tbilisi në një intervistë për BNR:
“Rezultatet ishin padyshim të falsifikuara. Dhe tani ne kemi një parlament të paligjshëm që zgjodhi një qeveri të paligjshme. Prandaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të dalim sërish në rrugë dhe të protestojmë. Praktikisht të gjitha institucionet shtetërore janë të pushtuara nga partia në pushtet. Ndërkohë, "Ëndrra Gjeorgjiane" përgjigjet me forcë - shtyp protestën. Ata ndjekin liderët e opozitës, i arrestojnë, policia bastis shtëpitë dhe zyrat e tyre. Situata është e vështirë. Kërkesat e shoqërisë civile janë përgjithësisht dy. E para është lirimi pa kushte i të arrestuarve gjatë protestave. Dhe e dyta - për të mbajtur zgjedhje të reja. Kriza politike është tashmë shumë e thellë dhe kjo është e vetmja zgjidhje e mundshme”.
Skenarët politikë me të cilat përballet Gjeorgjia janë mjaft negative, parashikon politologu Dimitër Beçev, studiues i lartë në Carnegie Europe, me fokus në zgjerimin e BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore. Në një intervistë për rubrikën "Evranet +", Beçev theksoi:
“Për fat të keq, në afat të shkurtër, skenari është negativ, sepse javët e fundit kemi parë një intensifikim të represionit nga partia qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane” ndaj shoqërisë civile dhe opozitës. Kuptova që presidenti francez Emmanuel Macron ka pasur një bisedë telefonike private me liderin informal të “Ëndrrës Gjeorgjiane”, Bidzina Ivanishvili, dhe nuk do të habitesha nëse do të ishin bërë disa kërcënime për veprime negative nga BE-ja, për aq sa është e mundur, ndaj udhëheqjes në Tbilisi, gjë që sugjeron se situata po merr një kthesë për keq, të paktën në afat të shkurtër, sepse nuk do të ketë mundësi - zgjedhjet janë tashmë pas nesh, me të gjitha manipulimet, por nuk ka gjasa që shoqëria civile dhe Perëndimi të kenë mundësinë të provokojnë zgjedhje të reja dhe të bindin "Ëndrrën Gjeorgjiane" të shkojë sërish në votime.”
Çfarë do të thotë kjo në terma afatgjatë për shoqërinë gjeorgjiane?
“Kjo do të thotë një shkallë më të madhe ndarjeje, ndoshta valë të reja demonstratash të ndjekura nga represioni, të cilat nga ana e tyre do të zgjerojnë hendekun me BE-në. "
Përtej politikës së zgjerimit, si mund të punojë BE-ja në mënyrë aktive me vendet potenciale kandidate? Si mund të ndërhyhet në mënyrë më radikale në një situatë të tillë në interes të vendit kandidat që deklaron pikëpamjet e tij pro-evropiane?
“Bashkimi Evropian vepron kryesisht në drejtim të “karotës” dhe jo në drejtim të “shkopit”, sepse ofron përfitime tregtare dhe ekonomike që janë një nxitje për vendet dhe shoqëritë e tyre për të ndjekur rrugën e reformave – për të demokratizuar sistemin e tyre të brendshëm, duke përmbushur në këtë mënyrë kriteret. Megjithatë, aktualisht, në një sërë rastesh, shohim se ky lloj politike nuk funksionon dhe arsyet janë të shumta dhe të ndryshme. Nga njëra anë, BE-ja nuk i ka hapur dyert gjerësisht dhe kriteret vlerësohen mjaft rreptësisht. Nga ana tjetër, elitat në shumë prej këtyre vendeve nuk janë të gatshme të sakrifikojnë ndikimin, resurset dhe fuqinë ekonomike për të përmbushur kriteret dhe për të arritur standardet e BE-së, sepse kjo do të thotë disa sakrifica dhe rrjedhimisht rezulton një rreth vicioz. Duke shkuar më në lindje, në kushte gjithnjë e më të vështira gjeopolitike, gjasat ulen. Gjeorgjia është përgjithësisht në fund të radhës – ajo ishte e vetmja që nuk filloi negociatat me BE-në për shkak të shkeljes së lirive demokratike.”
Realisht, ka pak shanse që Gjeorgjia të bëhet anëtare e BE-së në vitet e ardhshme. A është provokim ndaj BE-së ajo që bëri kryeministri Kobakhidze apo është një kurs i ri politik për Gjeorgjinë?
“Është e vështirë të thuhet, por, po, është kryesisht një provokim sepse tregon se politika evropiane nuk po funksionon dhe se Gjeorgjia ka disa opsione të tjera të mundshme. Të mos harrojmë se lidhjet me Rusinë po forcohen gjithnjë e më shumë. Për shembull, sa u përket rrymave tregtare për të anashkaluar sanksionet, por nga ana tjetër, kjo është një mënyrë për të krijuar një lloj tjetër modeli integrues, ku vende si Gjeorgjia, madje edhe Serbia fqinje, kërkojnë integrim të pjesshëm, pa anëtarësim, me përfitime ekonomike - si tregtia e lirë, udhëtimi pa viza, por pa angazhime politike dhe pa aftësinë e Brukselit dhe të vendeve anëtare të BE-së për të imponuar standardet e tyre politike. Në përgjithësi, kjo sjellje nacionaliste po bëhet një lloj norme, por, natyrisht, kjo është një iluzion, sepse BE-ja nuk mund të ulë standardet e veta për shkak të Ivanishvilit ose për shkak të Vuçiqit.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Jeta e miliona njerëzve anembanë botës, që jetojnë në kushte lufte, urie, sëmundjesh dhe dëshpërimi të pamasë, është në rrezik çdo ditë. Emigrantëve nga vende të tilla ne shpesh u afrohemi me armiqësi dhe jo me mirëkuptim. Ajo që ata kanë përjetuar..
Më shumë se 1000 njerëz janë përfshirë në fazën pilot të projektit “Gjenomi i Bullgarisë”, i cili synon të mbledhë dhe analizojë një mostër përfaqësuese të gjenomave të bullgarëve bashkëkohorë. Me iniciativën, vendi ynë do të kontribuojë në një projekt..
Prej më shumë se një jave historia e një familje blegtorësh që rritin raca vendase të deleve ka tërhequr vëmendjen e publikut në Bullgari, por edhe të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Dhe në vend që të ndiqte teatrin në parlament dhe luftërat për..
Shoqata "GLAS" - Bosilegrad mblodhi në një seri prej 25 video-raportesh histori nga e kaluara dhe e tashmja e shumicës së fshatrave të Bosilegradit të..
Instituti i Etnologjisë dhe Folklorit me Muzeun Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave hap ekspozitën "Thesaret e Gjalla Njerëzore -..