Java e martesës në Bullgari është akoma një shkas që të bisedojmë për marrëdhëniet në familje

Java e martesës në Bullgari feston për të tetin vit me radhë martesën e qëndrueshme – bashkimin mes burrit dhe gruas, të cilat janë përkushtuar njëri ndaj tjetrit deri në fund të jetës së tyre. Këtë e kanë shkruar organizatorët e iniciativës, e cila është pjesë e Javës Ndërkombëtare të Martesës dhe zhvillohet nga 7 deri në 14 shkurt në mbi 26 vende në botë.

Sipas një sondazhi të zhvilluar para pak kohe martesa po vazhdon të përbëjë vlerë për shumicën e bullgarëve. Nga të gjithë të anketuarit 53 për qind mendojnë se njerëzit në Bullgari duhet të lidhin martesa, derisa 37 për qind janë të mendimit të kundërt. Sipas studimeve, në qoftë se duam lidhje të qëndrueshme martesa është mënyra më e mirë që ta arrijmë këtë. Sipas të dhënave të Eurostatit gjatë 2013-ës Bullgaria ka qenë në vend të fundit për nga numri i martesave të lidhura për frymë të popullsisë në mbarë Evropën. Gjatë 2017-ës po vëzhgohet përmirësim me disa pozita, sepse në Bullgari gjatë 6 viteve të fundit ka rritje prej 35 për qind të numrit të martesave të lidhura, gjë që inkurajon përpjekjet e organizatorëve të Javës Kombëtare të Martesës. Ka të dhëna, sipas të cilave bashkëjetesat pa martesë zakonisht janë më të shkurtra në krahasim me ato me martesë. Vazhdimësia e tyre mesatare është rreth 2-3 vjet, derisa vazhdimësia mesatare e lidhjeve martesore është 16 vjet, ndoshta sepse për martesën njeriu e merr vendimin duke e menduar paraprakisht.

Gjatë bashkëjetesës dy partnerët nganjëherë fillojnë të ndjekin qëllime të ndryshme, duke thënë se kjo është diçka e përkohshme, por kështu mund të kalojnë vite me radhë. Pasi njeriu e ka deklaruar qartë vendimin e vet, siç është në rastin e martesës, atëherë ai është më i prirë për ta respektuar. Ky vendim shprehet nëpërmjet nënshkrimit, dëshmitarëve të martesës dhe festës, me të cilat ai do që ta shënojë publikisht këtë vendim të tij” – thotë Mihaella Xhorgova, koordinatore e ekipit, i cili e organizon aktivitetin në Bullgari:

Java e martesës i inkurajon njerëzit e çdo një sfere të shoqërisë – specialistët e shëndetit familjar, përfaqësuesit e kishës, të organizatave joqeveritare, biznesit, për të bërë edhe ata diçka për familjen dhe martesën. Gëzohemi se u përfshinë shumë njerëz, do të ketë shumë ngjarje në Sofje, mbrëmje romantike dhe koncerte. Qëllimi është që t’u rikujtojmë çifteve se duhet të investojnë në martesën e tyre, të mësojnë diçka të re, të përgatiten për një komunikim më të mirë. Një prej synimeve tona është që të rikujtojmë se martesa dhe krijimi i familjes është një kauzë që ia vlen dhe se koha që njeriu ia përkushton partnerit dhe fëmijëve është një investim i rëndësishëm dhe se përpjekjet shpërblehen. Shpeshherë në jetën tonë të përditshme ne nuk i bëjmë përpjekjet e domosdoshme dhe pasojat janë negative – divorce, prindër të vetmuar, borxhe. E gjithë kjo është rrjedhim i faktit se i injorojmë nevojat tona për afërsi, përkrahje dhe krijim besimi dhe dashurie mes neve. Studimet në mbarë botën tregojnë se çiftet që vazhdojnë të jenë në marrëdhënie të afërta dhe janë në martesë, jetojnë më gjatë, gëzojnë shëndet të mirë dhe në përgjithësi janë më të kënaqura nga jeta. Është konstatuar se martesa e rrit cilësinë emocionale, fizike dhe financiare të jetesës. Prandaj sivjet fokusi dhe sfidat ndaj çifteve familjare i janë drejtuar pikërisht kësaj – ta thellojmë dashurinë dhe miqësinë mes nesh.

Java e martesës ka qëllim preventiv, thotë Mihaella Xhorgova . Ajo nga njëra anë ka qëllim t’i ndihmojë çiftet për t’u kujtuar se çfarë i ka bërë që të dashurohen dhe të përkushtohen njëri ndaj tjetrit, ndërsa nga ana tjetër – të kuptojnë për se kanë nevojë, që ta mirëmbajnë dashurinë në martesën e tyre.

Të gjithë që dëshirojnë mund të marrin buletinin tonë elektronik dhe çdo mëngjes nga 7 deri në 14 shkurt ne do të sigurojmë sfidë dhe ofertë ndaj çifteve për hapa konkretë, të cilët mund të bëjnë, që të krijojnë një atmosferë afërsie, një besim më të madh dhe mënyra për shmangien e konflikteve. Do të ketë këshilla praktike nga ana e specialistëve, gjë me të cilën shpresojmë se do të ndihmojmë. Java e martesës është një shkas për bashkëshortët që të dalin nga rutina e jetës së tyre të përditshme, ta vendosin martesën e tyre në fokus dhe të kuptojnë se njeriu pranë tyre nuk është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë, por ka nevojë për vëmendje dhe kuptim.”

Richard dhe Maria Kane

Në përkrahje të iniciativës te ne për Javën e Martesës këtu erdhën iniciatorët e fushatës – familja Richard dhe Maria Kane nga Britania e Madhe. Gjatë takimit me publikun bullgar familja Kane tregoi historinë e vet familjare dhe çfarë i ka frymëzuar, që të punojnë për popullarizimin e Javës së Martesës edhe jashtë atdheut të tyre para 23 vitesh.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: arkiv personal

Më shumë nga rubrika

Festa e gjellës më bullgare është në fshatin Smiljan

Një tas me gjellën e ngrohtë më karakteristike dhe të shijshme bullgare do të mbledhë në festën e Rodopeve adhuruesit e fasules së fshatit Smiljan. Edhe sikur të vijnë miq nga i gjithë vendi për çdonjërin do të ketë nga një tas nga specialiteti i cili e..

botuar më 19-10-17 2.02.MD

Inceneratori në Sofje ngre pyetje pa përgjigje të qarta

Djegia e mbetjeve në Sofje mendohet nga Komuna e Sofjes dhe “Ngrohja Qendrore Sofja” akoma që nga viti 2008. Që atëherë deri tani, bashkia nuk i ka parasysh zhvillimet pozitive në legjislacionin për menaxhimin e mbeturinave në Bashkimin Evropian, as në..

botuar më 19-10-14 5.11.MD
Foto: EPA/BGNES

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë duke u përgatitur për një “Shengen të vogël” Në Novi Sad Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë Zoran Zaev dhe Edi Rama u morën vesh për..

botuar më 19-10-14 1.19.MD