E quajnë kishën e çudirave, sepse i ndihmon njerëzit, të cilët e kanë humbur shpresën për kurimin e tyre. Është ndërtuar për nder të Shën Andonit në qytetin e vogël malor Mellnik, i cili është i njohur për kuriozitetet e tij natyrore dhe verën e mirë të llojit më të vjetër bullgar – hardhia e madhe e Mellnikut.
Tempulli i Mellnikut është i vetmi te ne, i cili mban emrin e shenjtorit. Bazilika me një nef është ndërtuar në vitin 1846, ndërsa pikturat e rralla në mur e radhitin ndër monumentet e kulturës me rëndësi kombëtare, si pjesë e rezervatit historiko-kulturor “Mellnik”. “Ajo është djegur pjesërisht, por kurrë nuk është shkatërruar deri në themelet e saj”, na tregon Ati Nikollaj nga Mellniku dhe shton:
“Për dallim nga tempujt e tjerë, ku ka subjekte të Shkrimit të Shenjtë dhe ikona shenjtorësh, në kishën “Shën Andoni” pikturat në mur krijojnë një atmosferë shtëpiake. Dritaret me perde, të pikturuara me lule dhe engjëj, krijojnë ndjenjën e komoditetit dhe të paqes shpirtërore. Siç tani ka metoda kuruese me lule dhe muzikë, këto piktura gjithashtu janë krijuar nga stërgjyshërit tanë me këtë qëllim – ta mjekojnë shpirtin."
Rikrijimi i atmosferës shtëpiake dhe prania e engjëjve dhe kerubinëve u japin shpirtrave të humbura fuqinë dhe sigurinë për të cilat ato kanë nevojë. Nuk është e rastit se në mes të tempullit ka një pllakë të posaçme me shenjën e Shën Joan Teologut – një shqiponjë me dy krerë, e cila simbolizon lartësinë e shpirtit. Prandaj mendohet se pikërisht atje të sëmurët shërohen nga sëmundjet e rënda, duke e parë ikonën çudibërëse të Shën Andonit. Ikonostasi, si dhe pikturat në mur, dallohen nga ato në kishat e tjera.
“Ai është vepër e një mjeshtri vendas – vazhdon tregimin e vet Ati Nikollaj. – Nuk është drugdhendje, por është pikturuar me ngjyra lara lara. Djathtas tij ndodhet ikona e Shën Andonit. Në të vërtetë ndikimi i saj është shumë i fortë. Në fakt para çdo një ikone, po të përulemi me besim dhe zemër të pastër, do të ndiejmë ndikimin e saj. Siç thonë, “Besimi është përfytyrimi i gjallë i asaj që nuk shihet dhe i asaj për të cilën shpresojmë”. E gjithë kjo është rrjedhim i besimit në Zot, i shtuar nga lutjet e Shën Andonit dhe i zbaton të ashtuquajturat “çudira”. Shën Andoni ka qenë egjiptian dhe po të mund të përgjithësojmë më të rëndësishmen për të duhet të themi se ai është themeluesi i murgërisë së krishterë. Meqenëse Shën Andoni ka jetuar sipas rregullave të Zotit, ai ia ka dhuruar atij fuqi kuruese. Shembulli i tij na tregon se përveç besimit nevojiten vepra – besimi pa vepra është i vdekur.”
“Ne sëmuremi, që të ngrihet shpirti ynë” – kështu na mëson Kisha. Sipas gjithnjë e më shumë mjekëve kur të sëmuremi, sidomos nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, arsyeja më shpesh është në mënyrën e jetesës dhe është rezultat i ndonjë traume shpirtërore. “Zoti e ka lejuar këtë, që të shpëtohet shpirti ynë. Prandaj kur të sëmuremi le t’i drejtohemi Zotit dhe ai pas kësaj do të na udhëheqë se si të mjekohemi” – shënon Ati Nikollaj. Sipas fjalëve të tij gjatë natës para 17 janari tempulli mbushet me shumë besimtarë, të cilët tërë natën luten për shpëtim dhe kurim. Të nesërmen, më 18 janar, është festa e Shën Athanasit të Madh. E dimë se Shën Athanasi ka qenë nxënës i Shën Andonit, është trashëgimtar i veprës së tij dhe ne i gërshetojmë dy festat me liturgji solemne. Rrugën drejt paqes shpirtërore dhe qetësisë e gjejmë në urimin e Atit Nikollaj ndaj të gjithë besimtarëve:
“Le të dashurohemi njëri tjetrin, t’i falim gabimet tona dhe të sillemi me njeriun pranë nesh në mënyrën që duam edhe ai të sillet me ne. Le të mos e harrojmë Zotin dhe të besojmë në të. Po të kemi ndonjë lutje, së pari t’ia drejtohemi Atij. Dhe më në veçanti të dashurohemi njëri tjetrin. Dashura fal gjithçka!”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: bg.wikipedia.org dhe ilindenpres.bg
Pas festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses, Lindja e Nënës së Zotit kremtohet me nder të veçantë në Bullgari. Kisha jonë e feston atë më 8 shtator, së bashku me kishën ortodokse greke, ndërsa kishat e tjera ortodokse lokale e kremtojnë festën më 21..
Më 6 shtator 1885, Bullgaria u bë përsëri një shtet i bashkuar. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, profesori i Universitetit të Sofjes "Shën Kliment Ohridski" Ivan Illçev foli për faktorët që çuan drejt Bashkimit, kur Principata e Bullgarisë dhe..
Përgjatë shtrirjes midis Rrafshinës së Trakisë së Epërme dhe malit Rodopa nga lindja në perëndim si një varg gjerdani renditen vendbanimet piktoreske - Asenovgrad, Perushtica, Kriçim, Peshtera, Patalenica dhe Varvara. Përgjatë luginave të..
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore...