Premiera e “Fizikës së Trishtimit” – filmi më i ri i vizatuar i Theodore Ushevit , me siguri është një nga ngjarjet kryesore në edicionin e sivjetshëm të forumit kinematografik “Kinomania 2019”. Është krijuar në bazë të romanit me të njëjtin emër të autorit të famshëm Georgi Gospodinov dhe është me gjatësi 27 minuta. Në të tingëllojnë zërat e Donald Sutherlandit dhe Rossif Sutherlandit. Në versionin francez të filmit zërat gjithashtu janë të një babai dhe të birit të tij – Xavier Dolan-Tadros dhe Manuel Tadros. Gjatë shtatorit dhe tetorit vepra u prezantua në festivale kinematografike ne ShBA dhe Kanada dhe tashmë ka gjashtë çmime ndërkombëtare. Ndër to është dhe dekorata e posaçme e festivalit Toronto International Film Festival.
Filmi i është kushtuar babait të Theodore Ushevit – piktorit të ndjerë Asen Ushev. Skenari nuk e ndjek drejtpërsëdrejti fabulën e romanit. Dhe pavarësisht se në të ka shumë çaste autobiografike (sa i përket piktorit), ai e cilëson veprën e vet si një “film-labirint”, “kapsulë kohore” apo “film për ata, të cilët enden në botë, duke kërkuar vetveten”. Vija e qëndrueshme është lidhja midis babait dhe birit, e cila ka ndikuar bile zgjedhjen e aktorëve, zërat e të cilëve dëgjohen në këtë animim.
Premiera bullgare e filmit “Fizika e Trishtimit” u zhvillua në Sallën e Parë të Pallatit Kombëtar të Kulturës në një natë, kushtuar Theodore Ushevit me moto “Më vizato trishtim”. Para projektimit të filmit publiku bullgar pa akoma një premierë – atë të koncertit kinematografik në bazë të “Katër stinëve” të Vivaldit, të producuar nga Universiteti i Arteve i Tokios. Posaçërisht për këtë projekt audio dhe vizual nga Japonia mbërriti një ekip me softuer të posaçëm, i cili siguroi sinkronizimin e ritmit të videos me interpretimin në kohë reale të “Quatro Ansamblit” me solist Ivan Pençev (violinë).
Autorët e animimit eksperimental që shoqëroi ekzekutimin e veprës më të shquar të kompozitorit italian janë Theodore Ushev (Bullgari/ Kanada), Prit dhe Olga Parn (Estoni), Arsushi Vada (Japoni) dhe Anna Budanova (Rusi).
Disa orë para kësaj në klubin letrar “Peroto” në Pallatin Kombëtar të Kulturës ishte organizuar një takim-bisedë me miqtë dhe adhuruesit e piktorit Theodore Ushev dhe të shkrimtarit Georgi Gospodinov. Persona të shquar nga bota e kinemasë dhe letërsisë shkëmbenin mendime, pikëpamje dhe përshtypje të lidhura me artin e dy artistëve. Me këtë ngjarje u prezantua dhe edicioni i gjashtë i romanit “Fizika e Trishtimit” me vizatime të Theodore Ushevit.
Në fakt filmi i animuar “Fizika e Trishtimit” nuk është projekti i parë i përbashkët i dy bullgarëve të talentuar.
“Derisa fola me miq lindi ideja të bëj një film në bazë të ndonjë prej tregimeve të Georgi Gospodinovit – i kujtohet Theodore Ushevi. Unë e zgjodha tregimin “Vajsha e Verbër” dhe fillova punë mbi të. Sigurova financim nga Franca, akoma nuk e kisha marrë financimin bullgar... Filmi vizatimor me metrazh të shkurtër u nominua për çmimin “Oskar”... Pas kësaj e mora dhe financimin nga Bullgaria dhe kështu bëra akoma dy filma në bazë të tregimeve të Georgi Gospodinovit. Nuk do të jetë çudi po të fillojmë dhe ndonjë projekt tjetër– të katërt me radhë”. Theodore Ushevi tregoi se lidhja mes tij dhe Georgi Gospodinovit është fare e fortë.
“Në rastin tonë në fillim ishte ndjeshmëria e përbashkët – shtoi Georgi Gospodinovi – Theodore është nga Kjustendili (Bullgari Jugperëndimore), unë jam nga Jamboli (Bullgari Jugore) – dy qytete të vogla. Arsyeja për takimin tonë u bë “Fizika e Trishtimit”. Kur doli libri Theo më shkroi. Ka momente, në të cilat lexoni diçka dhe mendimi i parë është se me këtë njeri mund të kuptoheni edhe pa fjalë. E mira këtu është se vite të tëra punojmë së bashku dhe akoma kuptohemi në të njëjtën mënyrë”.
Pikërisht e njëjta kopertinë e bërë nga Theodore Ushevi ishte përdorur për botimin e parë të këtij libri në Shqipëri. “Fizika e Trishtimit” tashmë është në libraritë shqiptare dhe siç tashmë ju informuam “fajtorja” për këtë është përkthyesja Milena Selimi. Kjo është vepra e dytë në gjuhën shqipe e Georgi Gospodinovit – e para është “Romani Natyral”, i sjellë për publikun shqiptar nga mamaja e Milena Selimit – Janka Selimi. Përkthimi në shqip është ai i shtatëmbëdhjetë i këtij romani dhe vjen pas çmimit të radhës prestigjioz që ky libër e mori – çmimi “Angelus” për roman më të mirë evropian të përkthyer në polonisht.
„Ky është një roman, i cili është shkruar në një kapsulë kohore – thotë Milena Selimi në një intervistë televizive. Në fillim të librit autori thotë “unë jemi” dhe në fund të librit thotë “unë ishim”. Janë shumë të forta këto të dyja fraza, sepse kjo kapsulë kohore i përket një brezi, i përket gjeneratës së autorit, ai është i gjeneratës sime – 1968-a, dhe pothuajse të gjitha historitë që janë mbledhur brenda – disa personale e disa jopersonale, i përkasin kësaj gjenerate. Të gjitha këto histori, të ndërthurura njëra me tjetrën përbëjnë një gërshetim, të cilat herë të çojnë në kohë pas dhe herë të çojnë në një kohë e cila nuk ka ardhur akoma.... Dhe ky labirint, në të cilin ai e ka ndërtuar romanin, me këto histori,ka në qendrën Minotaurin – një figurë shumë e rëndësishme në mënyrën se si ai simbolizon vetë individin... Autori shumë herë thotë që brenda secilit prej nesh ka një Minotaur...”
Prezantimi i librit “Fizika e Trishtimit” u zhvillua në kuadrin e “Panairit të Librit” në Tiranë dhe të gjithë ata që janë kureshtarë ta lexojnë veprën më të shquar të autorit më të lexuar bullgar, mund t’i vizitojnë libraritë Albas.
Ngjarja në kryeqytetin shqiptar përkoi me promovimin e filmit të Theodore Ushevit në Pallatin Kombëtar të Kulturës në Sofje dhe ndoshta për këtë arsye publiku shqiptar nuk e pati mundësinë ta takojë drejtpërsëdrejti autorin.
Autografet mbi librat i morën adhuruesit bullgarë të Georgi Gospodinovit dhe të Theodore Ushevit në Sofje, por për lexuesit shqiptarë mbetet kënaqësia nga "takimi" me këtë autor të madh. Ju urojmë lexim të mbarë!
Redaktore: Jordanka IvanovaSi një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë Jugore. Fillimi i ndërtimit u dha në vitin 1985 nga babai i Jusein Jusufit dhe një vit më vonë, kur..
Fitues të mëdhenj në edicionin e 28-të të Festivalit të Kinemasë Dokumentare dhe të Animuar Bullgare "Ritoni i Artë" janë filmi i animuar “Një sup i bardhë për një burrë të zi" i regjisorit Henri Kulev dhe filmi dokumentar "Dëshira e Gerit" nga Tonisllav..
Në librin “Bullgaria është kënga ime” Ilija Llukov na shfaqet si një patriot i madh që ka bërë shumë për Bullgarinë”. Kështu e karakterizon këngëtarin popullor që këndoi meloditë më të dashura nga rajoni i Maqedonisë, Galin Georgiev, etnograf dhe një..
Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë..