Lehtësim i ri i masave kundër epidemisë
Që nga data 1 qershor në Bullgari lejohen vizitat në ambientet e mbyllura të restoranteve, restoranteve të ushqimit të shpejtë, pijetoreve, kafeneve, ëmbëltoreve. Lejohet gjithashtu përdorimi i pajisjeve sportive dhe i atyre për fëmijë në hapësirat e mbyllura. Është lejuar aksesi edhe tek sallat e argëtimit dhe të lojërave, me përjashtim të diskotekave, lokaleve të natës dhe piano-bareve. Më 1 qershor rivendosen edhe linjat e autobusëve deri në Greqi dhe Serbi. Më 1 qershor edhe Turqia hap për turistët pikëkalimet e saj në kufirin me Greqinë dhe Bullgarinë.
Pajisjet personale të sigurisë janë të detyrueshme për personelin e restoranteve
Pavarësisht nga urdhëresa e Ministrit të shëndetësisë Kirill Ananiev për mbajtjen e detyrueshme të maskave në vende publike në ambiente të mbyllura, për restorantet lejohen përjashtime. Kjo është shkruar në udhëzimet e shpallura sot për punën e restoranteve, hoteleve dhe bujtinave familjare. Rregullat e reja janë hartuar nga ministritë e turizmit dhe shëndetësisë. Tryezat detyrimisht duhet të ndodhen në distancë mes njëra-tjetrës të paktën 1,5 m. dhe së bashku në to mund të ulen jo më shumë se katër veta (më shumë njerëz mund të qëndrojnë në një vend vetëm në se janë prej një familjeje). Personeli, ndryshe nga klientët, detyrimisht duhet të mbajnë maska apo helmeta. Ata duhet të mbajnë dhe doreza dhe të dezinfektojnë tavolinat dhe karriget pas çdo një klienti.
Koronavirusi ndryshoi një traditë 144-vjeçare bullgare
Për herë të parë në historinë 144-vjeçare të kremtimit të Ditës së Revolucionarit Hristo Botev dhe të të Vdekurve për Lirinë dhe Pavarësinë e Bullgarisë të gjitha aktivitetet e lidhura me të u anuluan për shkak të koronavirusit. Më 1 qershor në qytetin Vraca nuk do të organizohet mitingu tradicional me fishekzjarrë për nder të poetit revolucionar Hristo Botev dhe çetës së tij. Kryetari i Bashkisë së qytetit Vraca Kalin Kamenov ftoi njerëzit që dëshirojnë të respektojnë sakrificën e Botevit dhe të çetës së tij të xhirojnë një video me vjershë të poetit Hristo Botev, ose të tregojnë ndonjë kujtim nga marshimi tradicional nga Kozlloduj deri në majën Okollçica duke e botuar atë në # “Ditë të Botevit 2020”.
Nuk ka të vdekur nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit në Bullgari janë konstatuar 6 raste të reja të të infektuarve me koronavirus. Tre prej këtyre personave janë hospitalizuar. Nuk ka njerëz të vdekur me Covid-19. Numri total i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Bullgari është 2519.
Biznesi bullgar insiston për legjislacion të posaçëm dhe algoritëm veprimi në raste krizash
Asociacioni i kapitalit industrial në Bullgari insiston për zhvillimin e një debati të gjerë dhe jo të politizuar në shoqëri dhe për hartimin e legjislacionit dhe algoritmit të veprimit në raste të krizave të ardhshme me përmasat e asaj të Covid-19. Sipas industrialistëve në rast të një vale tjetër të epidemisë duhet të ketë parashikueshmëri, në mënyrë që të evitohen pasojat jo të favorshme. Ka nevojë dhe për caktimin e prioriteteve për zhvillim në kushtet e mjedisit të ri global social, politik dhe ekonomik. Arsyeja për këtë kërkesë është propozimi i Komisionit Evropian për plan me përmasa të mëdha për rimëkëmbje “të qëndrueshme, të bashkërenditur dhe të drejtë për të gjitha shtetet-anëtare” me buxhet prej 1,85 trilionë eurosh.
Filloi stina e re verore turistike në Bullgari
Me çeljen e stinës verore turistike më 1 qershor Bullgaria pret turistë nga 29 shtete, bëri të ditur Ministria e Turizmit. Shtetasit e Austrisë, Vendeve të Ulëta, Gjermanisë, Polonisë, Greqisë, Danimarkës, Rumanisë, Estonisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Hungarisë, Finlandës, Qipros, Francës, Letonisë, Kroacisë, Lituanisë, Çekisë, Luksemburgut, Islandës, Norvegjisë, Lihtenshtajnit, Zvicrës, San Marinos, Andorës, Monakos, Vatikanit, Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut mund të hyjnë përmes të gjitha pikëkalimeve të vendit pa u vendosur në karantinë. Lista e vendeve do të ndryshojë në varësi të zhvillimit të gjendjes epidemike dhe vendimeve të qeverisë.
Autostrada deri në Serbi duhet të jetë e gatshme deri në fund të vitit
Pavarësisht nga vështirësitë e lidhura me epideminë e Covod-19, do të vazhdojë realizimi i autostradës “Evropa” dhe i gazsjellësit “Rryma Ballkanike”, janë të bindur Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri Bojko Borisov. Autostrada jo vetëm se do të lehtësojë udhëtimin mes Bullgarisë dhe Serbisë, por është me rëndësi kyçe për këmbimin e mallrave mes Evropës dhe Azisë. Presim që autostrada të jetë e gatshme deri në fund të vitit, tha Borisovi. Së bashku ata inspektuan ndërtimin e gazsjellësit “Rryma Ballkanike”. Gjatësia e tij është 474 km.
Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.
Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.
Intensiv është qarkullimi në pikën kufitare me Greqinë “Kulata-Promahon” në ditën e parë të serisë së festave, njofton korrespondentja e BNR, Keti Trençeva. Në të dy drejtimet – për në Greqi dhe për në Bullgari, ka më shumë makina pasagjerësh. Kalimi..
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës - 1 Majit, Konfederata e Punës “Podkrepa” organizon parakalimin e saj tradicional festiv në Sofje. Marshimi nis nga sheshi "Shën e Diela" i kryeqytetit për në muzeun "Toka dhe njerëzit", ku parashikohet një..
Të mërkurën temperaturat minimale në vend do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 13°, në Sofje 9°. Pas mesnate, reshjet në të gjithë vendin do të zvogëlohen dhe do të ndalen. Pasdite do të ketë sërish reshje shiu në vendet malore. Temperaturat maksimale do të..
Vendimi për krijimin e një spitali privat për fëmijë, i cili u anulua mbrëmë, u mor në kushtet e një ndërprerjeje informacioni, tha..
Për herë të parë, Bullgaria ka një afat konkret për anëtarësimin në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Këtë e ka bërë të ditur..
Gjatë natës në Bullgarinë Perëndimore, ndërsa të premten në pjesën tjetër të vendit do të ketë reshje të shkurtra, përkohësisht intensive. Do të..