Pas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman, populli mirënjohës bullgar ngriti disa qindra monumente në shenjë mirënjohjeje për heroizmin dhe vetëmohimin e mijëra ushtarëve që dhanë jetën për lirinë tonë.
Monumenti i parë
Monumenti i çlirimtarëve rusë, kushtuar fitores në Plovdiv në janar 1878, u ngrit në qytet në shtator 1881 dhe është pjesë e 11 Monumenteve të Fitores të ngritura në Bullgari sipas projektit të arkitektit nga Stambolli Vokar për vendet e betejave më të përgjakshme gjatë Luftës Ruso-Turke (1877-1878). Monumentet prej guri kanë të njëjtën formë piramidale me kryq në majë, janë rreth 11 metra të larta, me dekorim mermeri në pjesën e përparme, që përfshin stemën ruse, mburojën dhe armaturat ushtarake, Kryqin Georgievski, pllaka me mbishkrime dhe emrat e formacioneve ushtarake që kanë marrë pjesë në beteja.
Monumenti më madhështor
Ky është Monumenti i Mbretit - Çlirimtar në Sofje (përpara godinës së Kuvendit Popullor) - një shprehje mirënjohjeje e bullgarëve ndaj popullit rus, në personin e perandorit Aleksandër II. Për ngritjen e Monumentit në vitin 1900 u shpall një konkurs, në të cilin u përfshinë skulptorë nga 13 vende me projekte të tyre. Konkursi u fitua nga italiani Arnaldo Zòcchi, dhe vetë Monumenti u përfundua në vitin 1903. Figura e gjatë 4.5 metra e perandorit rus mbi kalë që mban Manifestin e shpalljes së Luftës në dorën e tij të djathtë është bërë prej bronzi dhe ngrihet në një piedestal të gjatë 7.5 metra të bërë prej graniti të zi të lëmuar. Pjesa e përparme e Monumentit është zbukuruar me një kurorë dafine prej bronzi, dhuratë nga mbreti rumun Carol I në kujtim të ushtarëve të vrarë rumunë, me mbishkrimin "Mbreti Çlirimtar / Bullgaria Mirënjohëse". Çdo vit më 3 mars para Monumentit mbahet një fishekzjarrë solemne, në të cilën marrin pjesë Presidenti i Republikës së Bullgarisë dhe njësitë ushtarake të Ushtrisë Bullgare.
Monumenti më i madh
Gjatë Luftës Çlirimtare për Bullgarinë (1876-1878) një nga betejat më vendimtare u zhvillua në majën Shipka në malin Stara Pllanina. Rreth 6000 bullgarë morën pjesë në beteja së bashku me trupat ruse. Guximi i tyre u përjetësua në “Monumentin e Lirisë” (i njohur si Monumenti i Shipkës). Inaugurimi i tij zyrtar u bë në vitin 1934, në prani të Mbretit Boris III. Pjesë të Monumentit u transportuan me karroca mushkash në majë, ku u montuan. Monumenti është 31.5 metra i lartë dhe është një kullë në formën e një piramide të cunguar. Në hyrje është vendosur një luan i madh prej bronzi dhe në të tre anët janë pikturuar vendet e betejave të mëdha - Shipka, Stara Zagora dhe Shejnovo. Në katin e parë ndodhet një sarkofag i madh mermeri, ku janë vendosur eshtrat e ushtarëve rusë dhe vullnetarëve bullgarë. 894 shkallë të çojnë te Monumenti, mbi të cilin më çdo 3 mars ngjiten mijëra njerëz për të nderuar kujtimin e atyre që vdiqën për Çlirimin.
Monumenti më i bukur
Ky është Monumenti i Lirisë në qytetin Ruse – ky është ndoshta i vetmi monument në Bullgari për nder të Çlirimit, që paraqet një grua. Është projektuar në fillim të shekullit të njëzetë nga Arnaldo Zòcchidhe është pjesë e stemës së qytetit. Në krye të kompozimit piramidal, statuja mban një shpatë në dorën e majtë dhe tregon veriun me dorën e djathtë, nga erdhën trupat çlirimtare ruse. Në bazën e Monumentit, i cili është 17.80 metra i lartë, ka tre basorelieve që paraqesin skena nga luftërat për çlirimin kombëtar, dhe dy luanë - njëri thyen zinxhirët e skllavërisë dhe tjetri ruan shpatën dhe mburojën – të cilët simbolizojnë lirinë. Në pjesën e pasme të bazës së Monumentit janë vendosur dy topa. Në inaugurimin e Monumentit (më 11 gusht 1909) morën pjesë shumë veteranë të Kryengritjes së Prillit dhe të Luftës Çlirimtare Ruso-Turke, duke përfshirë Rajna Knjaginja (që qëndisi flamurin e Kryengritjes) dhe vojvoda Panajot Hitov.
Monumenti më i ri
Ky është Monumenti në përkujtim të Çlirimit tonë, që u inaugurua më 24 gusht 2008 në kryeqytet. Është 7 metra e lartë dhe përfaqëson një statujë bronzi të një vullnetari me një flamur, që qëndron në një piedestal drejtkëndor. Si model u përdor piktura e Jaroslav Veshinit "Flamuri i Samarës". Në tre anët e piedestalit janë paraqitur piktura dhe gravura të njohura kushtuar momenteve madhështore të Luftës Çlirimtare, dhe në të katërtën - një hartë që tregon rrugën e vullnetarëve bullgarë. Pranë Monumentit është vendosur një gur i sjellë nga maja e shenjtë Shipka. Në një kamare të veçantë nën basorelievin me hartën ka 12 kapsula bronzi me emrat e 12 mijë vullnetarëve që morën pjesë në Luftë, një urnë me dhe nga fushat e betejës, një kuti me një mesazh për brezat e ardhshëm dhe një listë me emrat e dhuruesve për ndërtimin e Monumentit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, arkiv
Duke filluar nga kjo verë, vizitorët në Vraca mund të eksplorojnë qytetin malor përmes turneve plotësisht falas me guidë sipas modelit të turneve të ngjashëm që ofrohen në qytetet kryesore evropiane . Ideja është që vizitori i cili është ne..
Në Bullgari ka më shumë se 5 mijë shpella, secila më misterioze dhe e paarritshme, secila me historinë, bukurinë dhe misteret magjepsëse. Disa nga këto thesare të vërteta nëntokësore janë të rregulluara dhe mirëpresin turistët. Ju sjellim..
Ofertat e pronave për pushime në Bullgari janë rritur me 30-40% në tre vitet e fundit. Aktualisht numri i tyre i kalon 20 mijë. Gjithnjë e më shumë klientë preferojnë të marrin me qira një apartament apo edhe një shtëpi të tërë gjatë pushimeve të..