Fëmijët tanë e duan këngën popullore, u pëlqen të jenë në skenë, të fitojnë çmime dhe duartrokitje, kjo i inkurajon dhe i motivon” – thotë Pllamena Gospodinova për nxënësit e saj në Shkollën e Arteve “Ilia Avramov” – Nova Zagora. U takuam në një nga festivalet tona të bukura folklorike në vendin tonë - "Kiteni dhe Miqtë", ku nxënësit e saj morën disa çmime. Ata i shtuan ato në koleksionin mbresëlënës të çmimeve nga forumet rajonale dhe kombëtare. Suksesi i fëmijëve është një burim krenarie për mësuesen e tyre të përkushtuar, si dhe për komunitetin e vogël, por të bashkuar, të prindërve, gjyshërve, vëllezërve dhe motrave që i mbështesin aktivitetet e tyre. Edhe vetë Pllamena ka filluar të këndojë që si fëmijë, këngët i ka mësuar fillimisht nga gjyshërit e më pas nga mësuesit. Këngëtarja e njohur popullore Dinka Ruseva e ka përgatitur për provimin në Shkollën Kombëtare të Arteve Popullore në qytetin Kotell.
“Këndimin popullor e kam studiuar në këtë shkollë të mrekullueshme me zonjën Sashka Çenkova, të cilës i jam shumë mirënjohëse. Ishte ajo që më frymëzoi t'u mësoja fëmijëve këngët popullore. Dhe atmosfera në shkollë, gjithë këta njerëz që i takova gjatë stërvitjeve, më magjepsën edhe më shumë – thotë Plamena. – Gjatë kohës së studimeve të mia në Universitetin e Shumenit "Peshkopi Konstantin Presllavski", më ofruan një praktikë si mësuese muzike në kopshte. Më pëlqeu puna, më pëlqeu sesi fëmijët më shikonin me sy vezullues dhe mezi prisnin t'u tregoja diçka të re. Aty kuptova se ky ishte profesioni im.”
Që nga viti 2018, Pllamena jep mësim në Shkollën e Arteve “Ilia Avramov”. Fëmijët që ajo mëson janë nga 5 deri në 13 vjeç:
“Nova Zagora ndodhet në Krahinën e Trakisë dhe për këtë shkak ne gjithmonë fillojmë të mësojmë së pari këngët e rajonit - vazhdon Pllamena. “Pastaj u shpjegoj fëmijëve se në Bullgari ka zona të tjera ku këngët janë gjithashtu të bukura, por në stile të ndryshme folklorike dhe mësojmë se cilat janë veçoritë e melodive të Stranxhës, Shopllukut, Dobruxhës etj.”
Pllamena na tregoi gjithashtu se rreth dy vite më parë kanë krijuar grupin vokal “Aglea”, në të cilin fëmijët mësojnë këndimin polifonik. Ajo është e bindur se performancat dhe dashuria e publikut i frymëzojnë këngëtarët e rinj që të kapërcejnë vështirësitë dhe ethet e skenës, të zhvillojnë cilësi të vlefshme njerëzore. Kjo është arsyeja se pse ajo vazhdimisht kërkon mundësi për të marrë pjesë në koncerte dhe festivale.
“Puna ime më jep shumë energji”, tha ajo. – Duke parë sesi u shkëlqejnë sytë kur dalin në skenë, sa emocionohen, sa i shijojnë çmimet, emocionohem edhe unë vetë. Ata janë kureshtarë, ndaj jam vazhdimisht në kërkim të këngëve të reja të përshtatshme për moshën e tyre. Në fillim, shumica janë të ndrojtur, por gradualisht bëhen më të sigurt. Vajza ime Nikol ishte 2 vjeç e gjysmë kur u paraqit për herë të parë në konkurs. Darina Hristova është nxënësja ime e parë, së bashku me Nikol.
Ato tashmë këndojnë në duet. U pëlqen më shumë dueti nga krahina e Shopllukut. Kanë fituar shumë çmime si duet. Të jesh nga Trakia, dhe të këndosh një duet të tillë - jo të gjithë mund ta bëjnë këtë, por ato e bëjnë me sukses.
I falënderoj të gjithë prindërit, të cilët më ndihmojnë shumë. Fëmijët janë të vegjël dhe kur udhëtojmë në një qytet më të largët, ata janë gjithmonë me ne.
Më lejoni t'ju tregoj për Denicën 6-vjeçare - në fillim ajo ishte e shqetësuar për skenën, por pas çmimit të parë, fitoi vetëbesim. Çdo fëmijë ka një temperament të ndryshëm, ata janë gjithashtu të ndryshëm në moshë. Ajo që i bashkon është se e duan këngën popullore dhe e interpretojnë me gëzim dhe me zemër.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: arkiv personal
Një Muze Etnografik Rajonal në Plovdiv hap dyert për edicionin e 16-të të Javës së Artizanateve Tradicionale, raportojnë organizatorët e muzeut. Hapja është në Ditën e Enjos (24 Qershor), e nderuar në traditën tonë popullore si dita e barërave dhe fuqisë..
Më 22 qershor mbi 30 kuzhinierë nga i gjithë vendi mblidhen në Montana për festivalin e kuzhinës popullore "Babina Dushica". Festivali i kuzhinës është pjesë e programit për kremtimin e festës së Montanës "Shpirti i Shenjtë" në Kopshtin e..
Myslimanët në Bullgari festojnë Kurban Bajramin. "Kurbani është një fjalë arabe që do të thotë “afrim”. Përmes kurbanit, myslimanët bëjnë gjithçka që është e mundur për t'iu afruar mëshirës së Allahut", tha kryemyftiu në Bullgari, Dr. Mustafa Haxhi, në..