Arti i këngëtarit dhe instrumentist origjinal bullgar Georgi Germanov është i njohur mirë, ndërsa këndimi i tij rrëmben zemrat e dëgjuesve me emocionin dhe ngrohtësinë. Ai lindi në qytetin bregdetar Obzor, rajonin e Burgasit, në një familje refugjatësh nga Azia e Vogël dhe Trakia Lindore. Prandaj, jo rastësisht i përkushtohet folklorit muzikor të rajoneve Stranxha dhe Trakia. Që kur ishte 10-vjeçar u nderua me çmimin e parë në një festival në qytetin e tij të lindjes për këngën e ngadaltë “Njerëzit më flasin, o moj nënë”.Më vonë, ai zotëroi fizarmonikën dhe tamburan - instrumente me të cilat shpesh i shoqëron shfaqjet e tij solo. Gama e repertorit të këngëtarit të njohur është e gjerë, duke përfshirë këngë nga krahina të ndryshme folklorike, këngë origjinale dhe prej autori.
Vite me radhë Georgi Germanov punonte në pushimoret përreth kryeqytetit tonë detar Varna, si dhe në një nga ansamblet muzikore të komunës. Më shumë se 150 janë regjistrimet e tij të këngëve nga krahinat folklorike Stranxha dhe Trakia për fondin BNR-Varna. Ai ka mbi gjashtë albume solo dhe katër albume përmbledhëse.
Një nga aksentët në veprimtarinë e këngëtarit Georgi Germanov është krijimtaria e tij personale muzikore, për të cilën ai shpesh mbështetet në poezitë e poetëve të Varnës. Vite me radhë ishte edhe drejtues i grupeve amatore artistike në Varna. Ai botoi gjashtë përmbledhje me këngë të shënuara me nota nga repertori i tij, të cilat u ndihmojnë shumë pjesëmarrësve në Konkursin tradicional “Me këngët e Georgi Germanov”. Para pak kohe këngëtari i njohur shënoi përvjetorin e tij të 80-të.
“Njeriu formohet në varësi të vendit ku rritet dhe çfarë dëgjon në fëmijëri - tha këngëtari e njohur për Radio Bullgarinë. – Babai i binte tamburasë, gjyshi gjithashtu luante në tambura, nëna këndonte. Fqinjët dhe të afërmit mblidheshin shpesh në shtëpi dhe të gjithë këndonin. Kur isha i ri, popullsia në Obzor ishte kryesisht emigrantë nga Stranxha. Kishte trashëgimtarë të personaliteteve të mëdha - Vëllçan vojvoda, Iljo vojvoda... Para së gjithash, mësova këngë prej tyre. Më pëlqejnë këngëtarët që interpretojnë folklorin e krahinës së malit Stranxha, para së gjithash Magda Pushkarova, Komnja Stojanova, Georgi Pavllov, ndërs nga të rinjtë - Kostadin Mihajllov, Llazar Nallbantov.
“Fillova t’i bie tamburasë vonë kur isha në një orkestër në pushimoren “Zllatni Pjasëci – vazhdon tregimin e tij Georgi Germanov. – Kjo vegël muzikore nuk është tipike për zonën tonë, por mësova ta akordoja dhe fillova ta luaj vetë. Si fizarmonicist luaj në shumë grupe. Për shumë vite isha në Ansamblin “Varna” si solist dhe muzikant. Ne kemi udhëtuar shumë jashtë vendit - Angli, Spanjë, etj. Në këto turne kuptova se sa shumë e vlerësojnë dhe e duan muzikën tonë jashtë vendit. Vajza ime iu përkushtua plotësisht profesionit tim. Në Varna, ne krijuam një vatër të kulturës “Trakia në zemër të Varnës” me më shumë se 200 anëtarë. Pak kohë më parë ishte një konkurs me këngët e mia, i cili u mbyll me një koncert të madh në Kompleksin e Festivalit. Morën pjesë edhe fëmijët e mi, nipërit, stërmbesa ime Lilia, e cila është 6 vjeçe. E dua këngën popullore. Ajo është jeta ime. Nuk bëj dot pa këngë dhe muzikë. Për aq kohë sa mundem, për aq kohë sa mund të lëviz - do të këndoj dhe do të luaj.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Një rrugëtim i jashtëzakonshëm mes zhanreve muzikore dhe vendndodhjeve gjeografike na pret sonte më 14 nëntor. Në sallën 11 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në Sofje nga ora 19:00, toni i butë i fyellit bullgar do të takohet me tingujt klasikë të..
Grupi “DEEP ZONE Project” po përgatit eventin e tij më të mirë të vitit – për herë të parë grupi po organizon “DEEP ZONE All Stars”, duke bashkuar të gjithë solistët e tij dhe bashkëpunimet gjatë viteve të kaluara. Dhe ata nuk janë të paktë në çerek..
Edicioni vjeshtor i SoFest do të tërheqë fansa të arteve të ndryshme në Sofje me ngjarje interesante dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme. Nga data 14 deri më 17 nëntor në Sofia Live Club i presin dy shfaqje teatrale dhe koncerte të ndryshme. Dhe këtë..
25 nëntori u shpall Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave me iniciativën e Kombeve të Bashkuara qysh në vitin 1999. Ideja është që qeveritë,..