Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bota është e mahnitur nga Thesari i Arit i Panagjurishtes, por ai është më i pritur "në shtëpi"

7
Foto: arkiv

Thesari i arit i Panagjurishtes, i gjetur rastësisht në tokë më shumë se 70 vjet më parë, është një kartëvizitë e autoritetshme jo vetëm e qytetit të Panagjurishtes(Bullgari Qendrore), por edhe e gjithë Bullgarisë. Është punuar në shekullin e IV ose në fillim të shekullit III para erës sonë, por edhe sot e kësaj dite mbetet servisi më i bukur i arit në botë, një kryevepër e artit trak dhe një dëshmi e paçmuar e stilit të lartë artistik të lashtësisë.

Vetë thesari përbëhet nga 9 pjesë - ritona, fila dhe amfora, prej ari të kulluar, me një peshë totale prej më shumë se 6 kg. Enët janë të dekoruara në mënyrë të pasur me figura mitologjike dhe zbukurime. Secila prej tyre është përdorur nga trakët për festa, për sakramente fetare dhe rituale të lidhura me mitologjinë trake.

Katër nga ritonat e kanë formën e kokës, ose të pjesës së përparme të trupave të kafshëve - një dash, një dhi, dy kanë kokën e një dreri. Përgjatë pjesës së sipërme të ritonave janë paraqitur përshkrime artistike të skenave mitologjike.

Kush ka qenë pronari i Thesarit të Arit të Panagjurishtes? A mund t'i përkiste një prej mbretërve odrisian? Çfarë e detyroi atë ta fshihte në tokë? Ne nuk mund të marrim një përgjigje për këto pyetje, por kjo nuk na pengon të shijojmë enët prej ari të stolisur si një trashëgimi e paçmuar e lashtësisë.

Dhe megjithëse thesari njihet me emrin e qytetit ku u zbulua - Panagjurishte, ai ruhet në Muzeun Historik Kombëtar në Sofje. Tradita kërkon që çdo vit, të paktën për një muaj, objektet origjinale të arit të mbërrijnë në Panagjurishte, ku posaçërisht për to është ndërtuar një sallë shumë e shtrenjtë dhe e mirëmbajtur brenda muzeut historik vendas.

Që nga 1 shtatori, Thesari i Arit i Panagjurishtes do të jetë sërish “në shtëpi”. Në të gjitha ditët e tjera kur origjinali nuk gjendet në Panagjurishte, në vend të tij qëndron një kopje e saktë prej ari 22 karatësh, e bërë nga ekspertët e Muzeut Historik Kombëtar. Vendi, ku është vendosur thesari, kushton afro 6 milionë leva, është elegant dhe funksional, por edhe jashtëzakonisht i sigurt për ruajtjen e trashëgimisë së paçmuar trake.

“Salla-trezor u hap më 16 prill 2012. Prandaj, gjatë vizitës së sivjetshme të thesarit do të shënojmë edhe 10 vjetorin e saj me një ekspozitë dokumentare. Ajo ndjek krijimin e sallës - nga dizajni te pajisjet" - thotë Irina Boteva, kryekuratore në Muzeun Historik të Panagjurishtes.

“Kur u hap salla-trezor në vitin 2012, u krijuan kushte për të kthyer origjinalin e Thesarit të Artë të Panagjurishtes, 63 vjet pas zbulimit të tij. Pas një sërë marrëveshjesh u mor vendimi për të vazhduar me ndërtimin e një salle të tillë që do të plotësonte kërkesat më të larta për sigurinë dhe ekspozimin modern. Si pjesë e donacionit nga mecenët e kulturës, u bënë dy kopje floriri - njëra iu dhurua Muzeut Historik Kombëtar për t'u ekspozuar atje kur mungon origjinali dhe kopja tjetër për t'u paraqitur në një ekspozitë të përhershme në muzeun tonë. Ideja ishte që salla-trezor të ishte një tempull i Thesarit të Panagjurishtes. Fillimisht, njeriu hyn në një sallë informacioni, ku informohet për historinë e zbulimit të thesarit. Më pas, duke kaluar nëpër një labirint simbolik, ai hyn në vetë sallën, ku enët nga thesari janë ekspozuar në kupola të veçanta xhami me dritë të drejtuar në secilin prej objekteve. Ato janë projektuar në Gjermani dhe sipas teorisë së projektuesit, çdo enë duhet të jetë në një vitrinë të veçantë dhe të mund të shihet nga të gjitha anët në mënyrë që të shihen detajet. Kjo është e rëndësishme sepse çdo enë është aq e ngopur me imazhe dhe zbukurime saqë nëse janë së bashku nuk mund të shikohen mirë.”

Për ndërtimin e shtëpisë origjinale të Thesarit të Panagjurishtes, u përdorën 1500 metra kub beton special dhe u arrit një shkallë jashtëzakonisht e lartë sigurie, duke përmbushur standardet më të larta në punën muzeore. Ekspozita unike deri më tani është vizituar nga më shumë se 920 mijë turistë.

Në hapësirën multimediale pranë sallës-trezor, ekziston një hartë e botës që tregon vendet ku ka udhëtuar Thesari i Panagjurishtes:

“Harta po përditësohet gradualisht. Bën përshtypje se Japonia tregon një interes shumë të madh për artin trak. Kjo është arsyeja se pse thesari është paraqitur atje më së shumti. Në përgjithësi, ka qenë pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, ka vizituar disa herë edhe SHBA. Kudo thesari ngjall interes të madh.”

Kryeveprat origjinale trake mund të shihen në Panagjurishte deri më 17 tetor.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BGNES, EPA/BGNES, arkiv




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Ambasada e Republikës së Bulgarisë në Shqipëri

Ditët e Kulturës Bullgare u zhvilluan në Tiranë

Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës u zhvilluan Ditët e Kulturës Bullgare, njoftoi Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri. “Të inkurajuar nga Dita e Iluministëve të Popullit që e festuam së fundmi, ne bëmë çmos për t'i njohur miqtë tanë..

botuar më 24-11-06 8.25.PD

“Abetarja e Peshkut” 200-vjeçare kujton për veten me një botim të ri

Në vitin 2024 mbushen 200 vjet nga shfaqja e së ashtuquajturës "Abetare me mësime të ndryshme" . Ky është titulli origjinal i librit i njohur më mirë si “Abetarja e Peshkut”, autor i së cilës është rilindësi i shquar Dr. Petër Beron. Bëhet..

botuar më 24-11-03 7.35.PD
Milena Selimi dhe Georgi Gospodinov

Milena Selimi përkthen romanin ”Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov

Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është..

botuar më 24-10-28 2.10.MD