Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kisha nderon kujtimin e Shën Harallambit - shërues dhe mbrojtës i bletarëve

Bletari – një specie njerëzore që nuk duhet të zhduket kurrë

Foto: Pixabay

Më 10 shkurt Kisha Ortodokse Bullgare nderon Shën Harallambin, martir i besimit të krishterë, i cili jetoi në shekullin II në Azinë e Vogël. Për shkak të aftësive të tij për të shëruar, Shën Harallambi konsiderohet shenjtori mbrojtës i mjaltit dhe bletarëve, pasi që nga kohërat e lashta njerëzit janë mbështetur shumë te mjalti për trajtimin e të gjitha llojeve të sëmundjeve. Prandaj, edhe sot e kësaj dite, në ritet kishtare, ekziston tradita e sjelljes së mjaltit në kishë në ditën e shenjtorit, ku kremtohet një liturgji e veçantë për shenjtërimin e tij. Mjalti i shenjtëruar sillet në shtëpi dhe të gjithë e përdorin si ilaç gjatë gjithë vitit.

Gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë dobinë e rritjes së bletëve dhe mbrojtjen e tyre për të ruajtur ekuilibrin në natyrë.

Megjithatë, industrializimi i bujqësisë ka shkatërruar një pjesë të madhe të livadheve të harlisura me lule të egra dhe barishte të çelura, kështu që bletët po rriten gjithnjë e më shumë pranë qyteteve të mëdha. “Natyra është plot me nektar, bletët përdorin vetëm 5% të tij, gjithçka tjetër avullohet nga dielli dhe lahet nga shiu. Çështja është nëse ka bletë të shëndetshme të cilat mund ta mbledhin atë!” - thotë bletari Georgi Georgiev, i cili rrit bletë në periferi të kryeqytetit:

“Nektari nga bimët nuk mund të shihet me sy të lirë, është vështirë për t'u matur, dhe bletari duhet të dijë intuitivisht se kur duhet të vendosë kornizat prej druri /të ashtuquajturat “magazina”/ për pjalmin e mbledhur. Prandaj, shkenca e bletarisë është shumë specifike, kërkon njohuri dhe vëzhgime të thella, jo të gjithë mund të merren me bletë. Me bletarinë u njoha si student - mësuesi më çoi në Shoqatën e Bletarisë në vendlindjen time Novi Pazar. Me kosheret merrem në mënyrë aktive që nga viti 1987-88 dhe në këtë aktivitet gjeta shumë të vërteta të rëndësishme për natyrën, për jetën. E pashë që edhe bletët mund të jenë mësueset tona me punën e tyre të palodhur dhe organizimin e përsosur në familjen e bletëve, ku gjithmonë ka se kush të dalë e të mbledhë mjaltë nëse u ndodh diçka bletëve punëtore. Bletët janë një manifestim suprem i natyrës, sipas studiuesve ato u shfaqën 50 deri në 150 milionë vjet para njeriut.

Njerëzit mendojnë se bletët po flenë tani, por aktualisht ato po rritin një gjeneratë të re bletësh, e cila duhet të jetë gati deri më 22 mars, kur bimët tashmë janë në lulëzim. Të shtyrë nga energjia e diellit, bletët shkojnë dhe ndihmojnë në pjalmimin e bimëve, dhe këto bimë më pas hahen nga njerëzit dhe kafshët.”

Sipas bletërritësit, aktiviteti i njeriut është i pamatur kur përdoren preparate për mbrojtjen e bimëve, si rezultat i të cilave çdo vit vdesin rreth 40-50% e bletëve, dhe ato që dalin të dobëta dhe të sëmura nuk mund të mbledhin mjaltë. “Megjithatë, natyra ka gjetur një mënyrë për të rikthyer popullatën e bletëve dhe falë kësaj ne, bletarët, vazhdojmë të nxjerrim mjaltë”, thotë Georgi Georgiev dhe shton:

“Por kur ka kaq shumë vështirësi dhe ne nuk mund të rrisim koloni të bukura dhe të shëndetshme bletësh, nuk mund të shpresojmë te bletaria si një biznes i qëndrueshëm, me të cilin mund ta nxjerrim bukën e gojës.

Pa këtë energji diellore që bletët na japin përmes mjaltit, nuk do të kishim zhvillim. Prandaj, konsumimi i mjaltit duhet të ndodhë me kujdes. Duhet ta trajtojmë si ilaç dhe ta konsumojmë vetëm nëse ndjejmë se kemi uri për mjaltë. Një tjetër gjë e rëndësishme është që kur njeriu e merr mjaltin në gojë, duhet ta mbajë për pak kohë, imagjinoni si kanë lulëzuar pemët, si lahet gjithçka në dritë, si bimët e sekretojnë këtë nektar dhe bletët shkojnë dhe e mbledhin atë. Nëse njeriu e bën këtë lidhje mes diellit, nektarit, bletës dhe mjaltit, do të përmirësojë ndjeshëm edhe shëndetin e tij”, është i bindur bletari Georgi Georgiev.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BGNES, arkiv personal


Më shumë nga rubrika

Bullgarët kanë më shumë frikë nga sëmundjet, varfëria dhe lufta

Frika më e madhe e bullgarit është se ai ose të afërmit e tij do të sëmuren /43,3%/ ose do të bien në varfëri /për 36,7%/. 33.5% e bullgarëve e zhvendosin luftën në vendin e tretë mes kërcënimeve, sipas një sondazhi përfaqësues të agjencisë..

botuar më 24-02-20 2.25.MD

Vizitë në shkollën e së dielës "Vasill Levski" në Leeds

Nuk ka statistika të sakta për numrin e bullgarëve në qytetin anglez Leeds. Mirëpo, ne e dimë se atje, si dhe në qytete të tjera të Britanisë së Madhe, ekziston një shkollë e së dielës që mban emrin “Vasill Levski”. E themeluar në vitin 2016, sot ajo..

botuar më 24-02-19 5.05.PD
Pamje nga Gora

Bullgarët në Gorë ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre, por kanë nevojë për mbështetje - Pjesa I

Bullgarët në Shqipëri, të njohur si pakicë kombëtare në vitin 2017, jetojnë si në qytetet më të mëdha të vendit, ashtu edhe në vendbanimet më të vogla, disa prej të cilave ndodhen në zona malore të vështira për t'u arritur. Kështu ndodh me fshatrat në..

botuar më 24-02-17 11.30.PD