Veliko Tërnovo, destinacioni më i kërkuar për turizmin kulturor në Bullgari, pret një rritje të turistëve në muajt e ardhshëm. Kryeqyteti ynë mesjetar me mbi 7,000 vjet histori magjeps mysafirët me shtëpitë e tij të vendosura si një amfiteatër mbi lumin Jantra, urat e vjetra, kishat mesjetare, muzetë e shumtë dhe sigurisht, kodrën historike Carevec të kurorëzuar nga tempulli patriarkal.
Në prag të pranverës, bashkia po përfundon një projekt lidhur me pasurimin e ekspozitave me figura dylli të prezantuara në Qendrën e Multimedias për vizitorët. Modele krejtësisht realiste të mbretërve bullgarë, bujarë, oborrtarëve, klerikëve etj., janë pjesë e dioramave të reja që rikrijojnë ngjarje që lidhen me historinë e kryeqytetit të vjetër bullgar.
Për atraksionin, i cili do të hapet në javët në vijim, mësojmë nga Borisllav Jordanov, menaxher i ndërmarrjes bashkiake "Carevgrad Tërnov" në një bisedë me Veneta Nikollovën nga Radio Bullgaria:
“Këtë sezon, Veliko Tërnovo mund të mirëpresë të gjithë mysafirët e tij me zgjerimin e ri të Qendrës sonë të Multimedias, e hapur në vitin 2012. Ekspozita e saj deri vonë ishte në 2 kate, por aktualisht është duke u zgjeruar dhe tani është në 4 kate. Këtu njerëzit do të mund të shohin skena të reja nga Mbretëria e Dytë Bullgare, si beteja e Kllokotnicës, mbrojtja e kryeqytetit të vjetër, do të ketë një rishfaqje të tregut mesjetar etj. Ekspozitat e reja do të prezantojnë 37 figura prej dylli që marrin jetë para syve tanë.
Një tjetër atraksion të cilit i është kushtuar vëmendje së fundmi është turizmi i verërave. Veliko Tërnovo ka disa kantina butikë të vogla dhe disa të mëdha. Duke ecur përgjatë pazarit emblematik Samovodska, turistët ndalojnë në të ashtuquajturën qendër vere ku ata mund të shijojnë dhe blejnë verërat e prodhuara në rajon, mësojmë nga Borisllav Jordanov.
Turizmi festiv është një argument serioz në të cilin mbështetemi për të tërhequr më shumë turistë në verë. Më 1 korrik, shfaqja "Rigoleto" e Operës Kombëtare në Bukuresht do të hapë edicionin e këtij viti të festivalit të operës "Skena e epokave" në kalanë e Carevec, i cili do të vazhdojë deri në fillim të shtatorit.
Para kësaj, nga data 8 deri më 11 qershor, në kala do të mbahet edhe këtë vit Festivali Ndërkombëtar i Vënies në Skenë të Ngjarjeve Historike. “Turistët do të zhyten në mesjetë, do të shohin se si kanë jetuar njerëzit, si e kanë mbrojtur veten, si kanë ngrënë, si kanë prodhuar letër etj.”, thotë Borisllav Jordanov.
Interes të madh ka edhe për lojën aventureske “Sekreti i 9 çelësave”. Përvoja unike do t'ju kthejë në të kaluarën e lavdishme të Kodrës Carevec:
"Në këtë mënyrë, duke kërkuar për çdo çelës (të fshehur), njeriu bën një rrugëtim shumë interesant në të gjithë kodrën dhe në fakt bëhet kështu një detektiv mesjetar. Pjesëmarrësit duhet të zbulojnë se çfarë ka ndodhur në këtë përrallë në të cilën ata janë zhytur. Loja është në tre gjuhë. Kështu, njerëzit marrin informacione historike që janë përfshirë brenda në lojë dhe në këtë mënyrë ecja bëhet shumë argëtuese” – thotë Borisllav Jordanov:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: velikoturnovo.info, Veneta Nikollova, Facebook /"Skena e epokave"
Turizmi rural është lidhur me njohjen e kuzhinës së një vendi. Dhe rajoni i Kjustendilit (Bullgaria Jugperëndimore) është një minierë ari në këtë drejtim. Kjo është arsyeja sepse turet gastronomike në këtë pjesë të Bullgarisë po fitojnë..
Çmimet për konkursin "Shtëpia më e mirë malore" - një nismë e përbashkët e revistës “360Mag” dhe Unionit Turistik Bullgar - u dhanë në një ceremoni në “Shtëpinë e Kinemasë” në Sofje. Më shumë se 100 shtëpi dhe strehimore malore nga të gjitha..
Ditët e bukura të vjeshtës janë një kohë e mrekullueshme për të bërë një shëtitje përmes dyqaneve në Samovodska Çarshija në Veliko Tërnovo. Çarshia është krijuar që në mesin e shekullit të XIX-të, kur bujqit nga fshatrat përreth i nxirrnin prodhimet e..