“Çfarëdo që të thuash, thuaje me butësi, si një lule!”, këto janë fjalët e një bullgari që gjithë jetën e tij ia kushtoi artit dhe bukurisë. Ganço Taskov jeton në Melburn të Australisë, ku njihet si Mbreti i Luleve, për shkak të krijimeve të tij fantastike me lule, me të cilat fiton duartrokitje në të gjitha ekspozitat botërore të luleve në mbarë botën. Dalja e fundit në skenë e fitodizajnerit ishte me një strukturë të madhe lulesh e titulluar "Krijimi" në Bienalen Ndërkombëtare të Ngjyrave të Melburnit të mbajtur para disa kohësh. “Unë merrem me estetikë dhe ilustrim mode, me grafikë dhe pikturë, i kam marr me radhë të gjitha stilet artistike” - thotë Ganço. Edhe pse ai ka jetuar për më shumë se 4 dekada në anën tjetër të globit, Bullgaria është ende afër zemrës së tij dhe ai shpesh udhëton në vendlindjen e tij, Kjustendill, ku ka lindur 72 vjet më parë:
“As emrin nuk e kam ndryshuar. Pasi këtu është vështirë të shqiptohet dhe shkruhet në mënyrë specifike Ganço, më thonë - "hajde, bëhu Gani Toskani!". Por ky emër është shumë italian, nuk do ta doja. Pastaj ata thonë - "bëhu Geri Tomson!". Por është shumë anglez, ndërsa unë ndihem bullgar, preferoj të më quajnë Ganço. Sepse Bullgaria është atdheu im. Është e vërtetë, jam rritur në një regjim totalitar, por pavarësisht gjithçkaje unë e dua atë, është një vend jashtëzakonisht i bukur!” – thotë Ganço Taskov.
Shija e tij për bukurinë materializohet edhe në kopshtin e shtëpisë së tij, ku bullgari rrit të gjitha llojet e luleve, duke përfshirë trëndafilat bullgarë, por gjithashtu edhe perimet. Një pjesë e kësaj pasurie përfundon në tryezën e shtëpisë, një tjetër - kthehet në skulptura shumëngjyrëshe. “Fitodizajni është një art i pastër, në të nuk ka fenomene kitsch dhe dekadente”, pohon bullgari i njohur, i cili ekspozon rregullisht krijimet e tij edhe në Bullgari. Në vitin 2019, Ganço hapi një ekspozitë me fitodizajn në Sofje dhe të ardhurat u përdorën për ndërtimin e shtëpive për fëmijët jetimë në fshatin Ledenik të Veliko Tërnovos, na bëhet e ditur nga vetë ai. Krijimtaria e tij është e shumanshme dhe shumë shpesh lidhet me dashurinë për atdheun. Ja si u përgatit Ganço Taskov për 24 majin - ditën e shkrimit bullgar, një nga festat tona më të dashura:
“Edhe tani kam përgatitur një ekspozitë, e cila quhet “Dhe ne i kemi dhënë diçka botës”. Ajo do të jetë në një pergamenë antike në 13 gjuhë sllave me psalme nga Bibla dhe me afreske në dru, po ashtu me psalme, por nga Bibla sllave në lidhje me 150-vjetorin e krijimit të saj. Ekspozita ime tjetër është grafike dhe i është kushtuar gjimnastikës ritmike - një nga simbolet moderne të Bullgarisë. Verën e kaluar kisha një ekspozitë me këtë temë në Kjustendill. Qyteti është djep jo vetëm i artit dhe i artistëve, por edhe i gjimnastikës ritmike, sepse i ka dhënë kombëtares sonë më shumë se 20 gjimnastë. Hapja e kësaj ekspozite do të jetë më 1 tetor në Melburn. Në vitin 2022 e prezantova në Sydney, ku u prit me shumë interes dhe madje ministri i kulturës bleu dy piktura”.
Krijimtaria e tij është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me bamirësi dhe me mbështetjen e kauzave të ndryshme. Në vitin 2022, në qytetin kanadez të Vankuverit, bullgari prezantoi 12 piktura me bojëra uji të llojeve të kafshëve të rrezikuara në Australi me ftesë të Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve, dhe fondet shkuan për mbrojtjen e tyre. Ganço është një artist i gjithëanshëm me talente të ndryshme. Në fund të viteve 1980, ai ishte dy herë stilisti personal i Lady Dianës. Ja çfarë mban mend prej saj:
“Ajo ishte shumë e sjellshme, e natyrshme, e pasforcuar, e turpshme, prandaj quhej Princesha e Popullit dhe po të mos ishte protokolli mbretëror, do të sillej si një e re e zakonshme moderne e sofistikuar. Dizenjova gjashtë veshje mbrëmjeje për të. Unë i kam akoma letrat e saj të bamirësisë dhe planifikoj t'i shes në një ankand në Londër, sepse përmes tyre dua të ndihmoj njerëzit, e veçanërisht fëmijët jetimë” - tha në përfundim Ganço Taskov.
Më shumë për bullgarët e suksesshëm jashtë vendi mund të gjeni këtu:
Foto: arkivi Ganço Taskov
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Kanë kaluar 116 vjet që nga 22 shtatori i vitit 1908, kur Bullgaria zuri vendin e saj të barabartë midis vendeve të tjera të pavarura të Evropës në atë kohë. Ndonëse, ndryshe nga Bashkimi, shpallja e Pavarësisë ishte një akt tërësisht politik, kjo nuk e..
Ai thotë se ka kohë që nuk ndihet i huaj në Bullgari. Kjo është shtëpia e tij, ai e di bullgarishten dhe, si shumica e bashkatdhetarëve tanë, është i emocionuar për situatën politike në vend. Por pasioni i tij më i madh, ajo që i mbush ditët me dritë..
Bullgarë janë të parët në botë që guxuan dhe arritën të kalojnë nga fundi në fund hapësirën më të paparashikueshme oqeanike - Oqeanin Arktik, me një varkë me vozitje. Stefan dhe Maksim Ivanovi janë baba dhe bir që realizuan edhe më parë ekspedita..