Shkencëtarët e Institutit për Studimin e Arteve pranë Akademisë Bullgare të Shkencave studiojnë 37 kisha bullgare prej disa vitesh për të paraqitur një përshkrim sistematik të pikturës monumentale kishtare të shekullit të ХVІ-të në trojet tona. Botimi luksoz “Korpusi i afreskeve të shekullit të ХVІ-të në Bullgari” shoqërohet me një tablo të pasur vizuale, krijuar nga dora e mjeshtërve zografë.
Në atë kohë vendi ynë ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe popullsia bullgare – përveç përmbushjes së detyrimeve, gëzonte edhe disa të drejta. “Gjatë këtyre viteve, mbreti turk u dha lirinë të krishterëve për të ndërtuar kisha”, shkroi Paisij Hilendarski në jetëshkrimin e zografit dhe ndërtues të kishave Shën Pimen Zografski.
“Tempuj të rinj po shfaqen me dekorime shumë të larmishme – thotë prof. Biserka Penkova, drejtuese e ekipit shkencor. - Disa manastire u ndërtuan në fund të shekullit të XVI-të. Në të njëjtën kohë, rreth Sofjes u ndërtuan disa manastire të reja dhe, së bashku me më të vjetrit, formuan të ashtuquajturin Mali i Shenjtë i Sofjes - një rrjet manastiresh më të vogla që u bënë qendra shpirtërore. Në to kopjoheshin libra dhe kishat e tyre zbukuroheshin nga brenda. Këtu do të shtoj edhe disa kisha metropolitane, për shembull atë në qytetin Nesebër. Afresket e përsosura të tempullit, vinin për të treguar mjeshtërinë e zografëve.”
Piktorët e këtyre qendrave fetare vinin nga pjesë të ndryshme të Gadishullit Ballkanik, kryesisht nga Greqia Veriore, siç dëshmohet nga mbishkrimet e bashkëngjitura në imazhe. Megjithatë, emrat e tyre mbeten të panjohur, pasi piktorët nuk perceptoheshin si krijues të vërtetë, por vetëm si përçues të providencës së Zotit.
Në hulumtimin e tyre, shkencëtarët hasën disa kisha, për të cilat nuk kishte asnjë informacion deri më tani. Afresket e kishës së Manastirit Divotinski “Trinia e Shenjtë”, që tani po restaurohen, ishin gjithashtu një surprizë.
“Manastiri Divotinski është një objekt i ri - shton Prof. Biserka Penkova. - Afresket u zbuluan pasi restauruesit filluan të heqin suvanë që i mbulonte. Unë vetë nuk i kam parë ende, sepse murgjit tani për tani nuk lejojnë vizita masive. Por është me të vërtetë një monument shumë interesant.”
Fatkeqësisht, shumë prej afreskeve në objektet fetare të studiuara janë në gjendje të mjerueshme dhe një ditë për to do të dëshmojnë vetëm shkrimet e studiuesve.
“Jemi duke hyrë në një bisedë me shtetin për përgjegjësitë - për fat të keq, kjo është një çështje shumë komplekse dhe e paqartë - thotë prof. Biserka Penkova. – E kujt është përgjegjësia? Problemi kryesor është çështja e menaxhimit. Nëse ka pronarë, ka kujdes, ka mundësi ruajtjeje. Por ka shumë manastire apo tempuj të vegjël të braktisur prej kohësh, të mbetura jashtë vendbanimit, të cilët nuk mirëmbahen. Dhe ata, për fat të keq, po shkatërrohen.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, Akademia Bullgare e Shkencave, Diana Cankova
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike në qytetin shkëmbor Perperikon, u zbulua varri i një të ndjeri, me rituale kundër vampirëve të kryera në trup, tha për BTA kreu i hulumtimeve, Prof. Nikollaj Ovçarov. Gjetja shfaqet mes pothuajse 250 varreve dhe..
Shkrimtar, hero i Luftës së Dytë Botërore, aviator, gazetar, regjisor dhe diplomat - personaliteti i Romain Gary (1914-1980) është shumështresor dhe enigmatik. Dhe Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën dhe veprën e një prej autorëve francezë më të..
Qyteti i shenjtë shkëmbor i Perperikonit mori një tjetër njohje të madhe. Pasi një muaj më parë hyri në top dhjetëshen e vendeve arkeologjike më interesante..