Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Hristo Berberov – artisti i pakuptuar që sjell shpirtin e Italisë në atdhe

Foto: sbh.bg

Edhe pse historia jonë pas çlirimit nuk ka numëruar ende as dy shekuj, ajo vazhdon të na befasojë me personalitete që i kanë shkruajtur emrat e tyre me një shkrim të paimitueshëm në kronikë. Njëri prej tyre - Hristo Berberov, "Kam lindur më 27 tetor 1875 në qytetin e Elenës si anëtari i fundit i familjes së varfër me tetë pjesëtarë të Ivan Billberjas dhe Marija Millanova Grënçarovës, të cilët deri në fund të jetës së tyre nuk arritën të zgjidhnin mosmarrëveshjen se nga cili prej tyre e kisha trashëguar dhuntinë për të lyer muret e huaja dhe qepenat në rrugë.

Talenti i tij artistik u zbulua nga çeku Otto Horeishi, i cili së bashku me bashkatdhetarët e tij iu përgjigj ftesës së vendit të sapoçliruar për të ndihmuar në ndërtimin e shoqërisë dhe kulturës së tij. Pasi zbuloi tek i riu shkëndijën e krijimtarisë së Zotit, mësuesi i vizatimit në gjimnazin e djemve të Veliko Tërnovos "Shën Kirill", e drejtoi nxënësin të zhvillojë talentin e tij në një nga akademitë evropiane të artit.

Në atë kohë në Bullgari nuk kishte ende shkollë pikture, kështu që Hristo Berberov me tre bullgarë të tjerë shkuan në Torino me bursë shtetërore – thotë kritikja e artit Anxhella Daneva. – Ata i mbaruan studimet e tyre në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura “Albertina”. Sipas referencave në arkivin e saj, Berberov kishte pasur mundësinë të ndiqte kursin e specializuar të vizatimit që në vit të parë dhe kjo tregon se italianët e vlerësonin talentin e bullgarit të ri.”

Akoma si student në Torino, në vitin 1894, së bashku me artistë të njohur, mori pjesë me tre piktura në ekspozitën e parë të Shoqatës për Ruajtjen e Artit në Bullgari. Një nga këto vepra quhet “Kujdestarët e Ariut”.

Vetë kompozimi është shumë interesant dhe paraqet dy burra në një rrugë të panjohur, të cilët drejtojnë një ari, ndërsa njëri prej tyre mban një dajre në dorë” - shtoi kritikja e artit për Radio Bullgarinë.

Pas përfundimit të shkollimit në “Albertina” në vitin 1898, Hristo Berberov u kthye në atdhe, i shtyrë nga misioni për të përcjellë atë që kishte mësuar. Fillimisht u bë mësues në Gjimnazin e Djemve të Plovdivit, ndërsa nga viti 1912 deri në vitin 1920 filloi të jepte mësim në Shkollën Artistike-Industriale, e cila një vit më vonë u quajt Akademia e Arteve. Njëkohësisht merr pjesë në ekspozita të përgjithshme brenda dhe jashtë vendit.

Hristo Berberov rikrijon një botë të mbushur me bukuri në pikturat e tij, edhe kur në të perceptohen nuanca dramatike. Ai na çon në një kohë të largët, përmes fshehtësisë të tij. Fytyrat janë të shpirtëzuara, peizazhet kanë një freski, vizatimet dhe grafikat janë krijuar me finesë, kombinimet e ngjyrave janë të pazakonta për kohën e tyre.

Në punimet e tij mund të dallojmë mësimet profesionale të “Albertinës” – thotë Anxhella Daneva. - Veprimtaria e tij karakterizohet me atmosferën e periudhës nga fundi i shekullit të XIX-të dhe fillimi i shekullit të XX-të - në Itali ai u frymëzua nga romantizmi dhe tendencat simboliste me ngjyrat dhe diapazonin e tyre specifik. Në përgjithësi, ai përcjell tingullin italian në peizazhet e tij me harmoninë pak më të ftohtë të ngjyrave. Megjithatë, tonet blu në jeshile dhe vjollcë në fillim të shekullit të ri nuk njiheshin në Bullgari dhe nëse e krahasojmë me pikturat e kolegëve të tjerë të tij, do të shohim menjëherë ndryshimet”.

Në krijimtarinë e Hristo Berberov nuk mbeten në plan të dytë pikturat kishtare. Ai ka projektuar mozaikët për disa nga fasadat në Katedralen Patriarkale “Shën Aleksandër Nevski”, ka pikturuar edhe ikonat në Kishën e “Fjetja e Shën Mërisë” në qytetin e tij të lindjes, Elena. Një fakt interesant është se disa nga imazhet duken të papërfunduara me një qasje moderniste.

Gruaja e tij ishte modelja e tij e preferuar dhe ai e rikrijonte shpesh imazhin e saj nëpër kisha – thotë gjithashtu kritiku i artit. – Pasi e vishte me rrobat e duhura, ajo pozonte për vizatimet përgatitore për muralet e mëdha. Dhe nëse njerëzit hyjnë në katedralen "Shën Aleksandër Nevski" në Sofje dhe shikojnë majtas në brëndësi, do të dallojnë muralen "Lartësimi i Kryqit të Nderuar", në të cilën gruaja e tij paraqitet e gjunjëzuar. Ndërsa djali i tij është ndër fytyrat e engjëjve në mozaikët në fasadë”.

Ndonëse Hristo Berberov merr pjesë aktive në jetën artistike të vendit, ai duket sikur mbetet në hije dhe pikturat e tij ekspozohen vetëm krahas veprave të autorëve të tjerë.

Krahas piktorëve të tjerë që përsosën aftësitë e tyre në akademitë evropiane, Hristo Berberov padyshim renditet ndër krijuesit e artit figurativ bullgar. Hapi i parë drejt njohjes me veprën e tij u bë një vit më parë me një ekspozitë të madhe në galerinë në rrugën “Shipka” 6, ku peizazhet e tij madhështore malore, portretet ëndërrimtare të grave, shtëpitë e periudhës së Rilindjes që lartësohen si një mbartës i një sistem vlerash të harruara, sipas piktorit. " Krijimtaria e Hristo Berberovit nuk duhet të fundoset, sepse ai kontribuoi në zhvillimin e historisë së artit figurativ bullgar", thekson kritikja e artit Anxhella Daneva.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: sbh.bg




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një kuadr nga filmi

Filmi "Tufa" hap edicionin e 38-të të "Kinomania"

Në sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në Sofje, fillon edicioni i 38-të i “Kinomania”. Festivali i filmit hapet më 13 nëntor me premierën e filmit “Tufa”. Pas sukseseve të tij në mbarë botën dhe datave të premierës plotësisht të shitura në..

botuar më 24-11-13 6.25.PD

Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” fillon me një theks në Ukrainë

Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” do të mbahet në Sofje nga data 8 deri më 15 nëntor. Forumi realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Filmit, Bashkisë së Kryeqytetit, Ambasadës së Ukrainës dhe Derzhkino të Ukrainës. Këtë vit,..

botuar më 24-11-08 6.20.PD
Foto: Ambasada e Republikës së Bulgarisë në Shqipëri

Ditët e Kulturës Bullgare u zhvilluan në Tiranë

Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës u zhvilluan Ditët e Kulturës Bullgare, njoftoi Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri. “Të inkurajuar nga Dita e Iluministëve të Popullit që e festuam së fundmi, ne bëmë çmos për t'i njohur miqtë tanë..

botuar më 24-11-06 8.25.PD