“Drejtësia për Bullgarinë” është lëvizja më e re civile e shfaqur në skenën politike. Krijimin e saj e bëri të ditur personalisht ish prokurori i përgjithshëm Ivan Geshev, në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook. Tani për tani nuk është parti sepse Geshev ende nuk është i liruar nga detyra dhe nuk ka të drejtë të marrë pjesë në politikë. Qëllimi i lëvizjes do të jetë një gjyqësor i pavarur, i mbrojtur nga cenimet politike kriminale dhe motoja e saj do të jetë “Zoti, Atdheu, Familja”, theksoi në deklaratën e tij ish prokurori i përgjithshëm. Në arsyet e krijimit të lëvizjes, Geshev theksoi se “askush nuk mendon më për Bullgarinë dhe popullin” dhe se “kjo nuk mund të tolerohet më” sepse “fëmijët tanë nuk do të qëndrojnë këtu”. Geshev siguroi se do t'u japë përgjigje të gjitha pyetjeve të qytetarëve gjatë një sërë takimesh personale në mbarë vendin.
“Shoqata do të jetë qytetare, patriotike, e bazuar në etikën e krishterë dhe vlerat tradicionale familjare bullgare - theksoi Geshev. - Mendoj se kur të pranohet dorëheqja ime, ne të qëndrojmë së bashku me të gjithë ata që ndajnë shqetësimin për të ardhmen e Bullgarisë, së bashku në emër të vlerave tona konservatore.”
Sipas Geshev, “është koha për të zbatuar një projekt të vërtetë politik bullgar, jo një të ambasadave që manipulojnë vendin tonë”. Ai theksoi se për të “kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit është më i rëndësishmi” dhe shtoi se klasa në pushtet gjithmonë ka dashur të kufizojë të drejtat e qytetarëve, por “Bullgaria nuk ka qenë kurrë në një situatë kaq poshtëruese sa është sot”. Në fjalën e tij, Geshev e quajti Kuvendin Popullor një strehë për kriminelët me imunitet, ku “disa u lanë, të tjerët e morën pushtetin në duart”. Prandaj, qëllimi i lëvizjes “Drejtësia për Bullgarinë” është rikthimi i zgjedhjeve mazhoritare dhe drejtësisë, e cila, sipas Geshev, është dërrmuar nga modeli kriminal i qeverisjes. Bullgarët duhet të ndiejnë një ndjenjë krenarie kombëtare dhe të binden se Evropa punon për Atdheun, jo për zyrtarët evropianë të prapaskenave, theksoi gjithashtu ish-kryeprokurori.
I pyetur nga audienca në Facebook në lidhje me çështjet gjyqësore të interesit të lartë publik si Barcelonagate dhe pse po hetohet tani rasti, Geshev pranoi se me të vërtetë ekziston një ndjenjë mes njerëzve për vonesën në këto dhe disa raste të tjera:
“Drejtësia është një proces i vështirë dhe kompleks dhe jo vetëm në Bullgari, por në të gjithë BE-në rastet e rënda zgjasin me vite - theksoi ish-kryeprokurori. - Megjithatë, për të gjitha ato punohej në mënyrë aktive dhe, ndoshta, tashmë është koha për numërimin mbrapsht. Dëshiroj t’ju kujtoj se shërbimet e sigurisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme zbardhin krimet, njoftojnë prokurorinë dhe ajo i paraqet aktakuzë gjykatës, ku autorët të dënohen. Nëse Ministria e Punëve të Brendshme ose shërbimet nuk zbulojnë një krim, prokuroria nuk mund të bëjë punën e saj dhe gjykata nuk mund të dënojë personin përkatës për një vepër të caktuar. Megjithatë, pyetja e rëndësishme është pse njerëz si Kirill Petkov, Hristo Ivanov dhe të tjerë rreth tyre, deri disa muaj më parë, shkonin në shtrat dhe zgjoheshin me pyetjen për shtëpinë në Barcelonë, sirtarët dhe Bojko Borisovin, sot e bëjnë pyetjen pse tani? Kjo tregon mungesë parimi dhe se atyre u intereson vetëm pushteti.”
I pyetur nëse ka lidhje mes tij dhe biznesmenit Vasill Bozhkov dhe a ka mundësi që ai të sponsorizojë partinë e ardhshme, Ivan Geshev u përgjigj se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tij, lidhja e tij me biznesmenin e përmendur ka të bëjë me faktin se në kohën kur ishte prokuror i përgjithshëm ndaj Bozhkovit u ngritën 19 akuza. Geshev shtoi se ata tek të cilët do të mbështetet, nëse vendos të formojë parti, do të jenë qytetarët bullgarë të cilët janë të neveritur nga politika dhe mendojnë se drejtimi ka kohë që ka humbur, por ende duan të jetojnë në Bullgari, së bashku me fëmijët e tyre.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës. "Jam i lumtur të njoftoj emërimin e..
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..