Vizita e parë historike e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në kryeqytetin bullgar zgjati gjysmë dite. Pas reagimit dhe përgatitjes së mediave bullgare në fillim të ditës, shikuesit dhe dëgjuesit e thjeshtë u ndjenë si në shfaqjen e Gogolit "Revizori". Të gjithë prisnin, flisnin, debatonin intensivisht për mysafirin e pritur, por asgjë nuk ishte e sigurt, a është këtu, a do të vijë, çfarë do të thotë, çfarë do të pyesë, çfarë do të ndodhë....? Vetëm presidenti amerikan Bill Clinton në vitin 1999, gjatë Luftës së Kosovës, dhe Papa Gjon Pali II në vitin 2002, kanë marrë një vëmendje të tillë mediatike dhe masa sigurie në Sofje.
Në mesditë, delegacioni ukrainas i kryesuar nga Zelenski fluturoi për në Sofje nga Kishinau me aeroplanin e qeverisë bullgare. Në qendrën e kryeqytetit të pjekur nga dielli, në të ashtuquajturin “trekëndësh të pushtetit”, të ftuarit u pritën fillimisht në Këshillin e Ministrave.
Prof. Dimitër Vacov, profesor i filozofisë në Universitetin e Ri Bullgar, tha për BNR:
"Vetë vizita e Volodimir Zelenskit është shumë e rëndësishme. Ai është lideri i vërtetë i botës së lirë për momentin. Mund të themi se jo Joe Biden (presidenti i SHBA) dhe jo Ursula von der Laen (presidentja e Komisionit Evropian), por në momentin e tanishëm pikërisht Zelenski është ai që, si të thuash, është flamuri i lirisë sonë... Dhe ai nuk thjesht erdhi në Bullgari, ai erdhi për të falënderuar, siç theksoi ai, një herë për ndihmën ushtarake, dhe gjithashtu për refugjatët ukrainas”.
Pas bisedës me zyrën e kryeministrit Nikollaj Denkov, Zelenski deklaroi se ka rënë dakord “të forcohet bashkëpunimi me Bullgarinë në sektorin e mbrojtjes: “Ne shpresojmë te ky bashkëpunim, i cili na ka ndihmuar të mbrojmë shumë njerëz. Po vazhdojmë bisedimet për mjekimin e ushtarëve ukrainas në vendin tuaj. Diskutuam për bashkëpunimin në fushën e energjisë – ky po bëhet një nga prioritetet e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ne mbështetemi te ju për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në BE dhe NATO.”
Edhe pse Zelenski mbërriti me ftesë të qeverisë sipas protokollit, kreu i shtetit bullgar Rumen Radev priti homologun e tij ukrainas në presidencë.
“Takimi mes dy presidentëve ishte shumë interesant. Ishim dëshmitarë të një përplasjeje të tërthortë, por mjaft të qartë midis dy tezave të ndryshme. Njëra është teza e presidentit tonë Rumen Radev, i cili prej kohësh po përsërit se dhënia e ndihmës ushtarake për Ukrainën po e tërheq vendin tonë në luftë. Këtë e tha edhe Dmitri Peskov, zëdhënës i (presidentit rus) Vladimir Putin, me rastin e vizitës së Zelenskit në Bullgari. Kjo është një tezë që mbështetet nga shumë qarqe pro-ruse në të gjithë Evropën, ato që organizojnë marshime për paqe dhe neutralitet” – shtoi Prof. Dimitër Vacov
“Dua të shpreh solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe me viktimat e kësaj lufte mizore”, tha presidenti Radev në fillim të takimit.
Zalenski e pyeti mikpritësin se pse nuk e mbështet memorandumin e nënshkruar bullgaro-ukrainas për ndihmën me municione. “E thoni këtë si Komandant i Përgjithshëm Suprem – në mënyrë që ushtria juaj të mos dobësohet, ose që të mos e mbështesni forcimin e Ukrainës. Këto janë gjëra të ndryshme. Gjithçka që keni në ushtrinë tuaj do të jetë e pamjaftueshme për të luftuar Federatën Ruse nëse ajo vjen këtu. Jo, sepse ushtria juaj është e dobët, por e gjithë kjo nuk do të mjaftonte për të luftuar kundër një vendi me 160 milionë banorë, kështu që është mirë t'u jepni njerëzve aftësinë për të mbrojtur veten. Lufta nuk ka distancë. Nëse, Zoti na ruajt, bëhet tragjedi, nëse njerëzit që kanë vlera të përbashkëta me ju nuk ju ndihmojnë me armë, çfarë do të bëni”, i tha Zelenski Radevit.
Presidenti ukrainas nuk foli para një mbledhjeje të përgjithshme të deputetëve në parlament sepse partitë "Vëzrazhdane" dhe Partia Socialiste Bullgare (BSP) nuk donin ta dëgjonin, por u takua me forcat parlamentare të mazhorancës që e mbështesin mbrojtjen e Ukrainës.
Ndryshe nga pjesa klasike “Revizori”, ku nuk kishte finale, vizita e Zelenskit në Sofje përfundoi me një konferencë shtypi jashtëzakonisht të hapur dhe emocionuese për mediat bullgare. Biseda do të mbetet historike, por jo sepse u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar, por sepse para mediave bullgare, Zelenski përgënjeshtroi qartë gjithë këto propaganda ruse në Bullgari.
“Më shumë se 140 mijë persona kanë marrë mbrojtje në Bullgari. Ju po më duartrokisni, unë dua që ju të duartrokisni veten për gjithçka që keni bërë për popullin tonë”, tha Zelenski në sallën ku, rastësisht ose jo, janë paraqitur eksponate nga Bullgaria e Madhe mesjetare. Prej aty, në shekullin e VII, nga territori i Ukrainës dhe Krimea e sotme, bullgarët u larguan për t'u vendosur përgjithmonë në Ballkan.
“Ne po përpiqemi që njerëzit tanë të kthehen në shtëpi, në shtëpitë e tyre në Ukrainë dhe që ajo të bëhet e sigurt. Kjo është shumë e nevojshme dhe ne mendojmë se mund të bëhet e mundur. Gjithçka varet nga fuqia e kësaj mbështetjeje të rëndësishme që ne përdorim për mbrojtje”, theksoi presidenti ukrainas.
Më pas i ftuari fluturoi për në Pragë. Për fat të keq, ai nuk mundi të ishte gjithë ditën në Bullgari.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BTA
"Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në kushtetutë qytetarët që janë pjesë e kombeve të tjera, siç janë bullgarët". Kështu thuhet në një raport për zgjerimin e BE-së, të prezantuar nga..
Një parlament edhe më shumëngjyrësh u përvijua nga vota e zgjedhësve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 tetorit. Parashikimet fillestare ishin për një Kuvend Popullor me 9 parti, por rezultatet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)..
Një tjetër zgjedhje e parakohshme është tashmë pas nesh, por përtej pjesëmarrjes paksa të rritur të votuesve, krahasuar me votat e qershorit të këtij viti, është ende e vështirë të parashikohen konfigurimet politike që do t'i japin një shans formimit..