Një nga perlat e kryeqytetit bullgar janë parqet e tij, të cilat u ofrojnë banorëve të Sofjes dhe mysafirëve të saj kushte të mrekullueshme për relaksim, sport dhe për të shpëtuar nga përditshmëria e tensionuar. Ndër më të vizituarit prej tyre janë Parku Jugor, ata Perëndimor dhe Verior. Dhe, doemos edhe parku më i madh në kryeqytet - “Kopshti i Borisit”, i shtrirë në një sipërfaqe prej mbi 3300 dynymësh. Në pjesën e tij më të fisnikëruar, jeta vlon si në ditët e javës ashtu edhe në ditët e festave, si gjatë ditës ashtu edhe në orët e vona të natës. Gjatë ditës, këtu do të shihni shumë nëna me fëmijë, sportistë që preferojnë ajrin e pastër sesa salla të mbytura, vrapues të vetëm, pensionistë të ulur në diell për të lexuar gazetën e mëngjesit.
Në mbrëmje, parku mbushet me grupe të rinjsh, dhe ndonjëherë me tifozë futbolli të moshave të ndryshme - këtu, më pak se 100 metra nga njëri-tjetri, ndodhen Stadiumi Kombëtar “Vasill Levski” dhe stadiumi i Klubit CSKA – “Ushtria Bullgare”. Këto nuk janë objektet e vetme sportive - ka fusha tenisi, një park me litar, etj. Në Kopshtin e Borisit është edhe një nga më të njohurat sheshe lojërash në mesin e fëmijëve të Sofjes, organizohen shumë ngjarje sportive dhe kulturore. Parku ka edhe një pjesë më të egër ku do të ndiheni sikur jeni në një pyll të vërtetë!
Oaza natyrore në qendër të Sofjes u krijua në vitin 1882, si fidanishte, në atë kohë në periferi të qytetit. Më vonë, në vitin 1895, u emërua “Kopshti i Princit Boris” për nder të djalit njëvjeçar të Princit Ferdinand - Boris. Kopshtari i parë i parkut ishte zvicerani Daniell Neff. Ai është njeriu që bëri planin e parë të kopshtit dhe mbolli 10 000 pemët e para në të. Fidanishtja ndodhej në vendin e liqenit të sotëm “Ariana”. Disa nga pemët shekullore mund të shihen edhe sot në park. Është kureshtare që në vitin 1892, në zonën e parkut, filloi ndërtimi i Observatorit Astronomik të Universitetit të Sofjes, i cili përfundoi dy vjet më vonë. Kështu, vetëm 6 vjet pas Çlirimit të saj(1878), Bullgaria fitoi një nga observatorët e parë në Ballkan, i cili aktualisht është duke u riparuar dhe u restauruar.
Ndërkohë, kopshti vazhdon të zhvillohet dhe të zgjerohet. Në vendin e një ish-kënete, Neff formoi një liqen të quajtur “Peshku”, i riemërtuar më vonë “Liqeni i Zambakëve”. Lulet delikate të ujit që mbulojnë pasqyrën e liqenit do të mbushin shpirtin tuaj me romancë dhe pasion të epokave të shkuara, dhe mes gjetheve të gjelbra të dyllta mund të shihni edhe breshka.
Dikur, më shumë se një shekull më parë, ky park ishte një vend i preferuar dhe një burim frymëzimi për poetin tonë të madh Pejo Javorov. Shkrimtari i memoareve Mihaill Kremen kujton shëtitjet e poetit në mesnatë nëpër Kopshtin e Borisit në librin “Romani i Javorovit”. “Javorov më kishte çuar më shumë se një herë - gjoja te “peshqit”, por gjithmonë deri në fund të kopshtit... ku shëtitnim me orë të tëra, duke u sorollatur nëpër shtigjet e errëta midis pemëve të dendura. Kisha frikë, sidomos në mot të vranët, por ai më qetësonte se kishte një revole”, na rikthen Kremen në atmosferën e fillimit të shekullit të XX-të.
Në vitin 1906, dizajni i “Kopshtit të Borisit” iu besua alsasit Josif Fraj. Me idenë e tij, u krijua një Trëndafilishtë, në të cilën organizoheshin ekspozita lulesh çdo vit. Sot, Trëndafilishta ndodhet pranë stadiumit “Vasil Levski”. Është një vend i qetë dhe i këndshëm ku shpesh do të shihni njerëz të ulur me një libër në dorë mes trëndafilave aromatik.
Përgjatë rrugicave qendrore të kopshtit aty-këtu shihen monumentet e krijuesve apo luftëtarëve bullgarë për pavarësi kombëtare, duke kujtuar majat kulturore dhe momentet e lavdishme të historisë bullgare.
Një vend tjetër që ia vlen të ndaleni është i ashtuquajturi Liqen i Shpendëve Ujorë. Këtu duhet të shihni rosën e egër (mallard) e cila është më e zakonshme në Bullgari. Por rosat janë krijesa kokëforte. Edhe nëse nuk i shihni, vendi do t’ju tërheqë me magjinë e tij.
Më tej brenda parkut ngrihet një obelisk 41 metrash, i mbetur nga koha e socializmit (1956) – “Tuma e Vëllazërisë”, një monument për antifashistët e rënë. Sot është një vend më i izoluar ku të rinjtë pëlqejnë të mblidhen për këtë arsye.
Me rrugicat e saj të freskëta verore, sipërfaqet e gjelbra, lulet dhe vendet e shumta për argëtim dhe sport, Kopshti i Borisit është e famshme si një nga vendet më tërheqëse për relaksim dhe pushim aktiv në kryeqytet.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Miglena Ivanova
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..