Empatia dhe shqetësimi - për këtë flasin veprimet e shtetit bullgar në orët e para të luftës së gjerë që filloi në shtetin e Izraelit. Kryeministri Nikollaj Denkov dënoi kategorikisht sulmet terroriste të “Hamas”-it dhe dhunën ndaj qytetarëve të pafajshëm izraelitë. “Shpreh solidaritetin e plotë me popullin izraelit. Mendimet e mia janë me viktimat e këtyre sulmeve. Dënoj terrorizmin në të gjitha format e tij”, shkroi kryeministri.
Kabineti përgatiti evakuimin e bullgarëve që donin të largoheshin nga Izraeli - zëvendëskryeministrja dhe ministre e punëve të jashtme Maria Gabriel bisedoi me ministrin e punëve të jashtme të Izraelit Eli Koen dhe ambasadorin bullgar në Izrael për të garantuar lëvizjen e sigurt të bashkatdhetarëve tanë deri në aeroport, nga ku deri më tani u realizuan dy kurse të aeroplanit qeveritar “Eërbës”. Me ta në Bullgari u kthyen mbi 150 bullgarë, si dhe shtetas të vendeve të tjera. Kështu, Bullgaria u bë vendi i parë që organizoi një mision për evakuimin e shtetasve të saj dhe të huaj nga Izraeli pas fillimit të luftës me “Hamas”.
Ministri i transportit Georgi Gvozdejkov njoftoi se evakuimet do të vazhdojnë për sa kohë të ketë bullgarë që duan të largohen nga Izraeli. Gjithashtu u bë e qartë se, nëse është e mundur, vendi ynë do t’i përgjigjet dëshirës së deklaruar të vendeve të tjera të BE-së që Bullgaria të transportojë qytetarët e tyre.
Për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe “Hamas”-it, dhjetëra fluturime ndërkombëtare u anuluan ose u shtyn. “Dëshirojmë që të gjithë bullgarët ta dinë se shteti kujdeset për ta”, tha kryetari i Kuvendit Popullor, Rosen Zheljazkov, duke përshëndetur grupin e parë të bashkatdhetarëve të evakuuar.
Lot gëzimi, kënaqësie dhe mirënjohjeje për evakuimin - kështu mund të përshkruhen emocionet e njerëzve:
“Mësova se çdo fluturim për në Bullgari u anulua dhe kontaktova me konsullatën për të parë nëse ka ndonjë zgjidhje. Kam 15 vjet që jetoj në Izrael, prandaj nuk kam frikë nga gjëra të tilla, por vërtet mendoj se tani do të jetë pak më e vështirë”, thotë bashkatdhetaria jonë, e cila zbriti në tokën bullgare me avionin qeveritar.
Një tjetër bullgar që udhëtoi në Izrael për qëllime turizmi i shpjegoi reporterit të Radios Kombëtare Bullgare (BNR) Andrej Borisov:
“Të shtunën, kur filluan armiqësitë, kontaktuam me konsullatën e Republikës së Bullgarisë në Izrael, paraqitëm listën e grupit tonë, mbajtëm kontakte vazhdimisht dhe morëm ndihmë. Ne ishim në kontakt gjatë gjithë kohës, për çka i jemi shumë mirënjohës Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadorit, konsullit. Një rol shumë të madh luajti edhe prania e ministrit të transportit në avion, i cili i dha fluturimit status diplomatik.”
“Ndihemi shumë mirë, falënderojmë që u kthyem në tokën tonë të bukur! Falënderojmë qeverinë, falënderojmë atdheun tonë që na tregoi dashuri të madhe dhe na nxori nga Izraeli - tha një tjetër grua e moshuar bullgare që udhëtoi për pelegrinazh në Varrin e Shenjtë. - Duhej të fluturonim dje, por pati sulme, raketa dhe zbritëm në bunkerë. Ne ishim shumë të shqetësuar, njerëzit po vuajnë shumë atje. Ne lutemi për ta dhe Zoti i largoftë nga kjo luftë.”
Shumë bullgarë po anulojnë rezervimet e tyre për udhëtimet në Izrael në ditët në vijim. Edhe operatorët turistikë anulojnë gjithashtu udhëtimet në pritje të zhvillimit të luftës, njoftoi uebfaqja TravelNews.bg.
Në organizimin e evakuimit të një grupi turistësh bullgarë nga vendi ndërluftues mori pjesë personalisht ciceronia dhe përkthyese Teodora Asher. Ajo i tha BNR se djali i saj është në fushën e betejës. “Këtu po flasim për një mobilizim në shkallë të gjerë – ushtri të rregullt, oficerë rezervë dhe ushtarë, pra u mobilizuan të gjitha njësitë e ushtrisë izraelite, dhe kujdesi i parë dhe kryesor është lokalizimi, lirimi dhe kthimi i pengjeve, të cilët janë civilë, familje të tëra, duke përfshirë edhe shumë fëmijë”, tha ajo.
“Nuk duhet të lejojmë që të na pushtojë kaosi, dhuna dhe frika”, tha Teodora Asher nga Izraeli dhe në eterin e BNR falënderoi të gjithë ata që thirrën për t’u interesuar për situatën aktuale.
“Ka një ndjenjë ndjeshmërie, solidariteti, shqetësimi. Sepse që nga kohërat e lashta ekziston një kod moral që vlen edhe gjatë luftës, dhe skenat e popullatës civile të kapur, të rrëmbyer, të dhunuar automatikisht e bëjnë njërën nga palët humbëse, edhe pa arritur në fazën përfundimtare të luftës” - thotë Teodora Asher. Vendi ku ajo jeton dhe punon është në një luftë të plotë për herë të parë në gjysmë shekulli, numri i të vdekurve që nga fillimi i granatimeve të para dy ditë më parë ka kaluar mbi një mijë njerëz.
“Situata kërkon nga ne gjakftohtësi dhe mobilizim. Paralelisht, ne jemi të përmbytur me një rrjedhë informacioni përgjatë çdo linje. Duhet të fokusohemi në informacione të verifikuara dhe zyrtare. Kjo fazë ku Izraeli është nën zjarr filloi të qetësohet. Veprimet ushtarake po ndryshojnë drejtimin te kufirit verior dhe Rripit të Gazës.”
Megjithatë, Teodora Asher kujton se Rripi i Gazës është një pjesë e vetme e tokës (36 km në drejtimin veri-jug dhe 10 km në lindje-perëndim), në të cilën jetojnë afro 2 milionë njerëz, një pjesë e madhe e të cilëve janë edhe civilë. “Ne vetëm mund të shpresojmë dhe të lutemi që gjakderdhja të ndalojë”, thotë ajo me dhimbje në zë.
Teksti: Elena Karkallanova (bazuar në intervistat e Andrej Borisov dhe Lora Tërkoleva, BNR –Horizont)
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, BGNES, EPA/BGNES
Një mosmarrëveshje parazgjedhore përçau partitë në pushtet të koalicionit të madh në Rumani Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Rumani, socialdemokratët në pushtet dhe liberalët hynë në një mosmarrëveshje. Kjo ndodhi për..
Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve për veprime bindëse kundër blerjes së votave. Në takimin me kreun e shtetit morën pjesë ministri i punëve të brendshme Atanas..
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën..