Zgjedhjet lokale që përfunduan pak ditë më parë në Bullgari treguan nivele të reja, ndonjëherë tronditëse, apatie në lidhje me mjetin kryesor me të cilin qytetarët mund të ndikojnë në proceset politike në vend - të drejtën e tyre për të votuar sipas bindjeve të tyre.
Dhe megjithëse qytetarët në vendbanimet e vogla treguan përkushtim më të madh ndaj procesit zgjedhor, rezultatet e balotazhit në qytetet e mëdha janë simptomatike - në Sofje votuan 34.64 për qind e zgjedhësve me të drejtë vote, në Plovdiv - vetëm 24.22 për qind dhe në Varna – 30.65 për qind. Kështu, kryebashkiakët e zgjedhur gëzojnë mbështetjen e një pjese shumë të vogël të popullsisë, gjë që i bën ata të pambrojtur në imponimin e politikave dhe në marrjen e vendimeve.
Sipas politologut Doc. Stojço Stojçev, pjesëmarrja e ulët në votime – 44.94 për qind në raundin e parë dhe 36.87 për qind në balotazh, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), vjen si pasojë e polarizimit të shoqërisë, i cili ende nuk e ka arritur kulmin, por është në nivele më të larta krahasuar me zgjedhjet e mëparshme vendore në vitin 2019:
"Kjo çoi në një kundërshtim total të dy alternativave reciprokisht përjashtuese dhe në neverinë e të gjithë votuesve të tjerë që janë më të moderuar. Efekti i drejtpërdrejtë i kësaj është pjesëmarrja jashtëzakonisht e ulët e zgjedhësve. Pavarësisht se Vasill Terziev do të jetë kryetar i bashkisë së Sofjes për 4 vjet ai u zgjodh nga rreth gjysma e atyre që dolën fare për të votuar. Qytetet e tjera gjithashtu kanë një konfigurim të ngjashëm. Polarizimi është aty. Vetë kandidatët e zgjedhur do ta kenë të vështirë të krijojnë besimin tek vetja si kryetar i të gjithë qytetarëve.”
Sipas Stojçevit, përfaqësuesit e popullit duhet të nxjerrin një përfundim nga pjesëmarrja e ulët e votuesve, pasi u takon atyre të rivendosin besimin në procesin zgjedhor - të mos merren më me Kodin Zgjedhor.
“Nëse çdo fushatë zgjedhore kalon nën shenjën e ndryshimit të teknologjisë apo rregullave në minutën e fundit, nuk mund të presim që një pjesë e madhe e atyre që kanë të drejtën e votës të mos dyshojnë se rezultati do të jetë në funksion të këtyre ndryshimeve. Sa më pakë të ndryshojë teknologjia e votimit, aq më mirë."
Zgjedhjet, përveç që janë përgjegjësi e qytetarëve, janë edhe përgjegjësi e politikanëve - tha në një intervistë për BNR, Prof. Desisllava Boshnakova, shefe e Departamentit të Komunikimet Masive në Universitetin e Ri Bullgar.
“Çdo fushatë e një politikani duhet të jetë fillimisht një fushatë që të bëjë njerëzit të votojnë dhe pastaj ta votojnë për të. Të paktën nuk e ndjeja një fushatë në këtë drejtim. Gjëja tjetër - kam ndjesinë se me vite të gjithë po punojnë qëllimisht për të vrarë atë pak besim që bullgari ka në institucionet. Ata vranë edhe dëshirën e vogël të njerëzve për të shkuar në votim.”
Sipas saj, orvatjet për të nënvlerësuar inteligjencën e votuesit ndëshkohen gjithmonë nga ai.
Edhe psikologu Dr. Pllamen Dimitrov analizon arsyet e pjesëmarrjes së ulët të votuesve dhe numrin e madh të votuesve që mbetën një shumicë e heshtur në këto zgjedhje. Me përvojën e tij shumëvjeçare brenda dhe jashtë vendit, lidhur me stimulimin e pjesëmarrjes aktive, kompetente, të informuar dhe të përhershme të qytetarëve në procesin zgjedhor, Dr. Dimitrov bën analiza të ngjashme në vendin tonë që nga zgjedhjet e para demokratike në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar:
“Shfaqjen e termit “shumicë e heshtur” ia detyrojmë SHBA-ve, por në Bullgarinjerëzit mbeten pa fjalë duke parë realitetin me të cilin përballen kur shikojnë peizazhin e praktikës sonë politike – është i bindur Dr.Dimitrov. - Ajo që na bëri përshtypje në analizat e fundit është se po kronifikohen tendencat që na pengojnë të vlerësojmë legjitimitetin e të zgjedhurve.”
Sipas Pllamen Dimitrov, zgjedhja e qytetarëve lidhet jo vetëm me hedhjen e fletave në kutinë e votimit, por edhe me mospjesëmarrjen në zgjedhje – të ashtuquajturën rezistencë pasive, mosgatishmërinë për të mbështetur një sistem i cili nuk jep atë që pret prej tij.
Edhe mospjesëmarrja në zgjedhje është pjesë e jetës politike - tha psikologu social Doc. Nikollaj Dimitrov, por theksoi një dallim të rëndësishëm në atë që e shkakton atë tek ne dhe në mbarë botën:
“Në sistemet normale politike, ky akt perceptohet si një mënyrë për t'u treguar pjesëmarrësve në zgjedhje se po abstenosh sepse rezultati i këtij votimi nuk është i një rëndësie të veçantë për ty.Në Bullgari, vërejmë se votuesi nuk sheh përfitimin e drejtpërdrejtë për vete që do t'i sjellë votimi.Ajo me të cilën do t'i ndihmojë vogëlushit.”
Doc. Dimitrov komentoi edhe arsyeja pse kësaj radhe fushata për zgjedhjet lokale nuk zgjoi një interesim të madh te votuesit:
“Ishte e mërzitshme dhe letargjike, gjatë gjithë kohës kishte dyshime se ndeshja ishte luajtur.”
Përpilues: Ioan Kolev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Ilijana Dimitrova, BGNES, BTA, Ani Petrova - BNR
Shqipëria dhe Mali i Zi realizuan progres në integrimin evropian gjatë vitit 2024 Udhëheqësit e BE-së u takuan më 18 dhjetor me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje..
Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) - “Horizont” disponin projekt-marrëveshjen për bashkëpunim 10-vjeçar në fushën e sigurisë mes Bullgarisë dhe Ukrainës. Dokumenti prej 20 faqesh, nënshkrimi i të cilit u shty, përcakton se Bullgaria do të sigurojë trajnime..
Në Rumani, një koalicion do të mbrojë rrugën evropiane të vendit Presidenti rumun Klaus Iohannis mblodhi parlamentin e ri të vendit më 20 dhjetor. Zgjedhjet parlamentare, të cilat u zhvilluan më 1 dhjetor, u fituan nga socialdemokratët në..
Shqipëria dhe Mali i Zi realizuan progres në integrimin evropian gjatë vitit 2024 Udhëheqësit e BE-së u takuan më 18 dhjetor me homologët e..