Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Hristo Botev, Kryengritja e Prillit dhe "Komitetet Sllave"

Më 2 qershor 1876, në zjarrin e luftës për pavarësi kombëtare, Bullgaria humbi një nga heronjtë e saj më të rëndësishëm - Hristo Botev

Hristo Botev, Ivan Drasov dhe Nikolla Sllavkov
Foto: Toma Hitrov

Kujtimet e pjesëmarrësve në vitin fatal 1876 për Bullgarinë janë të shumta, shpeshherë kontradiktore, por letrat dhe dokumentet për Kryengritjen e Prillit, që flasin për çështjen e Çlirimit të Bullgarisë, krijojnë një pamje më të gjerë të ngjarjeve, përtej interpretimit të asaj që na kanë mësuar në orët e historisë në shkollë.
Anija „Radecki”
A e dini se sipas kujtimeve të Dimitër Gorov, të regjistruara nga Zahari Stojanov, vetëm biletat e grupit të parë të kryengritësve - rreth 40 veta, të cilët më 16 maj 1876, së bashku me poetin dhe revolucionarin Hristo Botev, hipën në anijen "Radecki" në Gjurgevo, kushtonin 650 franga ari. Shuma ishte e mjaftueshme për kapitalin e një ndërmarrje të vogël në atë kohë. Bileta e klasit të tretë e çdo kryengritësi të hipur në anije - 195 persona të maskuar si kopshtarë që udhëtonin për në Serbi - kushtonte sa një pushkë moderne. 
Pushtimi i anijes Radecki, pikturë
Secili prej tyre ishte i armatosur me armë relativisht të mira kryesisht belge. Armët, as ato nuk ishin të lira, vinin nga "Bordi i Administrimit të Filantropisë Bullgare", që funksiononte në Bukuresht nga gushti 1875 deri në korrik 1876. U krijua zyrtarisht për të mbledhur fonde për kryengritjen në Bosnje dhe Hercegovinë dhe u trashëgua nga “Shoqëria Qendrore Bamirëse Bullgare”.
Zbarkimi i çetës së Botevit në Kozlloduj. Dimitër Giuxhenov
Këto, siç mund t'i quanim sot "organizata joqeveritare", drejtoheshin zyrtarisht nga Kirjak Cankov - një anëtar i Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar (BRCK) në Bukuresht, i cili ishte i mbyllur në atë kohë. Megjithatë, në realitet, të dyja organizatat drejtoheshin nga diplomati rus Vlladimir Jonin. Ky i fundit hyn në Vllahi si emisar i "Komiteteve Sllave" ruse. Faktikisht, "Komitetet Sllave" luajnë një rol kryesor në politikën e jashtme ruse ndaj Serbisë dhe Bullgarisë për çështjen Lindore - si do të ndahet trashëgimia e Perandorisë Osmane në Ballkan. Të themeluara pas disfatës ruse në Luftën e Krimesë (1853-1856), Komitetet në mënyrë formale para Evropës ishin një organizatë publike e distancuar nga shteti rus. Ato deklaronin se do të mbështesin arsimin dhe kishën në Serbi dhe Bullgari. Në realitet, ato ishin një instrument që lejonte diplomacinë ruse të kryente propagandë hibride dhe veprime të armatosura në Ballkan.
Pyetja interesante është përse në vitin 1875 “Komitetet Sllave” refuzuan t’i siguronin Hristo Botevit dhe Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar të udhëhequr prej tij para dhe armë për të organizuar kryengritjen e Stara Zagorës, por muaj më vonë qëndruan pas Kryengritjes së Prillit?

Komitetet dhe degët e tyre në Vllahi kontrollonin veprimtaritë e Komitetit Giurgius, i cili përgatiti Kryengritjen e Prillit dhe u shpërbë vetë në fund të vitit 1875. Nëpërmjet filialeve të tyre, "Komitetet sllave" morën përtej Danubit koordinimin e çetave që do të hynin në Bullgari nga Vllahia dhe Serbia, për të mbështetur kryengritjen kundër sundimit osman.
Shtypja e kryengritjes në Bosnje dhe Hercegovinë
Çfarë ndodhi? Në 1875, Rusia dhe Austro-Hungaria ndihmuan në mënyrë aktive në shpërthimin e kryengritjes në Bosnje dhe Hercegovinë. Vjena dhe Shën Petërburgu kishin rënë dakord që kryengritja të bëhej një rast për thirrjen e një konference ndërkombëtare, në të cilën do të zgjidhej Çështja lindore. Nëse lexoni artikujt e zjarrtë politik të Hristo Botevit në shtypin revolucionar, do të shihni se si pjesëtarët e Komitetit Qerndror Revolucionar Bullgar kanë frikë se Bullgaria do të humbasë momentin e duhur për një kryengritje dhe për të ngritur çështjen e çlirimit të saj. BRCK vendosi të organizojë një kryengritje të tillë. Në gusht dhe shtator 1875, Botev shkoi në Kishinau dhe Odesa për të kërkuar para dhe armë. Por “Komitetet sllave” dhe emigracioni bullgar në Rusi i kontrolluar prej tyre e kthyen duarbosh. Në atë kohë Rusia respektonte marrëveshjet me Austro-Hungarinë dhe donte që bullgarët të mos rebeloheshin. Por kryengritja në Bosnje dhe Hercegovinë shuhet pa një rezultat.
Ivan Aksakov, jurist dhe publicist, kryetar i Komiteteve Sllave nga viti 1875 deri në 1878.
Perandoria Osmane e mbështetur nga Britania refuzoi të thërriste një konferencë për të ndryshuar status quo-në në tokat ballkanike. Atëherë Shën Petërburgu ndihet i lirë dhe vendos për bullgarët. Për një sërë arsyesh, Hristo Botev nuk merr pjesë në punën e Komitetit Giurgius, por përgatitet të marrë pjesë në çetat që priteshin të kalonin lumin Danub. Në fund të prillit dhe në fillim të majit 1876 Botev përsëri shkon në Kishinau dhe Odesa. Ai pritet me krahë të hapura dhe me fonde. Në fund, çetës së Botevit i bashkohet edhe “Bordi i Administrimit të Filantropisë Bullgare” me grupin e tij të mirëfinancuar dhe të armatosur, i përgatitur për të kaluar në Bullgari – çeta “Shën Gjergji”.
Në historinë tonë bullgarët kanë edhe momente të tilla të lumtura kur interesat tona kombëtare integrohen me sukses në politikën e madhe ndërkombëtare dhe dalin mbi kontradiktat e fuqive të mëdha. Suksesi më spektakolar i tillë është bëma e Kryengritjes së Prillit, e cila u pagua me sakrificën e revolucionarëve si Hristo Botev dhe të gjithë pjesëmarrësve në kryengritje. Ngjarjet e vitit 1876 nxitën çlirimin bullgar dhe çuan në ringjalljen e shtetit bullgar.

Lexoni më tepër:
Foto: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Lindja e Virgjëreshës" - Manastiri Paligodèn mbron atë që është lënë trashëgim nga Shën Apostulli Pal

Pas festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses, Lindja e Nënës së Zotit kremtohet me nder të veçantë në Bullgari. Kisha jonë e feston atë më 8 shtator, së bashku me kishën ortodokse greke, ndërsa kishat e tjera ortodokse lokale e kremtojnë festën më 21..

botuar më 24-09-08 5.45.PD
Prof. Ivan Illçev

Madhështia e Bashkimit dhe pasojat e sindromës së bashkimit

Më 6 shtator 1885, Bullgaria u bë përsëri një shtet i bashkuar. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, profesori i Universitetit të Sofjes "Shën Kliment Ohridski" Ivan Illçev foli për faktorët që çuan drejt Bashkimit, kur Principata e Bullgarisë dhe..

botuar më 24-09-06 7.50.PD

Pallati i gjuetisë në Kriçim është një vend i vërtetë mbretëror

Përgjatë shtrirjes midis Rrafshinës së Trakisë së Epërme dhe malit Rodopa nga lindja në perëndim si një varg gjerdani renditen vendbanimet piktoreske - Asenovgrad, Perushtica, Kriçim, Peshtera, Patalenica dhe Varvara. Përgjatë luginave të..

botuar më 24-09-03 7.05.PD