A e dini se çfarë është e përbashkët mes kishës së hekurt "Shën Stefani" në Stamboll, Sinagogës së Sofjes dhe pikturave të Vlladimir Dimitrov - Mjeshtrit? Rezulton se veç Bullgarisë, “filli i kuq” mes tyre është…. brumi i sheqerit dhe një grua bullgare që jeton në Stamboll tashmë 20 vjet - Mariya Ozturk.
E lindur në qytetin Gabrovo (Bullgari Qendrore), Mariya zgjodhi artin dhe zanatet që herët. Ajo u diplomua në Shkollën e Arteve në Trjavna (Bullgaria Qendrore Veriore), ku zotëroi gdhendjen në dru, dhe më pas specialitetet "Skulpturë" dhe "Pedagogjia e Arteve të Bukura" në Universitetin e Veliko Tërnovos "Shenjtorët Kirill dhe Metodij". Filloi të punojë si mësuese në shkollën “Canko Djustabanov” në vendlindjen e vet, e njohur me pseudonimin “Mançesteri bullgar”. Dashuria, siç ndodh shpesh në romane, hapi një faqe të re në jetën e saj, e cila e çoi në një nga metropolet e botës - Stamboll. Ajo u takua me burrin e saj në një aplikacion komunikimi online. Pa ditur asnjë fjalë turqisht, Maria vendosi ta ndiqte dhe për dy dekada e ka ndarë jetën e saj mes Bullgarisë dhe Turqisë.
“Fillova të punoj në një laborator restaurues për piktura dhe ikona”, thotë bullgarja për punën e saj të parë në Turqi. - Kam punuar në bashkëpunim me restaurues nga Franca, Bullgaria, Turqia dhe Greqia”, kujton Mariya.
Lindja e djalit të saj hapi horizonte krejtësisht të reja zhvillimi për familjen Ozturk. Kur djali mbushi dy vjeç, Mariya bëri tortën e saj të parë amatore. Ajo gjithashtu filloi të interesohej për dekorim ëmbëlsirash, i cili zakonisht bëhet me sheqer. Së shpejti, ëmbëlsirat u bënë më shumë se një hobi. Ndërkaq, bashkatdhetarja jonë u bë anëtare e Asociacionit Botëror të Shefave Kuzhinierë. Në të mund të marrin pjesë vetëm personat që janë anëtarë të ndonjë prej federatave që janë anëtare të asociacionit në fjalë.
“Unë jam e vetmja e huaj, anëtare e njërës prej federatave Tasfed që nga viti 2017 – thotë Mariya. “Çdo vit kjo federatë organizon një festival gastronomik në Stamboll, në kuadrin e të cilit organizohen edhe trajnime speciale për kuzhinierë që dëshirojnë të jenë anëtarë të festivaleve dhe olimpiadave të ndryshme për kulinari.”
Pjesëmarrja e fortë bullgare në Ekspozitën Ndërkombëtare të Tortave në Birmingham në vitin 2016, ku veprat e Mariya u shpërblyen me medalje ari dhe argjendi, e bënë atë për të menduar për ndonjë event, ku të prezantojë punën e ëmbëltorëve-dekoratorë para një publiku më të gjerë. Dhe kjo ndodhi 6 vjet më parë. Temën bashkuese Mariya e zgjodhi pa hezitim - "Bullgaria ime". Ajo vetë krijoi një model sheqeri të Sinagogës së Sofjes.
Katedralja patriarkale e Shën Aleksandër Nevskit dhe imazhet e sundimtarëve bullgar Hani Asparuh dhe Mbreti Simeon I u bënë frymëzim për pjesëmarrësit e tjerë.
Para disa vitesh, bashkatdhetarja jonë rikrijoi nga sheqeri dhe një nga kryeveprat e artit bullgar - "Vajza me mollët" të Vlladimir Dimitrov-Mjeshtrit.
Një nga krijimet e saj prej sheqeri, që tërheq një vëmendje të veçantë si në Turqi, ashtu edhe në vendin tonë, është modeli i kishës së hekurt “Shën Stefani” – një faltore e lidhur me spiritualitetin bullgar. Maketi u bë me rastin e hapjes zyrtare të kishës së rinovuar në vitin 2018.
“Planet origjinale të tempullit i mora nga arkitekti i cili e drejtonte restaurimin. Jam e lumtur që arrita ta ruaj këtë maket, i cili sot ndodhet në një kuti të posaçme prej qelqi në qendrën tregtare të Gabrovos”, thotë me kënaqësi të madhe bashkëatdhetarja jonë. Përveç në studion e saj, ku i gatuan ëmbëlsirat origjinale, dhe në konkurse të ndryshme, Mariya merr pjesë në klasa master, ku e njeh audiencën me specifikat e zanatit. Bullgaria, Gjermania, Zvicra, Singapori, Arabia Saudite, Katari, Jordania, Irani janë vetëm disa nga vendet që ajo ka vizituar për të prezantuar këtë art të bukur.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: arkiv personal
Më 1 tetor, bota feston gjuhën universale të muzikës. Vështirë se dikush dyshon në aftësinë e këtij arti për të shëruar shpirtrat dhe për t'u dhënë krahë mendimeve, por sot do të shtojmë edhe një histori tjetër që e vërteton këtë - atë të bateristit të..
Kanë kaluar 116 vjet që nga 22 shtatori i vitit 1908, kur Bullgaria zuri vendin e saj të barabartë midis vendeve të tjera të pavarura të Evropës në atë kohë. Ndonëse, ndryshe nga Bashkimi, shpallja e Pavarësisë ishte një akt tërësisht politik, kjo nuk e..
Ai thotë se ka kohë që nuk ndihet i huaj në Bullgari. Kjo është shtëpia e tij, ai e di bullgarishten dhe, si shumica e bashkatdhetarëve tanë, është i emocionuar për situatën politike në vend. Por pasioni i tij më i madh, ajo që i mbush ditët me dritë..