Zheçka Sllaninkova është krenaria e traditës së Stranxhës.Ajo është një nga këngëtaret e talentuara të kësaj krahine folklorike, të cilat kanë afirmuar dhe popullarizuar stilin e vërtetë të Stranxhës, si Magda Pushkarova, Komnia Stojanova, Janka Rupkina. Ajo ka lindur në fshatin Inxhe Vojvoda, rrethi i Burgasit. Paraqitjet e para skenike të Zheçkës 13 vjeçe kanë qenë gjatë kohës së tubimeve kombëtare dhe vendase, mes të cilave “Këndon Stranxha” në zonën Bosna dhe Koprivshtica gjatë vitit 1976, në të cilat gjithmonë ka fituar medalje të arta. Dashuria e madhe ndaj këngëve e shpie në Shkollën Kombëtare të Arteve Folklorike "Filip Kutev"- në qytetin Kotell. Më vonë nga ana profesionale realizohet dhe si pedagoge në shkollën muzikore në Shiroka Llëka. Zhvillimin e saj profesional Zheçka Sllaninkova ia detyron përvojës së grumbulluar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Stranxha - Burgas, si soliste dhe këngëtare në përbërjen e tij korale. Arti dhe repertori i pasur i këngëtares së njohur janë vlerësuar nga specialistët në Radion Kombëtare Bullgare, ku realizon incizime të këngëve të krahinës së Stranxhës me Orkestrën e Muzikës Popullore të Radios Kombëtare Bullgare dhe me grupe instrumentale të dhomës.
Ajo është e lumtur dhe nga partneriteti i saj me muzikantë të njohur, si Teodosij Spasov, Nedjallko Nedjallkov, Pejo Peev e të tjerë. Ka 10 albume të incizuara. Jashtëzakonisht emocionuese janë takimet e Zheçka Sllaninkovës me publikun e Burgasit, i cili e pret me duartrokitje të mëdha, më në veçanti në rastet kur këndon këngë të ngadalta me zërin e saj pushtues, të gërshetuar në ornamentikën shumë fine dhe të bukur të Stranxhës.
Zheçka Sllaninkova është dyzet vjet në skenë, kurse tani vonë hyri në gjashtëdhjetë vjetorin e saj-një shkak festiv për kujtime të dashura, të lidhura me këngën e Stranxhës, të cilat këngëtarja i ndau posaçërisht për Radio Bullgarinë:
“Siç ju kam thënë, unë kam filluar të këndoj si fëmijë. E kam marrë këngën popullore si dhuratë. Zoti më ka dhënë talentin të këndoj, të gëzoj zemrat e njerëzve, të cilët i vlerësojnë këngët e bukura popullore. Babai im këndonte shumë bukur. Thonë se gjyshja Bërza ka qenë bilbili i fshatit Inxhe Vojvoda. Unë kam një kujtim të bukur nga një tubim në zonën Bosna, ku kishte dy skena - njëra në pjesën më të sipërme, kurse tjetra – në pjesën më të poshtme. Publiku pasi dëgjonte se ku do të këndonte Zheçka Sllaninkova, shkonte në skenën përkatëse për të më dëgjuar. Unë e përfundova shkollën muzikore në qytetin Kotell, pas kësaj u martova me bashkëshortin tim Rumen Mutafçiev, i cili është pedagog i fyellit. U nisëm për në Shiroka Llëka ku jepnim mësim. Nxënësit më donin shumë si dhe njerëzit aty. Kishte një familje e cila më quante “bilbili”. Pas kësaj në Shkollën e Mesme “Dobri Çintullov” në qytetin Burgas hapën një klasë për mësimin e instrumenteve popullore dhe këndim, ku jepja mësim 7-8 vjet. Tani në këtë shkollë jep mësim një nga nxënëset e mia. Dhe kjo më gëzon shumë”.
Këngëtarja popullore me shumë emocion kujtohet për festimin e jubileut të saj 55 vjeçar dhe 35 vjet veprimtari skenike. Atëherë bashkia e qytetit Burgas ka mbështetur koncertin festiv në teatrin veror në qytet, kurse pjesëmarrës kanë qenë interpretuesit e rinj nga krahinat e ndryshme folklorike. Pavarësisht nga kohërat e turbullta në të cilat jemi duke jetuar, Zheçka Sllaninkova planifikon përsëri një koncert të ngjashëm.
A është e lumtur nga fati i saj i një këngëtareje popullore? Ja dhe përgjigja e saj:
“Si të mos të jem e lumtur! Ashtu siç e dua familjen time, fëmijët e mi, kështu i dua dhe këngët popullore. Nuk mund ta përfytyroj jetën time pa këngën. Ju uroj të gjithëve shumë shëndet, qetësi shpirtërore, të jemi më të mirë, të dëgjojmë muzikën e bukur popullore. Sepse ajo është një balsam për shpirtin dhe zemrën.”
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Me 20 dhjetor Kisha Ortodokse Bullgare nderon kujtimin e Shën Ignat Hyjmbajtësit. Sipas besimeve, dhimbjet e lindjes së Nënës së Zotit fillojnë nga kjo ditë. Edhe në këngët popullore thuhet:“Filluan dhimbjet e lindjes së nënës së Zotit”. Në kalendarin..
Tetë tradita autentike bullgare dhe aftësi të përcjella brez pas brezi nga pjesë të ndryshme të vendit u bënë pjesë e Listës Përfaqësuese Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe kështu u bënë pjesë e "Thesareve të gjalla njerëzore" të..
Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por..