Zgjedhjet e parakohshme tashmë janë të sigurta pasi partia politike BSP e zgjedhur nga presidenti, ktheu mandatin e tretë eksplorues të paplotësuar.
"Ai u quajt në mënyra të ndryshme - teknik, krize, etj., por doli të ishte më tepër një mollë e helmuar për forcën politike që e mori", - përgjithësoi politologu Antonij Gëllëbov në një intervistë për BNT.
Tashmë në vend ka dy pyetje: cila do të jetë përbërja e kabinetit të ri dhe cila do të jetë data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Përgjigjet janë në duart e kreut të shtetit.
Në fjalimin e tij të shkurtër pas kthimit të mandatit të paplotësuar të BSP-së, Rumen Radev la të kuptohet për planet e tij, duke i dhënë kohë Kuvendit Popullor që të përfundojë punën e vet deri në fund të kësaj jave. Në këtë kontekst, sot është ndoshta dita e fundit e punës së Legjislaturës së 47-të të Kuvendit Popullor, i cili përfundon gati tetë muaj pas seancës së parë më 3 dhjetor 2021. Ky është gjithashtu parlamenti i parë bullgar që mbyllet pas votimit të parë të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë në historinë bullgare.
"Asnjë subjekt politik nuk përfiton nga zgjedhjet e parakohshme për momentin, madje as opozita," komentoi sociologu Julij Pavlov në një intervistë për BNR.
“Fituesi i madh është presidenti – ai do të qeverisë tre deri në tre muaj e gjysmë. Ka shumë mundësi që në parlamentin e ardhshëm të mos mund të formohet një konfiguracion qeverisës me vijat e kuqe aktuale dhe më pas ai do të qeverisë edhe për tre muaj e gjysmë të tjera”.
Në perspektivën politike të përvijuar në këtë mënyrë, qytetarët pyesin veten se cilët do të jenë ekspertët apo politikanët në Këshillin e Ministrave, të cilëve presidenti do t'u caktojë menaxhimin e vendit në kushtet e krizave të rënda.
Cili duhet të jetë profili i kryeministrit në detyrë, tek i cili duhet të ndalet kreu i shtetit?
“Në një situatë normale, nuk duhet të jetë e rëndësishme se kush do të jetë, por në këtë rast pritet që ai të përballet me shumë sfida - shpjegoi për BNT analisti politik Rosen Karadimov. - Prandaj, profili i tij duhet të jetë ai i një personi mjaft autoritar që të ngjall besim në shoqërinë bullgare, e cila është e frikësuar nga lufta, e nervozuar nga inflacioni dhe e hedhur në erë nga çmimet e transportuesve të energjisë”.
Me mungesë të aktiveve, por me një gamë të tërë pasivesh, koalicioni aktual i trefishtë - "Po e vazhdojmë ndryshimin", BSP dhe "Bullgaria Demokratike" - po zbret nga pushteti, përmbledh antropologu social Harallan Aleksandrov. “Tani do të ketë një betejë për të rishpërndarë fajin, jo për të rishpërndarë aktivet. Është fare e sigurt që secili prej pjesëmarrësve do të akuzojë të tjerët”, theksoi ai për BNR.
Në analizën e vet të asaj që po rastis në terrenin politik Aleksandrov prognozon se, “dy projektet populliste “Po e vazhdojmë ndryshimin” dhe “Ka një popull të tillë” kanë dështuar në provën e tyre për t'u marrë me kundërshtarët e tyre politikë, dhe lufta mes tyre është vetëshkatërruese”.
“E vetmja gjë që mund të bashkojë partnerët në koalicionin e trefishtë është formimi i një armiku të përbashkët, sigurisht që do të jetë nga opozita, presidenti dhe kushdo që nuk është dakord me ta dhe i lejon vetes të ketë një mendim kritik.”
E dhe sociologu Përvan Simeonov është skeptik, se ndonjë nga formacionet mund të zbulojë në situatën e tanishme pozitive dhe të përfitojë prej tyre.
“Vendi ndodhet në një gjendje ku askush nuk duket se është në gjendje dhe se nuk dëshiron të mbajë përgjegjësinë e qeverisjes në vjeshtën dhe dimrin e vështirë përpara. Ky quhet dështim politik dhe kjo është një diagnozë shumë e rëndë kombëtare”.
Opozita është në gjendje të mirë, thekson Aleksandrov, dhe pret që formacionet aktuale opozitare (GERB, DPS dhe "Vëzrazhdane") të prezantohen mirë në zgjedhjet e parakohshme. Kjo, sipas fjalëve të tij do të ndryshojë situatën politike, por nuk do të ketë një dominim të partisë GERB.
“Tre herë me radhë bullgarët ripohuan vullnetin e vet të jepet një mandat për ndryshim kundra të ashtuquajturit “model GERB-DPS”, i cili ishte lidhur me drejtimin e vendit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit - rikujton Përvan Simeonov. Kjo ishte një mundësi e përshtatshme për mbledhjen e subjekteve “pothuajse të pa mbledhshëm”, siç janë Bullgaria Demokratike dhe Partia Socialiste Bullgare. Më duket se, politikanët tani po e humbasin këtë shans, pasi situata pas zgjedhjeve të reja mbetet e paparashikueshme”.
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: BGNES, Ani Petrova, arkiv
Turqit dhe grekët duan më shumë pika kalimi përgjatë Vijës së Gjelbër në Qipro Partitë politike greke qipriote dhe turke qipriote u kanë bërë thirrje liderëve të tyre që të hapin më shumë pika kalimi përgjatë Vijës së Gjelbër që ndan Qipron për..
Pasi për të njëmbëdhjetën herë ia dolën të zgjedhin kryetaren e Legjislaturës së 51-të të Kuvendit Popullor në personin e Natalija Kisellovës, të propozuar nga “BSP – E majta e Bashkuar”, deputetët votuan për zgjedhjen e nënkryetarëve të..
Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, u dëgjua nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian. Ai tha se disa nga kujtimet e tij më të bukura janë nga Bullgaria, por akuzoi Sofjen për ngecje të integrimit evropian të..