Dita, në të cilën Bullgaria shpalli Pavarësinë, më 22 shtator, me manifestin e Princit bullgar Ferdinand, u dha fund lidhjeve vasale me Perandorinë Osmane. Principata e Bullgarisë u bë një mbretëri e pavarur, e kryesuar nga Mbreti Ferdinand tashmë i kurorëzuar.
Viti dhe data e shpalljes së Pavarësisë së shtetit të ri bullgar nuk janë aspak të rastësishme.
Diplomacia bullgare në atë kohë evidentoi një situatë të favorshme ndërkombëtare dhe princi bullgar u takua në Vjenë personalisht me Perandorin Franz-Josef dhe kërkoi mbështetje nga Austro-Hungaria – një nga Fuqitë e Mëdha që imponoi Traktatin e Berlinit.
Pavarësia e Bullgarisë u shpall nga princi në kryeqytetin e vjetër Veliko Tërnovo, në shenjë vazhdimësie dhe respekti për kryeqytetin e Mbretërisë së Dytë Bullgare (1185 – 1396). Por pavarësia nuk vjen vetëm me shpalljen e një manifesti historik mbretëror, që këtu e tutje nis rruga e vështirë për njohjen ndërkombëtare të kësaj aspirate shumëvjeçare.
Porta e Lartë (Turqia) ngulte këmbë që Bullgaria të paguajë tatim, për shkeljen e Traktatit të Berlinit, por Kryeministri Aleksandër Malinov refuzoi dhe deklaroi, se pavarësia nuk blihet. Ushtria bullgare u vu në mobilizim të pjesshëm. Perandoria Ruse në këtë kohë nuk donte një konflikt ushtarak në Ballkan dhe mori përsipër të ndërmjetësonte negociatat. Ajo pranoi të falte borxhin e Perandorisë Osmane, të mbetur nga Lufta e viteve 1877-1878. Nga ana e saj, edhe Porta e Lartë nuk deshi të kërkonte dëmshpërblim nga Bullgaria, duke i njohur pavarësinë e saj.
Ditën e Pavarësisë e lidhim me fitoren e diplomacisë bullgare, siç thekson edhe historiania Irina Boteva nga Panagjurishte:
“Data 22 shtator është shumë e rëndësishme, sepse pothuajse për të gjitha ngjarjet e deri atëherë (pa Bashkimin!), në një mënyrë apo në një tjetër kemi pritur ndihmë nga Fuqitë e Mëdha. Ne ishim të varur gjithmonë se çfarë qëndrim do të kishin këto Forca ndaj dëshirës sonë për liri. Nëse përjashtojmë rënien tonë nën sundimin osman, vështirë se ka një moment më tragjik në historinë tonë se nënshkrimi i Traktatit të Berlinit, dhe pas tij ne mbetemi në pritje të “bekimit” të ndonjë vendi të madh. Ndërsa akti i kryer më 22 shtator të vitit 1908, me në krye Aleksandër Malinovin, si Kryeministër dhe Mbretin Ferdinand, është një dëshmi se ky vend duhet të jetë i pavarur dhe ka forcën për të provuar veten në skenën ndërkombëtare dhe për ta mbrojtur këtë pavarësi.
Sot, 114 vjet më vonë, 22 shtatori vazhdon të ngjallë një ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje te bullgarët. Për shembull, për studentin e historisë Cvjatko Cvetkov, Dita e Pavarësisë është po aq e rëndësishme sa 3 Marsi - Çlirimi i Bullgarisë:
“Kjo është një ditë e rëndësishme sepse ne u bëmë të pavarur nga Perandoria Osmane dhe mund të tregtonim me vende dhe popuj të tjerë evropianë. Kjo festë tregon se ne tani jemi të pavarur dhe nuk kemi nevojë për mbështetjen e vendeve më të forta. Dhe të jesh i pavarur do të thotë të mos jesh i nënshtruar dhe të jesh i lirë në veprimet e tua.”
Në anketën e Radio Bullgarisë nëse dimë ta mbrojmë pavarësinë tonë sot, Temenuga Zllateva nga Sofja pranoi se njeriu modern është gjithnjë e më i varur nga faktorë të rinj dhe të rinj:
“Sadoqë e hapur të jetë bota dhe mund të udhëtojmë kudo, mediat, institucionet e ndryshme, kriza globale dhe tani kriza e gazit, po na vjedhin lirinë dhe pavarësinë. Prapëseprapë secili prej nesh mund të përpiqet të jetë i pavarur, të sillet ndaj të afërmve me respekt dhe dashuri dhe atje, në familje, mes miqsh, mund të gëzojë lirinë dhe pavarësinë personale.”
“Sot ne jemi të varur më së shumti nga politika shtetërore dhe gjendja financiare e vendit, në përgjithësi nga qeverisja e vendit” – vëren Evelina Petrova nga Sofja dhe shton:
“Asgjë nuk ka ndryshuar për ne me kalimin e viteve, por bullgari është i ashpër, ai gjithmonë ka duruar dhe ka gjetur një rrugëdalje nga çdo krizë. Për këtë jemi të njohur ne bullgarët, se sado të vështira të kemi kaluar, jemi mobilizuar dhe kemi mbijetuar. Për më tepër, besimi i fortë në Zot na ka mbështetur në shekujt e skllavërisë, ne i kemi ruajtur vlerat tona, si rrjedhoje edhe si popull.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, rawpixel
Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum pranë fshatit Debellt /Bullgaria Juglindore/. Gjëja unike është se ajo përshkruan mitin e përbindëshit..
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni u organizua më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..
Në analet laike të Bullgarisë së pasçlirimit, Mitropoliti Kliment Tërnovski njihet si Vasill Drumev - një shkrimtar dhe figurë e njohur publike, që bëri..