Aktualisht rezervimet për vendpushimet tona dimërore po shkojnë shumë mirë dhe ndihet optimizëm në degën turistike. Bullgaria po përgatitet të mirëpresë afro 1.2 milionë të huaj deri në fund të marsit 2023, parashikon Instituti për Analiza dhe Vlerësime në Turizëm. Pas një uljeje të numrit të turistëve gjatë disa viteve të fundit, po kthehen turistët nga Britania e Madhe, e cila është tregu kryesor për turizmin tonë dimëror. Rritje ka edhe sa u përket rezervimeve nga Evropa Qendrore dhe Ballkani, mësuam nga Konstantin Zankov nga Instituti në fjalë. Sipas tij, në muajt në vijim, industria do t'u afrohet niveleve të vitit të suksesshëm parapandemik 2019, pavarësisht krizës ekonomike, inflacionit dhe luftës në afërsi të vendit tonë.
Është ende herët për parashikime konkrete, por zgjimi i turizmit pas pauzës së pandemisë është një fakt i vlefshëm jo vetëm për Bullgarinë. Njerëzit në mbarë botën duan të udhëtojnë dhe çmimet gjithnjë në rritje nuk mund t'i ndalojnë ata. Po me siguri, një pushim me ski në Bullgari do të jetë më i shtrenjtë këtë dimër:
“Në përgjithësi, midis 11 dhe 18% pritet të jetë rritja e çmimeve në krahasim me një vit më parë në disa nga hotelet tona. Sepse hoteleria dhe shërbimet turistike janë një hibrid i shërbimeve të ndryshme, dhe kur p.sh. rritet kostoja e ushqimit, karburantit dhe rroga e stafit, është normale që të rritet edhe çmimi i paketës turistike - thotë Zankov. - Pra, për disa hotelierë sezoni do të jetë i vështirë sepse shpenzimet e tyre do të kalojnë çmimin e produktit përfundimtar. U rritën edhe çmimet e operatorëve turistikë. Për një kohë të gjatë, njerëzit nuk udhëtonin për shkak të kufizimeve lidhur me Covid-19, kështu që paketat ishin jashtëzakonisht tërheqëse. Por tashmë po rriten çmimet e biletave të avionit, fjetjet në hotelet jashtë vendit... E njëjta gjë po ndodh edhe në vendin tonë. Fatkeqësisht, ai turizëm shumë fitimprurës që kishim gjatë pandemisë është zhdukur”.
Prandaj, udhëtarët në mbarë botën janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë, por për cilësi më të lartë dhe më shumë atraksione. Në Bullgari, kur bëhet fjalë për turizmin dimëror, njerëzit imagjinojnë ski dhe snowboard në Bansko, Borovec dhe Pamporovo, por ne kemi potencialin për të ofruar më shumëpërjetime, është i bindur Zankov. “Ne kemi turizëm dimëror në një mjedis urban, kemi balneo, spa dhe hotele wellness, për të cilat ka një interes të madh për momentin. Ne ofrojmë turizëm kulturor dhe edukativ në qytetet e vogla, si dhe forma alternative të pushimeve”, thotë eksperti i turizmit dhe shpjegon:
“Tendenca është që të ofrohen paketa të shumëllojshme, të organizohen atraksione për vetë udhëtarët në mënyrë që ata të shijojnë ushqimet dhe pijet vendase. Për shembull zonjat të shijojnë pushimet spa ndërsa burrat e tyre bëjnë ski, të ketë punëtori të ndryshme për fëmijët në hotele, të cilat të jenë tërheqëse për të gjithë familjen, të ketë shumë itinerare kulturore dhe njohëse në kuadrin e programeve standarde. Ideja është që udhëtari të provojë gjithçka dhe të ketë etje për më shumë, në mënyrë që të kthehet sërish tek ne për të provuar forma të tjera çlodhjeje”, përfundoi Konstantin Zankov.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, arkiv
Vendpushimi “Albena” në bregdetin veriore bullgar festoi përvjetorin e tij me 11 mijë turistë, njoftoi BTA. Shumica e të ftuarve janë nga Gadishulli Skandinav, po rritet edhe numri i francezëve, çekëve dhe polakëve. Turistët bullgarë dhe rumunë kanë..
Bazilika Episkopale e Filipopolisit është një shembull i gjallë se si mbështetet zhvillimi i turizmit kulturor bullgar, tha ministri në detyrë i turizmit Evtim Milloshev në takimin me Nancy Schiller, presidente e Fondacionit "Amerika për..
Duke filluar nga kjo verë, vizitorët në Vraca mund të eksplorojnë qytetin malor përmes turneve plotësisht falas me guidë sipas modelit të turneve të ngjashëm që ofrohen në qytetet kryesore evropiane . Ideja është që vizitori i cili është ne..