Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Atanas Mihov u jep frymë pikturave të natyrës

13
Foto: Galeria „Loran“

"Krijuesi i pikturës së peizazhit me valëzime të lehta ngjyrash", "Autor i pikturave të gjalla të natyrës", "Krijuesi i pëlhurës piktoreske të modeluar me transparencë dhe ngjyra" - pikturat e tij janë për të gjithë ata që arrijnë të shohin shpirtin e Zotit pas bukurisë së natyrës.

Ekspozita “Atanas Mihov (1879-1975). "Peizazhe dhe Piktura" e galerisë "Loran" prezanton një koleksion të jashtëzakonshëm me vepra të një prej mjeshtrave të parë të zhanrit të peizazhit në vendin tonë. Një pjesë e madhe e punimeve me bojëra vaji nxjerrin në pah copëza të ndryshme të natyrës bullgare, por këtu mund të shihen edhe pikturat të cilat ai i ka krijuar si artist ushtarak në luftëra të ndryshme si Lufta Ballkanike, Lufta e Parë Botërore etj.

Atanas Mihov lindi në vitin 1879 në Stara Zagora. Hapat e parë drejt ëndrrës për të qenë artist i hodhi në vendlindjen e tij, ku mësuesi i tij ishte Georgi Evstatiev.

Atanas Mihov që në moshë të vogël u njoh me mësimdhënien evropiane të Georgi Evstatiev-it, e cila ia shtoi interesin për pikturën – thotë kritiku i artit Ljudmill Veselinov. - Një moment tjetër interesant është hyrja e tij në Shkollën Shtetërore të Vizatimit në klasën e Prof. Ivan Mrkvichka. Ai bëri specializimin te Prof. Jarosllav Veshin – mësues i shquar në atë kohë, të cilin shpreh se e ka shumë përzemer. Ky autor lë gjurmë të thella në veprat e tij dhe nëpërmjet tij mund të depërtojmë më lehtë në artin e Atanas Mihovit, që spikat me shtresat e theksuara të ngjyrave të peizazheve, me teknikat e shpeshta me thikë dhe shpatull. Dhe meqenëse piktura e relievit është gjithashtu e natyrshme në veprën e Jarosllav Veshin, artisti i ri e përmend atë si babain e tij shpirtëror.

Ljudmill Veselinov i le një vend prestigjioz Atanas Mihovit në artin bullgar të periudhës mbas çlirimit, duke e vendosur atë përkrah piktorëve më të mirë vendas të peizazhit si Georgi Evstatiev, Nikolla Tanev, Mario Zhekov, Benço Obreshkov, Penço Georgiev, Georgi Popov-John, Vasill Stoillov. Pas diplomimit piktori iu përkushtua mësimdhënies, ndërsa pas luftërave ia përkushton kohën e tij jo vetëm punës si mësues, por edhe pasionit për peizazhin.

Veprimtaria e Atanas Mihovit lidhet kryesisht me Sofjen – shton kritiku i artit. - Viti 1923 ishte një vit kyç për karrierën e tij, sepse u emërua mësues në Knjazhevo (sot një lagje e kryeqytetit ). Lidhja e Knjazhevos me malin e Vitoshës do të përdoret dhe interpretohet vazhdimisht në kompozimet e tij”.

Deri në fund të jetës së tij gati shekullore (u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare), Atanas Mihov i qëndroi besnik pikturës së peizazhit - qoftë për t'u distancuar nga shabllonet propagandistike të qeverisë së re, qoftë thjesht sepse e gjente ngushëllimin në natyrë.

“Ai është pasardhës i impresionistëve dhe postimpresionistëve me eksperimentet e tij të shumta mbi temat natyrore – thotë Ljudmill Veselinov. - Kjo është arsyeja pse atelieja e tij në Knjazhevo u kthye në një lloj qendre kërkimore për natyrën. Në mëngjes e pikturon malin në një mënyrë dhe krejt ndryshe në mesditë, pasditen e vonë dhe në mbrëmje. Të njëjtin mal, të njëjtën pamje, ai e përdor vazhdimisht në veprat e tij - të bukura dhe të ndryshme në vetvete. Në to ai eksploron ngjyrat e ngrohta dhe të ftohta, hijen, rrezet e diellit që bien mbi mal, duke luajtur me këtë kompozim shumë herë në veprën e tij. Dhe ndoshta ai vërtet gjeti paqen në zhanrin e peizazhit.”

Gjatë karrierës së tij të pasur krijuese, Atanas Mihov mori pjesë në ekspozita të shumta. Talenti i tij njihet edhe jashtë vendit - veprat e tij ekspozohen në Romë, Venecia, Vjenë, Berlin, Pilzen, Pragë, Bërno. Ai la pas mijëra piktura, për të cilat kritiku i madh i artit Stefan Mitov shkruan: “Ai befas dhe me shumë guxim, jo ​​vetëm për kohën e tij, hodhi hapin e parë të madh në peizazhin bullgar dhe e ngriti atë në një lartësi të vërtetë artistike, duke e çliruar nga prangat e shabllonit dhe diletantizmit naiv.”

Ekspozita e veprave të Atanas Mihov mund të shihet në galerinë “Kontrast” të kryeqytetit, deri më 18 prill të këtij viti.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: Galeria "Loran"




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ekspozita “Artizanët e Sofjes” zbulon vende të papara në kryeqytet

Cikli “Sofja e padukshme” për këtë vit do të mbyllet me ekspozitën “Artizanët e Sofjes”, kushtuar trashëgimisë kulturore të luajtshme. Ekspozita do të hapet sot, 21 tetor, në hapësirën e Sallave të rinovuara Qendrore të Tregut në kryeqytet...

botuar më 24-10-21 9.25.PD

Një valë kulturore franceze po përfshin Sofjen në javët e ardhshme

Deri në fund të vitit bullgarët do të takohen me kulturën franceze në formën e një sërë shfaqjesh filmash, leximesh letrare, konferencash, ekspozitash etj . Rasti  është 145 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Francës dhe..

botuar më 24-10-16 7.20.PD

Tregu si fenomen kulturor në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen

Një nga vendet më interesante dhe plot ngjyra në çdo vendbanim është tregu i tij. Pavarësisht nëse është i hapur përditë apo në një ditë të veçantë të javës, nëse ka ose jo specifika të produkteve që ofron, tregu është një fenomen kulturor që ka..

botuar më 24-10-09 7.35.PD